Pika kufitare në Jarinjë, foto nga REL
Pikat kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës, Jarinja dhe Bërnjaku janë hapur për qarkullim. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila njofton se janë hequr të gjitha barrikadat që kanë qenë të vendosur në veri të vendit që prej datës 10 dhjetor në këto pika kufitare, të cilat për pasojë ishin të mbyllura.
“Në veri të vendit largohen barrikadat dhe lirohen për qarkullim dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak
Prishtinë, më 30 dhjetor 2022
Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.
Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim.
Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.”, njofton policia e Kosovës.
Lajmi kryesor:
Barrikadat në veri të Kosovës u hoqën një ditë më parë, hapen edhe 2 pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak
S.C/ReportTv.al