TIRANË- Pothuajse në të gjithë vendin ka përfunduar numërimi i votave preferenciale për kandidatët. Me numërimin po vijohet vetëm në Tiranë. PS ka marrë 83 mandate, ndërsa PD ka zbritur në 50 mandate, një rënie drastike krahasuar me 63 mandatet që PD dhe aleatët kishin në 2021.
Nga 83 deputetët që pritet të dërgojë në Kuvendin e ardhshëm, Partia Socialiste do të ketë plot 37 të zgjedhur me votë preferenciale, përveç 46 të zgjedhurve nga lista e mbyllur. Koalicioni opozitar Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore dërgon vetëm 7 të zgjedhur me votë nga 50 deputetët që ka gjithsej. Mes këtyre të shtatë nga PD fiton edhe Gjin Gjoni në Lezhë apo Arjan Ndoja në Durrës, të dy të akuzuar për lidhje të dyshimta me krimin.
Gjithsej të zgjedhur me votë preferenciale nga populli futen 45 deputetë, nëse i shton edhe mandatin e Nisma Shqipëria Bëhet që ka thënë se do ta djegë listën e mbyllur. Shumë deputetë aktualë socialistë mbeten jashtë, mes të cilëve senatorë të rëndësishëm si Pandeli Majko, Klotilda Bushka, Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Ermonela Felaj, Toni Gogu etj.
Në Tiranë, po bëhet edhe lufta më e madhe brenda llojit në PD-ASHM. Duke qenë se PD zbriti në 10 mandate në këtë qark, në Kuvend do të futet vetëm një deputet nga lista e hapur dhe gara po bëhet e ashpër mes Jorida Tabakut me 17301 vota dhe Ilir Alimehmetit me 15423 vota.
Sa i takon listës së hapur në Tiranë, PS nxjerr 7 deputetë, 5 prej tyre burra dhe 2 gra. Deri më tani, kandidati më i votuar socialist në Tiranë, Blendi Gonxhja me 20534 vota duke ecur drejt finishit të sigurt si kandidati më i votuar nga të gjitha forcat politike në rang vendi, vendi i dytë është marrë nga deputeti Erion Braçe aktualisht me 18223 vota, duke zbritur në të tretin ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, me 17351 vota, Fatmir Xhafaj tani ka 11716 vota dhe surpriza më e fundit ka qenë rimarrja e pozicionit për deputet nga Xhemal Qefalia me 8863 vota, duke nxjerrë jashtë kolegun Ornaldo Rakipi, me 8558 vota deri tani. Nga gratë, dy më të votuarat deri më tani futen Anila Denaj me 7604 vota dhe surpriza ka qenë Blerina Gjylameti me 5394 vota që merr vendin e gruas së dytë si deputete në listën e hapur, teksa shumë pranë ndodhet edhe Olta Xhaçka, me 5324 vota.
Fillimisht në Kuvend futen kandidatët e listës mbyllur, sipas radhës që ka përcaktuar partia, dhe lista e hapur, dërgon deputetë në Kuvend nëse partia fiton më shumë karrige se sa emrat që ka në listën e mbyllur. Renditja në listë të hapur bëhet pa asnjë prag, kush ka marrë një votë më shumë, por 1 në 3 emra, do të jetë femër, edhe nëse zonjat nuk janë votuar sa duhet.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Ndiqni në zhvillime lajmet për secilin qark dhe cili kandidat zgjidhet deputet
Në Qarkun e Fierit, Partia Socialiste ruan avantazhin bindës duke siguruar 12 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha arrin të sigurojë vetëm 4 deputetë nga lista e mbyllur, duke mos përfituar asnjë mandat përmes votave preferenciale.
PS fut në Kuvend 5 deputetë nga lista e mbyllur, Belinda Balluku, Petrit Malaj, Kiduina Zaka, Erjo Mile dhe Ana Nako. Ndërkohë, nga lista e hapur futen 7 deputetë, 5 burra dhe 2 gra. Në Kuvend futen Ceno Klosi me 16638, Klevis Jahaj me 12696, Asfloral Haxhiu me 11622 vota, Antoneta Dhima me 6860 vota, Elton Korreshi me 5966 vota, Zegjine Çaushi me 4074 vota dhe Dhimitër Kruti 3629 vota. Në këtë qark do futen vetëm 2 gra nga lista e mbyllur.
Nga ana tjetër, PD-ASHM merr në Fier vetëm 4 deputetë nga lista e mbyllur: Gazment Bardhi, Luan Baçi, Brunilda Haxhiu dhe Saimir Korreshi, pa arritur të fitojë ndonjë mandat përmes votës preferenciale dhe duke humbur një vend në listën e mbyllur.
Vijon ende numërimi i kutive të qarkut të Fierit si për votat brenda dhe jashtë vendit.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Në qarkun e Tiranës, i cili nxjerr plot 37 deputetë, po vijohet ende me numërinin e votave preferenciale për kandidatët. Në këtë qark, PS siguroi 19 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta (PD-ASHM) 13 mandate.
PS fut në Kuvend 12 deputetë nga lista e mbyllur me në krye Edi Ramën, Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Taulant Balla, Lindita Nikolla, Igli Hasani dhe Adea Pirdeni.
Sa i takon listës së hapur, PS nxjerr 7 deputetë, 5 prej tyre burra dhe 2 gra. Deri më tani, kandidati më i votuar socialist në Tiranë, Blendi Gonxhja me 20534 vota, Erion Braçe ka marrë vendin e dytë, duke u bërë ndër deputetët më të votuar në shkallë vendi deri tani, me 18223 vota, në vendin e tretë ministri Ervin Hoxha me 17351 vota, Fatmir Xhafaj ka 11716 vota. Ndërsa Xhemal Qefalia ka nërë surprizën deri tani, duke ia rimarrë vendin me 8863 vota Ornaldo Rakipit, që ka 8558 vota. Nga gratë, dy më të votuarat deri më tani futen Anila Denaj, me 7604 vota, teksa rikuperim me disa vende ka bërë orët e fundit Blerina Gjylameti, që renditet gruaja e dytë e listës së hapur që e merr vendin aktualisht me 5394 vota (garë e ngushtë pasi shumë pranë ndodhen edhe Olta Xhaçka me 5324 vota).
Në krahun tjetër, PD-ASHM ka siguruar 12 mandate përmes listës së mbyllur, ku përfshihen Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Fatmir Mediu, Jozefina Topalli dhe Mesila Doda. Gara për mandatin e 13-të që del nga lista e hapur është e ngushtë mes Jorida Tabakut me 17310 vota dhe Ilir Alimehmetit me 15423 vota, me të parën që ka krijuar shkëputje me mbi 2000 vota. Ilir Meta nga qeklia renditet i katërti më i votuari, por nuk siguron dot mandat.
Ndërkohë, vota preferenciale prodhoi lëvizje të mëdha edhe brenda vetë partive. Nga partitë e reja ka siguruar dy mandate Shehaj i 'Mundësisë', një Lapaj i 'Shqipëria Bëhet' dhe një mandat Arlind Qori i Lëvizja Bashkë.
Në Qarkun e Durrësit, Partia Socialiste ruan avantazhin duke siguruar 8 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha arrin të sigurojë 6 deputetë.
PS siguron 5 deputetë përmes listës së mbyllur: Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, Loer Kume, Skender Pashaj dhe Aurora Mara. Ndërkohë, nga votat preferenciale, Arkend Balla me mbi 18.000 vota duke e bërë këtë të fundit më të votuarin se vetë kryeministri në 2021 i cili siguroi 15.000 vota. Sakaq mandati i 7 shkon për gruan më të votuar, Etleva Budinin dhe i 8 për Ani Dyrmishin.
Nga ana tjeter, PD-ASHM arrin të sigurojë 6 mandate në Durrës, të cilët 5 vijnë përmes listës së mbyllur dhe 1 në listën e hapur: Oerd Bylykbashi, Igli Cara, Gent Strazmiri, Manjola Luku dhe Artan Luku janë pjesë e listës së mbyllur, ndërkohë që mandati i 6 preferencial shkon për të përjashtuarin nga vetingu, Arjan Ndoj.
PS ruan epërsinë, por ndarja e mandateve vendoset nga preferencat. Çomo dhe Spaho marrin mandat, Jaupllari penalizohet nga kuota gjinore. Fidel Kreka me 6523 vota përmbys PD-në në listën e hapur.
Nga numërimi i votave për subjektet politike në Qarkun e Korçës, rezultoi një ndarje e qartë e 10 mandateve parlamentare: 6 për Partinë Socialiste dhe 4 për Partinë Demokratike një rezultat që për socialistët konsiderohet objektiv i arritur.
Në listën e mbyllur të PS-së, mandatin e siguruan Niko Peleshi, Romina Kuko dhe Genti Lakollari. Nga lista e hapur, më të votuarit rezultuan Ilirian Pendavinji me 10133, i cili konfirmon për herë të katërt mandatin e deputetit, dhe Bledi Çomo me 9478, kandidat për herë të dytë për zonën e Pogradecit.
Pavarësisht se Arian Jaupllari ishte kandidati i tretë më i votuar në listën e hapur të PS, mandati i kaloi Besa Spahos me 6691 vota, si gruaja më e votuar e së majtës, në zbatim të kuotës gjinore.
Në kampin përballë, PD-ASHM fitoi 3 mandate nga lista e mbyllur me Ivi Kason, Ledina Alollin dhe Bledion Nallbatin. Ndërsa të vetmin mandat nga lista e hapur e mori Fidel Kreka me 6523 vota, një emër i vjetër i demokratëve në Korçë, i cili ka qenë shpesh objekt i kritikave politike nga ana e kryesocialistit Rama.
Ajo që u vu re në këto zgjedhje ishte ashpërsia e garës brenda vetë listave, veçanërisht në kampin e majtë, ku nuk munguan kontestimet dhe kërkesat për rinumërime në disa qendra votimi.
Ndërkohë, procesi në bllok vijoi në mënyrë të qetë, me përjashtim të një incidenti të rëndë në Pogradec, ku një eksponent i PD-së, Luan Tollozhina, goditi me grusht një komisioner të PS-së gjatë ditës së votimit. Konflikti më pas u përshkallëzua mes familjarëve të të dy palëve. Policia arrestoi pesë persona, përfshirë vetë Tollozhinën.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Niko Peleshi (listë e mbyllur)
Romina Kuko (listë e mbyllur)
Genti Lakollari (listë e mbyllur)
Ilirian Pendavinji 10133 vota
Bledi Como 9478 vota
Besa Spaho 6691 vota
Ivi Kaso (listë e mbyllur)
Ledina Alolli (listë e mbyllur)
Bledjon Nallbati (listë e mbyllur)
Fidel Kreka me 6523 vota
Në Qarkun e Elbasanit, Partia Socialiste konfirmon epërsinë duke siguruar 9 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha do të fus vetëm katër nga pesë deputetët e listës së mbyllur.
PS fut në Kuvend 5 deputetë nga lista e mbyllur, Arbjan Mazniku, Bora Muzhaqi, Ermal Elezi, Adi Qose dhe Evis Kushin. Nga votat preferenciale, sigurojnë mandate Sara Mila me 18826 vota, Saimir Hasalla me 9361 vota, Olsi Komici me 6300 vota, Aulona Bylykbashi 8315 vota dhe Agron Gaxho 5969 vota.
Nga ana tjetër, PD-ASHM merr në Elbasan vetëm 4 deputetë nga lista e mbyllur: Tomor Alizoti, Edmond Haxhinasto, Klodiana Çapja, Blendi duke mos arritur të sigurojë asnjë mandat përmes votës preferenciale dhe kanë humbur një mandat të listës së mbyllur.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Partia Demokratike mori 4 mandate në Qarkun e Lezhës, edhe pse me një rënie të thellë krahasuar me vitin 2021. Bazuar në këtë ndarje mandatesh, PD-ASHM nxjerr 2 kandidatë nga lista e hapur dhe 2 nga lista e mbyllur, Agron Gjekmarkaj dhe Elda Hoti. Nga lista e hapur dalin 2 kandidatët më të votuar deri më tani, ish-gjyqtari sheik Gjin Gjoni me 8873 vota dhe Kastriot Piroli me 5632 vota.
Ndërkohë PS, mori 3 mandate, dy deputetë të sigurt Ulsi Manja dhe Ermal Pacaj dhe kandidatja më e votuar Marjeta Neli me 6745vota.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Në Qarkun e Beratit, Partia Socialiste konfirmon epërsinë duke siguruar 5 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha mbetet me vetëm 2 mandate.
PS fut në Kuvend 2 deputetë nga lista e mbyllur, Ervin Demo dhe Enriketa Jaho, ndërsa nga votat preferenciale sigurojnë 3 mandate: Hysen Buzali me 8209 vota, Fadil Nasufi me 6327 vota si dhe Hatixhe Konomi, e cila përfiton mandatin falë kuotës gjinore, me 3372 vota.
Nga ana tjetër, PD-ASHM merr në Berat vetëm dy deputetë nga lista e sigurt, Eno Bozdo dhe Zija Ismaili, duke mos arritur të sigurojë asnjë mandat përmes votës preferenciale.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Në Qarkun e Shkodrës, PS ka marrë 4 mandate dhe arrin që të nxjerrë deputetë vetëm kandidatët e listës së sigurt, Marjana Koceku, Onid Bejleri, Xhenis Çela, Bujar Rexha. Asnjë kandidat nuk futet nga lista e hapur nën siglën e PS.
PD-ASHM ka mbetur me 5 mandate dhe kështu fut në Kuvend vetëm një deputet nga lista e hapur, që rezulton ish-kryebashkiaku Bardh Spahia me 9414 vota. Dy mandate në Shkodër i ka marrë PSD.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Në Qarkun e Dibrës, Partia Socialiste mori 3 mandate duke përmbysur rezultatin dhe la koalicionin e Sali Berishës me vetëm 2 mandate. Kështu, PS fut në Kuvend 2 deputetë nga lista e mbyllur që janë Blendi Klosi dhe Alma Selami, ndërsa nga votat preferenciale futet në Kuvend ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj. Ky i fundit ka rezultuar më i votuari me 12 616 vota.
PD-ASHM merr në Dibër vetëm dy deputetë nga lista e sigurt, Xhelal Mziu dhe Denisa Vata. Ndërkohë, mbetet jashtë ish-gjenerali që ka firmosur finalizimin e tjetërsimit të pronave të Kompleksit Partizani, Xhemal Gjunkshi me 5693 vota.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Në tabelë mund të shihni votimet për secilin kandidat
Shkëlqim Shehu dhe Eduard Shalsi
Qarku i Kukësit është ndarë në rezultatin 2 me 1 për PD-ASHM edhe pse Berisha pësoi një rënie me 9.2% në këtë qark. PS nxjerr nga ky qark vetëm deputetin e listës së mbyllur Eduard Shalsi, i cili është edhe drejtuesi politik i këtij qarku. Mbetet jashtë ish-deputeti i PD, Alban Zeneli që iu bahsku Edi Ramës, ndonëse rezulton më i votuari në këtë qark, por PS arriti të siguronte në total vetëm një mandat.
PD-ASHM ndërkohë nxjerr një deputet nga lista e hapur dhe një nga lista e mbyllur. Flamur Hoxha del automatikisht deputet për shkak se renditet në listë të mbyllur, ndërkohë nga lista e hapur e PD-ASHM del deputet Shkëlqim Shehu me 7493. Mbetet jashtë Isuf Çelaj me 7060 vota.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Në tabelë mund të shihni votimet për secilin kandidat
Tërmet Peçi dhe Tritan Shehu
Në qarkun e Gjirokastrës, Partia Socialiste nxjerr dy deputetë nga lista e hapur. Drejtuesja politike e qarkut, Mirela Kumbaro siguron një vend në Kuvend duke qenë se është në listë të mbyllur. Dy deputetët nga lista e hapur janë ish-kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi me 9468 vota dhe Pirro Dhima me 6902 vota. Do numërohen edhe votat e diasporës, por në këtë qark vota preferenciale nuk pritet të ketë ndikim në renditjen e kandidatëve të PS.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
PD dhe aleatët që kanë marrë vetëm 1 mandat në këtë qark, nxjerrin deputet nga lista e mbyllur vetëm Tritan Shehun.
Në tabelë mund të shihni votimet për secilin kandidat
Në Qarkun e Vlorës ka përfunduar numërimi i votave preferenciale për kandidatët, ndërkohë që vijon vetëm numërimi i votës së diasporës. Nga ky qark, PS e cila ka marrë 9 mandate në total, fut në Kuvend 5 deputetë nga lista e hapur (4 burra dhe 1 grua). I pari më i votuari është Damian Gjiknuri me 10.031 vota, i ndjekur nga Vullnet Sinaj me 8757 vota. I treti më i votuari në këtë qark është edhe Ardit Biodo, një prej figurave më të spikatura që Rama përzgjodhi si kandidat për deputet, i cili ka arritur që të sigurojë mandat edhe pse ishte në listë të hapur. Ndërkohë, është duke u pritur numërimi i votës së diasporës për të parë nëse Vasil Llajo do të ruajë karrigen në Parlament apo do të jetë Klevis Kaso.
Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve
Ndërkohë, koalicioni i Sali Berishës në qarkun e Vlorës nuk merr asnjë deputet nga lista e hapur, pasi ka mbetur me vetëm 3 mandate. Kështu, Berishës i digjet edhe një prej deputetëve të listës së sigurt Artird Hoxha. Në Kuvend nga PD futen vetëm 3 deputetët e listës së mbyllur.
Në tabelë mund të shihni votimet për secilin kandidat
Komente

mos na u dogj meta,,,,,s'po na ze gjumi sonte...
PërgjigjuIku kjo Pune. Rama ne 2027 ne Zgjedhjet e tjera dhe ne 2029 nuk duhet te vendose asnje kandidat mbi 45 vjec/e , pra 21-45 vjec/e keshtu e riciklon rinia ndryshe kot qe votohet
Përgjigju