PS ruan epërsinë, por ndarja e mandateve vendoset nga preferencat. Çomo dhe Spaho marrin mandat, Jaupllari penalizohet nga kuota gjinore. Fidel Kreka me 6523 vota përmbys PD-në në listën e hapur.
Nga numërimi i votave për subjektet politike në Qarkun e Korçës, rezultoi një ndarje e qartë e 10 mandateve parlamentare: 6 për Partinë Socialiste dhe 4 për Partinë Demokratike një rezultat që për socialistët konsiderohet objektiv i arritur.
Në listën e mbyllur të PS-së, mandatin e siguruan Niko Peleshi, Romina Kuko dhe Genti Lakollari. Nga lista e hapur, më të votuarit rezultuan Ilirian Pendavinji me 10133, i cili konfirmon për herë të katërt mandatin e deputetit, dhe Bledi Çomo me 9478, kandidat për herë të dytë për zonën e Pogradecit.
Pavarësisht se Arian Jaupllari ishte kandidati i tretë më i votuar në listën e hapur të PS, mandati i kaloi Besa Spahos me 6691 vota, si gruaja më e votuar e së majtës, në zbatim të kuotës gjinore.
Në kampin përballë, PD-ASHM fitoi 3 mandate nga lista e mbyllur me Ivi Kason, Ledina Alollin dhe Bledion Nallbatin. Ndërsa të vetmin mandat nga lista e hapur e mori Fidel Kreka me 6523 vota, një emër i vjetër i demokratëve në Korçë, i cili ka qenë shpesh objekt i kritikave politike nga ana e kryesocialistit Rama.
Ajo që u vu re në këto zgjedhje ishte ashpërsia e garës brenda vetë listave, veçanërisht në kampin e majtë, ku nuk munguan kontestimet dhe kërkesat për rinumërime në disa qendra votimi.
Ndërkohë, procesi në bllok vijoi në mënyrë të qetë, me përjashtim të një incidenti të rëndë në Pogradec, ku një eksponent i PD-së, Luan Tollozhina, goditi me grusht një komisioner të PS-së gjatë ditës së votimit. Konflikti më pas u përshkallëzua mes familjarëve të të dy palëve. Policia arrestoi pesë persona, përfshirë vetë Tollozhinën.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Niko Peleshi (listë e mbyllur)
Romina Kuko (listë e mbyllur)
Genti Lakollari (listë e mbyllur)
Ilirian Pendavinji 10133 vota
Bledi Como 9478 vota
Besa Spaho 6691 vota
Ivi Kaso (listë e mbyllur)
Ledina Alolli (listë e mbyllur)
Bledjon Nallbati (listë e mbyllur)
Fidel Kreka me 6523 vota
Lajmi kryesor:
Votat e kandidatëve/ Vijon numërimi vetëm në Tiranë! Nga PS më i votuari Gonxhja, Braçe e Ceno Klosi! Në PD, Tabaku shkëputet 2000 vota nga Alimehmeti, ‘digjet’ Meta
H.K/ReportTv.al