Kreu i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fico takohet me Veliajn: I ftoj të gjithë të vizitojnë Tiranën, jo më kot është Kryeqyteti Europian i Rinisë

12 Prill 2022, 12:12| Përditesimi: 12 Prill 2022, 13:53

  • Share

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti dje në takim Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe agjenda e Javës së Kulturës Italiane në Tiranë. Veliaj vuri theksin edhe tek miqësia vëllazërore mes dy popujve.

“Ju ishit të parët që hapët zemrën dhe derën për shumë emigrantë shqiptarë. Ata sot kanë krijuar familje, biznese, janë integruar dhe ndonjëherë janë bërë edhe më italianë se italianët, pasi Italia është kthyer në shtëpinë e tyre të dytë. Sot, në këto kohë të vështira ku po jetojmë, po bëhet shumë e rëndësishme të kuptojmë se cilët janë miqtë tanë. Kur shikon se çfarë po ndodh në Ukrainë me sulmin rus, jemi shumë mirënjohës që kemi fqinj Italinë. Një Itali, e cila na ka ndihmuar në ditët e vështira dhe me të cilët po rritemi bashkë në këto ditë të mira”, tha Veliaj.

Në shenjë mirënjohje, kreu i bashkisë i dhuroi Kryetarit të Dhomës së Deputetëve “Çelësin e Tiranës”, duke vlerësuar kështu mikpritjen e vendit fqinj për mijëra shqiptarë në vitet e tranzicionit. Në qendër të bisedës mes tyre ishte edhe agjenda e Javës së Kulturës Italiane.

“Këtë vit, së bashku me ambasadorin italian në Tiranë, kemi përgatitur një super agjendë për Javën e Kulturës Italiane. Fillojmë në datën 2 qershor, por në Shqipëri javët e kulturës italiane ndodhin çdo ditë e çdo vit. Ndaj, ndihem shumë i lumtur që sot ju dhuroj Çelësin e qytetit të Tiranës, si shenja e një dere të hapur, e një zemre të hapur. Ndaj, ju’a dhuroj këtë Çelës në emër të Këshillit Bashkiak dhe qytetit të Tiranës, të cilën dua ta konsideroni si shtëpinë tuaj të dytë”, theksoi Veliaj.

Nga ana e tij, Fico i ka dhuroi kryebashkiakut një kujtim nga Dhoma e Deputetëve të Italisë, duke shprehur në këtë mënyrë vlerësimin për lidhjen mes dy popujve dhe përshtatjen e shqiptarëve në vendin fqinj. Ai vlerësoi faktin se Tirana është përzgjedhur “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, si edhe ndryshimin që ka pësuar qyteti në këto vitet e fundit.

“Ne jemi dy popuj miq. E vlerësoj punën që ju bëni këtu në Shqipëri, dhe vlerësoj edhe shqiptarët që janë në vendin tonë. Sot janë më shumë se 700 mijë, dhe janë plotësisht të integruar. Për ne janë vëllezër të vërtetë. Unë di edhe për punën tuaj këtu në Tiranë, është një punë shumë e rëndësishme, profesionale, dhe urime që këtë vit jeni Kryeqyteti Europian i Rinisë, falë edhe nismave të rëndësishme që realizoni. E di sesa e vështirë është të jesh kryebashkiaku i një qyteti dhe sidomos i kryeqytetit. E di sesa e bukur dhe e rëndësishme është gjithashtu të jesh kryebashkiak i një kryeqyteti. Urime! Nuk ka dyshim që për ne Tirana është një nga kryeqytetet evropiane. Është shumë e vlerësuar dhe i ftoj të gjithë që të vizitojnë Tiranën gjatë këtyre festimeve. Jo më kot Tirana arriti të marrë titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë”, u shpreh Fico.


Lajmi kryesor:

Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fico konferencë me Nikollën: BE të hap negociatat me Shqipërinë, është çështje strategjike zgjerimi i saj në Ballkan


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?