“Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë, t’i kalojë Kleana Xhuvelit, kushërirës së Lapajt që ndodhej në listën e mbyllur, e renditur e katërta.
Në deklaratë theksohet se shkaku që mandati përfundoi te Xhuveli ishte si një masë për të parandaluar që mandati të përfundonte te Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit.
Në fund të deklaratës, theksohet se “Kleana është aty si garanci që ky mandat i 80. 000 vullneteve të qytetarëve do të kthehet te lista e hapur sapo këtë të drejtë ta fitojmë ligjërisht.”
Deklarata e plotë e “Lëvizja Shqipëria Bëhet”
Sot, KQZ në një seancë publike vendosi për shpërndarjen e mandatit të subjektit tonë, znj. Kleana Xhuveli (nga lista e mbyllur).
Ne jemi kundër listave të mbyllura ndaj dhe po luftojmë që të zbatohet marrëveshja e koalicionit me të cilën kërkuam votën te qytetarët.
Në KQZ arsyetuam përmbledhtaz si më poshtë:
1. Kandidatët nga listat e mbyllura janë dorëhequr nga kandidimi dhe nuk kanë dashur të jenë pjesë e garës përpara përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit;
2. KQZ do të duhej të ishte shprehur brenda afatit ligjor prej 60 ditësh. Referuar nenit 91 pika 2 dhe 97 të Kodit të Procedurave Administrative këto kërkesa konsiderohen të miratuara në heshtje me kalimin e këtij afati. Si rrjedhim, çdo kërkesë e ardhur në adresë të KQZ, që revokonte dorëheqjen, pra pranon mandatin (nga lista e mbyllur), nuk duhej të merrej parasysh, pasi kandidatit i ishte miratuar në heshtje shkresa e parë e dorëheqjes.
KQZ nuk e pranoi kërkesën tonë, dhe mandati rrezikonte të mbetej në listën e mbyllur te kandidati Zeqir Kordhoni (Nisma Thurje) sa kohë ky shkeli zotimin e tij për ta djegur listën e mbyllur. Si rrjedhim, Kleana Xhuveli (Shqipëria Bëhet), e cila ishte në listën e mbyllur jo për të marrë mandat, por për t’i hapur rrugë listave të hapura, u detyrua të bënte të njëjtin veprim në mënyrë që mandati të shkonte për Partinë më shumë të votuar (Shqipëria Bëhet).
Kleana është pjesë e familjes sonë si aktiviste. Ka qenë pranë nesh në protesta, në organizime, në fushatë. Si shumë të tjerë në këtë lëvizje, ajo nuk u bashkua për karrierë apo për interes personal, por për parimet: Gara e hapur, meritokracia, demokratizimi i vendit.
Ajo veproi! Jo për ta marrë mandatin për vete, por për të mbrojtur përkushtimin, kohën, djersën e gjithsecilit që ka investuar në këtë lëvizje.
Kleana është aty si garanci që ky mandat i 80. 000 vullneteve të qytetarëve do të kthehet te lista e hapur sapo këtë të drejtë ta fitojmë ligjërishr.
I kërkojmë falje të gjithë mbështetësve për shqetësimin e shkaktuar!
Do të bëjmë çmos që betejën që nisëm për listat e hapura, ta çojmë deri në fund.
Dorina Prethi
Nënkryetare
Lëvizja “Shqipëria Bëhet”
Lajmi kryesor:
Lapaj ngel jashtë Kuvendit, KQZ ia jep mandatin kushërirës së tij, Kleana Xhuveli! Doshi djeg listën e mbyllur! Certifikohet rezultati për Tiranën
K.M/ReportTv.al