Laurent Fuçia 

KPA pezullon gjyqtarin e Vlorës, Laurent Fuçia, e dërgon për riedukim në Magjistraturë

25 Korrik, 17:09| Përditesimi: 25 Korrik, 17:18

  • Share

Tirane- Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA pezulloi nga detyra gjyqtarin e gjykatës së Vlorës, Laurent Fuçia për një periudhë njëvjeçare dhe e detyron të ndjekë programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë vendosi sot (25 korrik 2024) prishjen e vendimit të KPK-së që konfirmonte në detyrë gjyqtarin Fuçia.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin Ë, pika 1, të Aneksit të Kushtetutës, nenet 44, germa “b”, 60 dhe 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 632, datë 08.03.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Laurent Fuçia. Pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Laurent Fuçia për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë prej KPK-së më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme. Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme, në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta.

Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitormit, ONM vlerësoi se Komisioni dështoi të zbatonte standarde të sakta në vlerësimin profesional të Fuçisë dhe kërkoi që çështja të shqyrtohej në KPA. Sipas ONM, vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do të sillte rrëzimin e vendimit të Komisionit.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama tha gjatë shpalljes së vendimit të enjten se, 9 rastet e konstatuara duhej të ishin verifikuar nga Komisioni në drejtim të aftësive profesionale, pasi kishte probleme të përsëritura, shkruan Birn.

Sipas KPA, subjekti rezulton të ketë treguar gjykim të dobët dhe me mangësi serioze, që kanë sjellë ndikim me peshë, si në palët në gjykim, ashtu dhe tek të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e proceseve.

Kolegji ka vlerësuar të shqyrtojë vetëm problemet në aspektin procedural, pa trajtuar themelin e çështjeve të gjykuara nga Fuçia.

Megjithatë, problemet e konstatuara, përfshi revokimin e një mase arresti dhe shuarjen e masës së sigurisë ndaj një personi në kërkuar për ekstradim nga drejtësia italiane, u vlerësuan nga Kolegji se mund të shërohen nga trajnimi i detyruar njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës.

Kryesuesja Rama tha se trupi gjykues i Kolegjit, me shumicë votash vendosi të ndryshojë vendimarrjen e KPK, të pezullojë nga detyra për një vit gjyqtarin Laurent Fuçia dhe ta detyrojë atë për të ndjekur trajnimin njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?