Kosova e aleatët përplasen për Urën e Ibrit! Stano: Nëse s’na dëgjoni, do mbeteni vetëm! DASH: S’hezitojmë të mbrojmë jetët e amerikanëve

16 Gusht, 10:30| Përditesimi: 16 Gusht, 15:19

  • Share

Ura e Ibrit po sjell përplasje mes Kosovës dhe aleatëve, ndërsa këta të fundit kërkojnë që ura mos të hapet në këtë moment, por të diskutohet edhe njëherë në tryezën e dialogut me Serbinë.

Një ditë pasi presidentja Vjosa Osmani e quajti racist, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe mbrapa, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e saj. Stano shton se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.

“Dua t’i rikujtoj të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano.

BE përsërit edhe njëherë qëndrimin se Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me aleatët dhe të bisedojë me komunitetet që preken nga ato. Sipas Stanos, diskutimi për Urën e Ibrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të thotë marrëveshje e re, por diskutim rreth zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur.

“Mund ta përsëris atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet të cilat preken nga vendime specifike. Të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja nënkupton të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshje të reja. Duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, ka shtuar Stano.

Ndërkohë një reagim ka pasur edhe nga Departamenti i Shtetit, duke thënë se ShBA nuk do të hezitojë të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të mbrojë personelin dhe popullin amerikan në Kosovë.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.

Shqetësimet për sigurinë

Synimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës ka hasur në kundërshti nga serbët lokalë, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare. Serbët lokalë kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre, por në debatin e organizuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria e Kosovës, institucionet kanë garantuar siguri në rast të hapjes së urës.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier më 13 gusht tha se hapja e urës në këtë kohë, paraqet rrezik të vërtetë, që mund të ndikojë edhe në sigurinë e ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të enjten se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit. Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe se Kosova duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara sa i përket hapjes së urës.

Ora 10:31
Hapja e Urës së Ibrit, DASh: Nuk do të hezitojmë të mbrojmë jetët e amerikanëve

1723047861_uraeibrit.JPG
 

Foto: Ura e Ibrit

Departamenti i Shtetit ka thënë se ShBA-ja nuk do të hezitojë të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të mbrojë personelin dhe popullin amerikan në Kosovë.

Komenti u bë nga zëvendës zëdhënësi kryesor i DASh-it, Vedant Patel, gjatë një konference për media ditën e djeshme.

“Nuk do të hezitojmë të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme të sigurohemi që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, tha Patel.

Reagimi vjen pas qëndrimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit, në Mitrovicë.

ShBA-ja, BE-ja e vende tjera aleate të Kosovës i kanë kërkuar qeverisë që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në rast të ndërmarrjes së një veprimi të tillë, mund të rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë në kuadër të KFOR-it dhe i ka kërkuar qeverisë që të mos vazhdojë me këtë ide në këtë kohë.

Ndërkohë qeveria ka thënë se ura duhet të hapet dhe se nuk paraqet rrezik për askënd në Kosovë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Peka: 16/08/2024 12:18

    Po pse o Kurt i K…t, cre ka prish Ura Ty deri tani qe ju del kundra USA’s. Alo ke luftu fort Ti tu gjujt tym ne Parlament. E more Qeverin nga Burgu Serbis si Fatos Nano, e bo si i forte pasi i burgose gjith Trimat e UCK. Po skeni faj ju. Popull qe do Te Huajin Ne Shqipetaret jeni e kenaqemi me vuajtjet e njeri tjetrit. Popull Qyqe

    Përgjigju
  • Lilu: 16/08/2024 10:46

    Stano, vetem ke lindur e vetem do vdesesh...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?