Korçë- Arrestohet nga Policia e Vlorës, Operacionalija e Drejtorisë së Përgjithshme dhe Policia e Korçës, autori i dyshuar i ngjarjes në Sarandë, i akuzuar për plagosjen e dy personave.
I prangosuri është Ramadan Zoto, (allias Ramadan Canaj), 43 vjeç, që gjatë një sherri më 17 korrik të këtij viti në lagjen nr. 3 të Sarandës, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, plagosi me armë zjarri të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Sipas burimeve janë sekuestruar disa armë zjarri, ndërsa ka edhe persona të tjerë të shoqëruar. Madje një prej tyre është ndaluar dhe bëhet personi i dytë i arrestuar. Ai është identifikuar si Arben Ismailaj, por policia ende nuk ka konfirmuar veprën për të cilën akuzohet apo nëse ishte në kërkim.
Zoto është lokalizuar në zonën e Korçës ditën e sotme, teksa lëvizte me një makinë “Audi” dhe ndërhyrja ishte e befasishme, mes bashkëpunimit të tre sektorëve të policisë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se forcat e policisë kanë bllokuar një mjet tip “Audi”, duke nxjerrë një nga personat në mjet. Mësohet se ka edhe të tjerë të shoqëruar.
Më herët, më 20 korrik, ishte arrestuar një tjetër i dyshuar për krimin, Artan Murtaj, 43 vjeç, nga Policia e Sarandës, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga personat e dyshuar të shpallur në kërkim në plagosjen me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Në kërkim për plagosjen e dyfishtë ishin shpallur në kërkim përveç Ramadan Zotos, i njohur edhe si Ramadan Canaj, dhe Erjon Canaj, 36 vjeç dhe Klaus Jaçaj, 31 vjeç.
Sipas dinamikës dhe hetimit, shkak i ngjarjes ishte konflikti për zënien e një sipërfaqe toke. Dy të plagosurit nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj kishin në posedim një sipërfaqe toke në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ngjitur me pronën e dy vëllezërve Canaj. Të plagosurit pretendonin se dy vëllezërit Lama u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën. Palët u takuan më 17 Korrik 2025, por situata doli jashtë kontrollit deri në përdorimin e armëve.
Ky është momenti kur forcat e Operacionales së Policisë së Shtetit, të ndihmuar nga kolegët e Korëës dhe të Vlorës, rrethojnë, u zënë rrugën, i nxjerrin nga makina dhe i shtrijnë në asfalt duke i prangosur personat e dyshuar në qytetin verilindor.
Operacioni i befasishëm u krye ditën e sotme, ndërsa bëhet me dije se është kapur personi i kërkuar Ramadan Zoto, për plagosjen e dyfishtë me armë në Sarandë me 17 korrik. Ai udhëtonte me persona të tjerë dhe mësohet se janë sekuestruar edhe armë zjarri.
Detajet nuk janë zbardhur ende nga policia, pasi aksioni është në vijim. Deri tani konfirmohet arrestimi i Zotos, që njihej edhe si Ramadan Canaj, si dhe shoqërimi i disa të tjerëve. Report Tv ka siguruar pamjet e aksionit dhe ndalimit të tyre, duke i dërguar në Komisariat për veprime të tjera.
Komente
