Përurohet shkolla me emrin e heroit 'Klodian Tanushi’ në Qesarakë! Rama: Sakrifikoi jetën për atdheun, shembull frymëzimi për të rinjtë

2 Nëntor 2022, 11:29| Përditesimi: 2 Nëntor 2022, 15:50

  • Share

TIRANË- Një prej shkollave të reja që është hapur këtë vit në Tiranë, i është vendosur emri i ‘Klodian Tanushi’, në nder të ‘Dëshmorit të Atdheut’, majorit që humbi jetën në krye të detyrës në Letoni. Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në përurimin e shkollës në Qesarakë, me kushte dhe hapësira moderne.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky gjest tregon se sakrifica e majorit do të mbetet në kujtesën kombëtare, ndërsa vlerësoi punën e tij në shërbim të atdheut. Rama u shpreh se shembujt të tillë duhet t’u prezantohen fëmijëve e të rinjve në shkolla si frymëzim për përkushtimin që kanë dhënë ndaj atdheut.

“Më vjen mirë që jam këtu sot, sëbashku me familjen e të ndjerit dëshmorit Klodian Tanushi, me të atin, me zonjën, me fëmijët të cilëve asgjë nuk ua kthen dot njeriun e tyre të zemrës dhe asgjë nuk ua mbush dot boshllëkun e madh të mungesës së pranisë së tij, por së paku me këtë gjest ne u themi se sakrifica sublime e djalit, e bashkëshortit, e babait i përket tanimë kujtesës sonë kombëtare dhe i përket edhe vazhdimësisë së mesazhit të një jete të humbur në shërbim te atdheut, për të gjithë këta vogëlushë të cilët duhet t’i njohim me Klodianin, me faktin që ishte fëmija i një familje shumë të thjeshtë, i prindërve të zakonshëm dhe që e beri diferencën pikërisht duke qenë në lartësinë e detyrës ndaj atdheut.

Mbase është momenti për të reflektuar lidhur me nevojën që në të gjitha shkollat, fëmijët, nxënësit, nxënëset të njihen me jetën e njerëzve që kanë lënë pas jetën e tyre dhe emrin e te cilëve mbajnë shkollat. Janë shembuj që vlejnë shumë për ta ushqyer shoqërinë, për të ushqyer gjenerata të reja me frymëzimin që mbart jeta e tyre. Janë dëshmorë të atdheut, janë heronj, janë protagonistë të jetës kulturore, të përpjekjeve atdhetare, jo të gjithë të rënë në krye të detyrës, por të gjithë me një jetë të përkushtuar ndaj atdheut si një detyrë mbi detyrat”, tha Rama.

Babai i Dëshmorit të Atdheut, Klodian Tanushi, Basriu, shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim që i bëhet djalit të tij ndjerë.

“Ju falenderojmë për përkushtimin dhe marrjen e këtij vendimi, që është një vlerësim për Klodianin, për familjen tonë dhe obligim për fëmijët e Klodianit, që e prisnin me padurim këtë ditë sot. Ju premtojmë që gjithmonë do t’ju shikojmë, takohemi dhe bisedojmë dhe sa të mundemi dhe të kontribuojmë për mbarëvajtjen e punëve. Ta gëzojmë shkollën, i përjetshëm kujtimi i dëshmorit Klodian Tanushi,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë për shkollat e reja dhe ato të rindërtuara në të gjithë vendin, duke thënë se kushtet e tyre po ndryshojnë dita-ditës, por ka ende shumë punë përpara.

“Ndihem mirë që procesi i ndërtimit dhe i rindërtimit, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë po sjell një ndryshim thelbësor. Natyrisht, arsimimi, edukimi i fëmijëve nuk është thjesht dhe vetëm çështje hapësirash, godinash, pajisjesh, sepse është edhe çështje burimesh njerëzore, por ama një gjë është e sigurtë: Pa godinat, pa pajisjet, pa kushtet, është e pamundur të pretendosh të kesh arsim të një cilësie tjetër. Jam shumë krenar që hapësirat, kushtet, po ndryshojnë dita-ditës, po ndryshojnë kudo. Natyrisht, ka ende shkolla të cilat nuk janë prekur nga kjo valë e madhe ndryshimi, por ajo që është e rëndësishme, sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Çfarë kemi bërë deri më sot na jep mundësinë që të jemi të sigurt dhe të jemi me kokën lart para njerëzve, për t’u thënë: nuk jemi të kënaqur sepse ka shumë për të bërë. Por, kjo që kemi bërë është garanci që ne dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe dimë si duhet bërë kjo punë”, tha kryeministri.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se arsimi sot në Tiranë është në ditët më të mira, me 12 shkolla të reja që u hapën vetëm këtë vit shkollor.

“Që Tirana zbukurohet çdo ditë, kjo nuk diskutohet, po ajo që e bën më të bukur janë këto 12 shkolla që i shtohen këtë vit atij gjerdani të bukur të shkollave. Infrastruktura e mirë bën që nxënësit të shkojnë me dëshirë në shkollë, por të kenë dhe rezultate më të larta”, shtoi ajo.

Shkolla e re në fshatin Qesarakë, “Klodian Tanushi”, ka kapacitete për 600 fëmijë të zonës, një infrastrukturë arsimore e standardeve evropiane, e pasuruar me 4 laboratorë e 1 bibliotekë, dhomë psikologu e infermierie, mjedise të dedikuara për stafin arsimor e atë administrativ, si dhe një palestër moderne, terrene të jashtme sportive dhe një sallë eventesh shumëfunksionale.

Kush ishte Klodian Tanushi?

Major Klodian Tanushi humbi jetën më 10 maj 2019, pasi nuk mundi që t'i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Major Tanushi u largua duke lënë pas gruan dhe tre fëmijët, më të voglin vetëm një vjeç. Në letoni humbi jetën edhe nëntetar Zarife Hasanaj.

Të dy ishin pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “EnhancedForwardPresence” në Letoni, për asgjësimin e municioneve eksplozive në Letoni. Zarife Hasanaj, humbi jetën menjëherë në vendngjarje me datë 6 maj 2019, ndërsa Klodian Tanushi u nda nga jeta disa ditë më vonë në spital, pa u rezistuar dot plagëve të marra nga shpërthimi i eksplozivit.

Ora 13:09
Veliaj nga shkolla e re ‘Klodian Tanushi’: Sot na duhen heronj të tillë, jo ata që në ditën më të vështirë duan rritjen e pagave milionëshe

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte i pranishëm ditën e sotme në përurimin e shkollës ‘Klodian Tanushi’, që ka marrë emirin e majorit që humbi jetën në Letoni. Duke kujtuar figurën e Major Klodian Tanushit, Veliaj tha se heronjtë e sotëm janë ata që nderojnë kombin edhe pas vdekjes, dhe jo ata që në ditët më të vështira kërcënojnë me grevë urie për pagat e tyre.

“Sot është një ditë e trishtë sepse kujtojmë shokun tonë, djalin tuaj që nuk është më, por një gjë është e sigurt: ky emër, kjo shkollë do të jetë këtu në jetë të jetëve. Para disa ditësh, Klodiani do të kishte mbushur 42 vjeç, fiks sa mosha ime sot, por na la një reputacion të jashtëzakonshëm, prandaj duhet të jeni krenarë. Sot kemi nevojë më shumë se kurdo për frymëzim. Megjithatë, unë sot kam një pyetje: A jetojmë jetë të denja, që nesër, kur të mos jemi më, të na kujtojnë me një emër rruge apo shkolle? Dhe kur dëgjoj se, në të njëjtën ditë, profesorë me rroga mbi një milion lekë thonë do të bëjmë grevë urie se ne Shqipëria na ka borxhe, më vjen vërtet turp. Sot kujtojmë një dëshmor, dje kujtuam një profesor. Kujtojmë njerëz që kanë dhënë kontribute, të cilët nuk thonë çfarë do të bëjë Shqipëria për mua, por unë çfarë do të bëj për Tiranën dhe Shqipërinë. Nga ana tjetër, kemi njerëz, të cilët kanë qenë zyrtarë të SHIK-ut, dhe thonë: “Shqipëria, - në ditën e saj më të vështirë, - çfarë do të bëjë për mua?”, tha veliaj.

Ai apeloi që pedagogët t’i rikthehen mësimit, pasi siç u shpreh Veliaj, një komb që di, ecën përpara më shumë sesa një komb që ka.

“Kush është prind, që e pati fëmijën një vit pa mësim prej tërmetit dhe një vit tjetër prej pandemisë, për faj të SHIK-save do rrijë edhe një vit pa shkollë. Kjo ndodh me kombin tonë, që ka nevojë për dije më shumë se kushdo tjetër. Universitetet kërkuan pavarësi, thanë nuk duam të jemi në varësinë e Edi Ramës dhe të qeverisë sepse jemi të pavarur. Por, me pavarësi ka edhe përgjegjësi. Me privilegje, ka edhe detyra. Është mirë të jesh i pavarur, por është akoma më mirë të jesh i përgjegjshëm. Apeli im sot është t’i kthehemi mësimit. Ecin përpara kombet që dinë, jo kombet që kanë. Në një situatë kaq kritike për vendin, kur kemi kaluar kaq shumë vështirësi, kur na duhen heronj të përditshëm - ne sapo i kemi rritur rrogat për mësuesit, zjarrfikësit, për të gjithë ata që janë përballur me beteja të mëdha, si mjekët dhe infermierët,  - na lipset më shumë se kurrë të kthejmë sytë nga dija, te arsimi dhe punët e dobishme dhe të denja”, tha Veliaj.

Ora 12:18
Deputeti i PS-së thumbon Metën: Ne fëmijët i çojmë në kopshtin e lagjes, ai i dosjeve i dërgon në Angli

Deputeti socialist i Tiranës, Xhemal Qefalia ka thumbuar sot kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën teksa pjesë në inagurimin e shkollës së re në Qesarakë, e cila mban emrin e Dëshmorit të Atdheut Klodian Tanushi.

“Të nderuar prindër, juve që do sillni fëmijët duke filluar nga sot te kjo shkollë. Ne jemi të asaj pjesë që fëmijët tanë i bëjmë, i rrisim, i çojmë te kjo çerdhja këtu afër, te ky kopshti këtu. Nuk i bëjmë siç i bën ai i dosjeve. Ai që thotë unë i çoi në Angli dhe do t’i kthejë këtu’, tha Qefalia.

Më tej, deputeti ka falenderuar Ramën edhe për gjimnazin e ndërtuar në këtë zonë. “Ne e kemi tashmë shkollën e mesme “Luan Hajdaraga”, një shkollë shumë cilësore dhe me shumë nivel”, tha Xhemal Qefalia.

Ora 11:52
Kovaçi tha se do futen në grevë urie, Rama: SHIK-si merr urdhra nga Foltorja, i shërben atyre që marrin rubla ruse  

 

Në përurimin e shkollës ‘Klodian Tanushi’, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe paralajmërimin e pedagogëve se do të futen në grevë urie sot pasdite, nëse qeveria nuk u plotëson kërkesat. Duke e cilësuar si ‘SHIK-s’,Rama tha se kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi merr urdhra nga Foltorja.

Kreu i qeverisë tha se rritja e pagave të pedagogëve është e lartë, krahasuar me gjendjen në të cilën ndodhet vendi për shkak të krizës ekonomike dhe asaj energjetike. Rama tha se rritje prej 15% nuk ka pësuar as paga e mësuesve, punën e të cilëve e quajti më të vështirë se atë të pedagogëve.

"Para se te vija këtu isha me disa përfaqësues të një partie politike të Maqedonisë së Veriut të cilët më thanë se faturat u janë rritur katërfish, energjia, plus të tjera në Maqedoninë fqinje. Thënë këto, meqë e preku Erioni, është e pa imagjinueshme dhe duhet ta përforcoj mesazhin e Erionit sepse jemi këtu për  të kremtuar një dëshmor, për të kremtuar një mesazh kuptimplotë të dikujt që jetën dha për atdheun, ndërkohë që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë me madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do hyjnë në grevë uri. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.

Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘’nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri”. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë.

Ashtu sikundër edhe një herë e përsëris, shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe s’kanë se si të jenë këta, se nëse do ishin këta, atëherë do ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh sesa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se sa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica dhe më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën!", tha Rama.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pedagogu ne pension: 03/11/2022 07:54

    Ne greve futen ata pedagoge qe u japin diploma studenteve qe nuk e dine se ku ndodhet fakulteti .

    Përgjigju
  • Zylyfi: 02/11/2022 19:23

    Atij I qofte dheu I lehte, por... "dha jeten per atdheun"... ne Letoni, kete nuk e kuptoj. "... Gjindje PA shkolle, or Taj..."

    Përgjigju
  • Adi: 02/11/2022 14:07

    Puneee e shkelqyer sa me shume vepra te tilla

    Përgjigju
  • Elda: 02/11/2022 13:51

    Vertete nje shembull frymezimi per te gjjthe heroi jone qe ka sakrifikuar jeten per atdheun

    Përgjigju
    • Lala: 02/11/2022 15:36

      Hero??MBAs vdekje Hero bejn te gjith QE te mo's merret vesh se cfar ka ber andej.nejse inqofte dheu inlehte

  • Armand: 02/11/2022 13:07

    Ja njeriu qe punon se ata te tjeret le te lefin se sju ka ngel gje tjeter

    Përgjigju
  • LLOSHI BULES REXHEP LEKA [ KEPI ]: 02/11/2022 12:45

    O Edi Rama tregoi vëndin shikasit e vazhdo punën se ai qeni Salheut të ha tumin. Shqiptarët jan populli zgjuar dhe e ndajn të mirën nga e keqja. Hec përpara qent le të lefin hum hum hum se një top të madh tumi do han.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?