Cifti i italianëve në Gjykatë

Korrierë të një grupi kriminal, në burg dy italianët e kapur me 460 kg drogë

1 Korrik 2018, 07:47| Përditesimi: 1 Korrik 2018, 09:26

  • Share

Çifti italian Vito Baruchelli dhe Dominga Silvestri kishin mbëritur nga Italia në Shqipëri nëpërmjet një linje ajrore, por, kur vendososën të largohen për në atdheun e tyre, dy barezët zgjodhën një automjet rulot, i cili ishte i mbushur me 460 kg drogë. Mjeti me targa italiane ishte në pronësi të një shtetasi italian tjetër, por nuk dihet se në çfarë rrethana kishte mbëritur në dorën e Vito Baruchellit dhe Dominga Silvestrit. Këta të dy kishin zbritur në Rinas në 23 qershor 2018, sipas tyre, për të bërë pushime.

Por, teksa kanë qëndruar në Tiranë, më pas çifti i të dashuruarve ka udhëtuar në drejtim të Jugut të Shqipërisë, ku nuk dihet nëse janë shoqëruar nga dikush apo jo. Sipas prokurorit Vladimir Mara, dy shtetasit janë ndaluar në flagrancë më 23 qershor 2018, pasi në automjetin që drejtohej prej Vito Baruchellit është konstatuar një sasi lënde narkotike në pjesën e tavanit të rulotit dhe në dyshemenë e tij, ku ishin modifikuar pjesë të caktuara.

Mara nënvizoi dhe i kërkoi gjykatës që të caktonte masën e “arrestit në burg” ndaj të ndaluarve, pasi, sipas tij, ka prova të mjaftueshme, që tregojnë se Vito Baruchelli dhe Dominga Silvestri janë korrierë të një grupi kriminal, që përbëhet nga italianë dhe shqiptarë dhe që ka shtrirje në të dy shtetet.

Për momentin, prokurori Mara tha se janë sekuestruar në total 460 kg drogë, nga të cilat 321 pako me peshë 363 kg janë me hashash, ndërsa 94 pako me peshë 97 kg janë me çokollatë hashashi. Sipas informacioneve të prokurorisë, lënda narkotike ishte futur në pjesët e modifikuara të rulotit, në zonën e Sarandës. Por, pas kapjes së saj në Kakavijë, mjeti i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm me skaner, ku dukshëm është zbuluar prezenca e sasisë së drogës së fshehur.

Dy të ndaluarit Vito Baruchelli dhe Dominga Silvestri i thanë gjykatës se janë me arsim 9 dhe 12 klasë dhe se kishin ardhur në Shqipëri për pushime. Vajza pretendoi se nuk ka pasur asnjë dijeni për drogën në rulot dhe se nuk ishte në gjëndje të tregonte asgjë. Nga ana tjetër, i dashuri i saj Vito Baruchelli, në dëshminë e tij para gjykatës, deklaroi se: ”…e dashura ime nuk ka asnjë dijeni për sasinë e drogës. Për të s’kisha dijeni as unë, që kisha marë automjetin dhe jo më ajo…” Por, pavarësisht kësaj dëshmie, Baruchelli shtoi se sqarime më të hollësishme do të jepte në një moment të mëvonshëm.

Nëpërmjet avokatit mbrojtës Arben Peçi, të caktuar kryesisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Dominga Silvestri kërkoi që gjykata t’i caktonte masën e “ndalimit për daljen e saj jashtë shtetit”, por kjo kërkesë u refuzua nga gjyqtari Luan Hasneziri, i cili vendosi të pranojë kërkesën e prokurori Mara, duke caktuar masën e “arrestit në burg” për Vito Baruchellin dhe të dashurën e tij Dominga Silvestri. Para se të largoheshin nga salla e gjykimit, dy të arrestuarit lanë dhe numrat e kontaktit tek avokati mbrojtës, me qëllim njoftimin e prindërve të tyre në Itali.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?