Në përurimin e shkollës ‘Klodian Tanushi’, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe paralajmërimin e pedagogëve se do të futen në grevë urie sot pasdite, nëse qeveria nuk u plotëson kërkesat. Duke e cilësuar si ‘SHIK-s’,Rama tha se kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi merr urdhra nga Foltorja.
Kreu i qeverisë tha se rritja e pagave të pedagogëve është e lartë, krahasuar me gjendjen në të cilën ndodhet vendi për shkak të krizës ekonomike dhe asaj energjetike. Rama tha se rritje prej 15% nuk ka pësuar as paga e mësuesve, punën e të cilëve e quajti më të vështirë se atë të pedagogëve.
"Para se te vija këtu isha me disa përfaqësues të një partie politike të Maqedonisë së Veriut të cilët më thanë se faturat u janë rritur katërfish, energjia, plus të tjera në Maqedoninë fqinje. Thënë këto, meqë e preku Erioni, është e pa imagjinueshme dhe duhet ta përforcoj mesazhin e Erionit sepse jemi këtu për të kremtuar një dëshmor, për të kremtuar një mesazh kuptimplotë të dikujt që jetën dha për atdheun, ndërkohë që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë me madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do hyjnë në grevë uri. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.
Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘’nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë.
Ashtu sikundër edhe një herë e përsëris, shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe s’kanë se si të jenë këta, se nëse do ishin këta, atëherë do ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh sesa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se sa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica dhe më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën!", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Përurohet shkolla me emrin e heroit 'Klodian Tanushi’ në Qesarakë! Rama: Sakrifikoi jetën për atdheun, shembull frymëzimi për të rinjtë
SI.E.//ReportTv.al