TIRANË- Një inspektor u arrestua, një tjetër u shpall në kërkim ndërsa një i tretë po hetohet në gjendje të lirë, nën akuzën e marrjes së ryshfetit 1 mijë euro për të mos prishur tendën e një lokali. Report Tv ka mundur të zbardhë detaje të reja mbi këtë operacion të SPAK-ut, ku në pranga ra inspektori i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës Geraldo Fuçia.
Mësohet se denoncimin për këtë rast korruptiv e ka bërë vetë pronari i objektit, në zonën e Kombinatit. Ai shkoi menjëherë në polici dhe kallëzoi se 4 punonjës të IMT-së, shkuan në biznesin e tij, ku konstatuan një tendë që përdorej për lokalin e vendosur brenda oborrit të banesës. Pas konstatimit, e kanë njoftuar se tenda do të prishet pasi është pa leje. Por pasi largohen, njëri prej tyre kthehet pas disa minutash dhe takon pronarin duke i thënë se i ofron marrëveshje që në këmbim të 1000 eurove, nuk do t’ia prishnin tendën.
Menjëherë pas sinjalizimit të rastit policia u drejtua në SPAK, ku mori autorizim për përgjime e vëzhgime ambientale si dhe simulim të dhënies së parave. Shuma e parave është vendosur në dispozicion nga policia, e cila ia ka dhënë pronarit të lokalit që t’ia dorëzonte inspektorëve. Në kohën kur 1 mijë eurot iu dorëzuan punonjësit të IMT-së Klajdi Zhilla, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali tjetër aty pranë, në pronësi të Mark Frrokut.
Menjëherë policia ka hyrë në lokal dhe në ato momente inspektorët i kanë fshehur paratë në një gotë plastike në banakun e lokalit. Inspektori Klajdi Zhilla arriti të largohej me një automjet tip “Audi”, ndërsa 3 të tjerët u ndaluan. Prej tyre, në arrest mbahet vetëm Geraldo Fuçia, si personi që kishte kërkuar ryshfetin, ndërsa ZHilla u shpall në kërkim pasi ishte ai që mori paratë nga pronari i objektit.
Dy të tjerët, një inspektori dhe menaxheri i lokalit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e parave, po hetohen në gjendje të lirë.
Policia sekuestroi paratë që u gjetën në banakun e lokalit, të cilat korrespondonin me numrat serialë të kartëmonedhave që policia i dha kallëzuesit. Por, krahas tyre bëhet me dije se janë gjetur edhe 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë, me dyshimet se mund t’u jenë marrë subjekteve të tjera, në këmbim të mosprishjes së tendave pa leje. Policia këqyri edhe kamerat e sigurisë së lokalit, ku u evidentuan lëvizjet e punonjësve të IMT. Zhilla dhe Fuçia akuzohen për korrupsion aktiv dhe shpërdorim detyre.
Policia e Shtetit ka reaguar për arrestimet te IMT Tiranë, ku 3 punonjës të këtij institucioni ishin përfshirë në raste korrupsioni duke u marrë para lokaleve për të mos ju shembur tendat pa leje.
Gjatë aksionit, policia ju ka sekuestruar inspektorëve 3000 eurove, të gjetura në gotën e kafesë, dhe 270 mijë lekë të vjetra.
Inspektorët e IMT Tiranë akuzohen për korrupsion aktiv dhe shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet proaktive ka rezultuar se 3 inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë, ju kanë kërkuar para pronarëve të lokaleve që të mos i hiqnin çadrat/tendat që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.
Në kuadër të këtij aksioni u arrestua Geraldo Fuçia, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë Edmond Çela punonjës i IMT Tiranë dhe menaxheri i një lokali A.E. 26 vjeç.
Kurse në kërkim është shpallur inspektori Klajdi Zhilla 35 vjeç.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut.
Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë;
-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë;
-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.
Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Komente

Keto padrejtesi jane bere NORME ne Shqiperi, ku punojesit e Shtetit e shohin postin e tyre si kopsht per ta vjelur dhe jo sherbim ndaj komunitetit. Prandaj , kjo eshte nje nder arsyet kryesore te shpopullimit te vendit. Pa u ndaluar korrupsioni masiv, nuk do te ndalohet largimi i pjeses me jetesore te shoqerise Shqiptare.
Përgjigju