Korçë- Arrestohet nga Policia e Vlorës, Operacionalija e Drejtorisë së Përgjithshme dhe Policia e Korçës, autori i dyshuar i ngjarjes në Sarandë, i akuzuar për plagosjen e dy personave.
I prangosuri është Ramadan Zoto, (allias Ramadan Canaj), 43 vjeç, që gjatë një sherri më 17 korrik të këtij viti në lagjen nr. 3 të Sarandës, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, plagosi me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj. ndaj tij kishte masë sigurie në mungesë nga Gjykata, "arrest me burg".
Bashkë me të u ndalua edhe një person i dytë, teksa pati disa të shoqëruar. I arrestuari, po në kërkim për armëmbajtje, është identifikuar si Arben Ismailaj, që akuzohet se strehonte Zoton në Fier pas krimit dhe e ndihmonte të lëvizte në qytete të tjera, sikurse sot në Korçë.
Policia e Vlorës bëri edhe njoftim zyrtar për operacionin, të cilin e kodoi ‘Stuhia”.
“43-vjeçari Ramadan Zoto, në momentin e ndalimit ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole, gati për qitje”, thanë burime zyrtare.
Gjatë aksionit janë sekuestruar 5 armë zjarri (4 pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, dhe 1 automatik), një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë
Zoto është lokalizuar në zonën e Korçës ditën e sotme, teksa lëvizte me një makinë “Audi” dhe ndërhyrja ishte e befasishme, mes bashkëpunimit të tre sektorëve të policisë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se forcat e policisë kanë bllokuar një mjet tip “Audi”, duke nxjerrë një nga personat në mjet. Mësohet se ka edhe të tjerë të shoqëruar.
Më herët, më 20 korrik, ishte arrestuar një tjetër i dyshuar për krimin, Artan Murtaj, 43 vjeç, nga Policia e Sarandës, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga personat e dyshuar të shpallur në kërkim në plagosjen me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Në kërkim për plagosjen e dyfishtë ishin shpallur në kërkim përveç Ramadan Zotos, i njohur edhe si Ramadan Canaj, dhe Erjon Canaj, 36 vjeç dhe Klaus Jaçaj, 31 vjeç.
Sipas dinamikës dhe hetimit, shkak i ngjarjes ishte konflikti për zënien e një sipërfaqe toke. Dy të plagosurit nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj kishin në posedim një sipërfaqe toke në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ngjitur me pronën e dy vëllezërve Canaj. Të plagosurit pretendonin se dy vëllezërit Lama u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën. Palët u takuan më 17 Korrik 2025, por situata doli jashtë kontrollit deri në përdorimin e armëve.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Stuhia”, nga strukturat e hetimit të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.
Vihet në pranga 43-vjeçari i shpallur në kërkim, pas lokalizimit në Korçë, i cili, në muajin korrik, në Sarandë, tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetas, në një lokal.
43-vjeçari, në momentin e ndalimit, ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole, gati për qitje.
Në pranga edhe një shtetas që e strehonte në qytetin e Fierit dhe e ndihmonte t’i shmangej Policisë, i shpallur më herët për armëmbajtje pa leje, po në kuadër të këtij operacioni.
Sekuestrohen gjatë operacionit gjithsej 5 armë zjarri (4 pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, dhe 1 automatik), një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.
Në vijim të veprimeve operacionale bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbetën të plagosur me armë zjarri 2 shtetas, shërbimet e DVP Vlorë, konkretisht strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
-R. Z., alias R. C., 43 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit, me vendimin e datës 24.07.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit, në qytetin e Korçës, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje.
-Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga edhe shtetasi A. I., 50 vjeç, banues në Fier, i cili fshihte dhe strehonte shtetasin R. Z.
50-vjeçari ishte shpallur më herët në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, pasi falë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe punës së strukturave të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, në vijim të veprimeve operacionale për finalizimin e këtij operacioni, u ushtrua kontroll konkretisht në banesën e shtetasit A. I., në qytetin e Fierit, ku dyshohej se fshihej shtetasi i kërkuar R. Z.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë u gjet dhe u sekuestrua një arsenal armësh dhe sendesh të tjera, konkretisht: 3 armë zjarri pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, një armë zjarri automatik, një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.
Ky është momenti kur forcat e Operacionales së Policisë së Shtetit, të ndihmuar nga kolegët e Korëës dhe të Vlorës, rrethojnë, u zënë rrugën, i nxjerrin nga makina dhe i shtrijnë në asfalt duke i prangosur personat e dyshuar në qytetin verilindor.
Operacioni i befasishëm u krye ditën e sotme, ndërsa bëhet me dije se është kapur personi i kërkuar Ramadan Zoto, për plagosjen e dyfishtë me armë në Sarandë me 17 korrik. Ai udhëtonte me persona të tjerë dhe mësohet se janë sekuestruar edhe armë zjarri.
Detajet nuk janë zbardhur ende nga policia, pasi aksioni është në vijim. Deri tani konfirmohet arrestimi i Zotos, që njihej edhe si Ramadan Canaj, si dhe shoqërimi i disa të tjerëve. Report Tv ka siguruar pamjet e aksionit dhe ndalimit të tyre, duke i dërguar në Komisariat për veprime të tjera.
Komente
