Eurot e sekuestruara

Kronikë

Korrupsioni te IMT Tiranë/ Paratë te gota e kafes, Policia: Inspektorët u kërkonin ryshfet lokaleve për të lejuar tendat pa leje, sekuestrohen 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë

28 Gusht, 14:12| Përditesimi: 28 Gusht, 15:51

  • Share

1756383365_euro2027.jpg

Policia e Shtetit ka reaguar për arrestimet te IMT Tiranë, ku 3 punonjës të këtij institucioni ishin përfshirë në raste korrupsioni duke u marrë para lokaleve për të mos ju shembur tendat pa leje.

Gjatë aksionit, policia ju ka sekuestruar inspektorëve 3000 eurove, të gjetura në gotën e kafesë, dhe 270 mijë lekë të vjetra.

Inspektorët e IMT Tiranë akuzohen për korrupsion aktiv dhe shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet proaktive ka rezultuar se 3 inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë, ju kanë kërkuar para pronarëve të lokaleve që të mos i hiqnin çadrat/tendat që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

Në kuadër të këtij aksioni u arrestua Geraldo Fuçia, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë Edmond Çela punonjës i IMT Tiranë dhe menaxheri i një lokali A.E. 26 vjeç.

Kurse në kërkim është shpallur inspektori Klajdi Zhilla 35 vjeç.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut. 

Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.  

Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; 

-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë;

-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve. 

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.     

Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

 


Lajmi kryesor:

‘Para në gotë kafeje’/ ‘Kurthi’ ku ranë inspektorët e IMT-së në Tiranë, s’prishën tendën për 1 mijë euro! I denoncoi pronari i lokalit


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?