Kreu i KLSH në Kuvend: S’ka regjistër për pronat shtetërore! Braçe: Hetoni 1 vit tregun e hidrokarbureve për çmimet

17 Korrik, 19:34| Përditesimi: 17 Korrik, 19:58

  • Share

Drejtoritë rajonale të kadastrës kanë legalizuar banesa në shkelje të ligjit, shprehen audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit në komisionin e Ekonomisë teksa janë përgjigjur për pyetjet e deputetëve për raportin e vitit 2023.

'Gjatë vitit 2023 kemi audituar katër drejtori vendore të Kadastrës, gjetjet kryesore të auditimit kanë konsistuar: Janë legalizuar objekte informale të cilat janë ndërtuar jashtë afatit të lejuar, ndërtesa të ndërtuara me materiale jo të qëndrueshme, me gips apo llamarinë që nuk plotësojnë kushtet, legalizim të banesave që janë në tejkalim të sipërfaqes së ndërtimit, duke marrë më shumë sipërfaqe nga sa cakton ligji, legalizim në cenim të infrastrukturës publike pa respektuar distancat nga rruga apo brenda institucioneve shtetërore, legalizime në zona që janë në zona të caktuara për zhvillim ekonomik, legalizime brenda zonave të tensionit të lartë në kundërshtim me ligjin.'- thotë KLSH.

Jo vetëm legalizimet, por edhe pronat shtetërore janë lënë jashtë vëmendjes thotë KLSH, pasi nuk ka një regjistër për inventarizimin e tyre, ndërkohë që mijëra hektar pronë shtetërore e dhënë me qira nuk regjistrohet.

‘Nuk kemi një regjistër të pasurive që shteti disponon. Një pjesë e madhe e institucioneve nuk kanë bërë pasqyra. Pronat shtetërore edhe mund të jenë në regjistrat e institucioneve, ato ose janë të zëna ose janë të dëmtuara në realitet. Mungojnë regjistrat për çdo pronë të administruar, probleme të mëdha ka në pushtetin vendor. Mbi 19 mijë hektarë tokë shtetërore është dhënë me qira, por nuk është e kontabilizuar në asnjë dokument, sipas detyrimeve. Bashkia Fier ka 4444 prona por ka regjistruar vetëm 430, Mirditë ka 14.670 prona por vetëm 1 ka të regjistruar, Këlcyra 404 prona asnjë të certifikuar, bashkia Gjirokastër ka 4017 asnjë të certifikuar, e kështu vijon bashkia Libohovë.’- thotë KLSH.

‘Ky është edhe problem financiar, prandaj dhe nuk zgjidhet, se ka raste që në bashki të vogla duhet gati 40 mln lekë për titullin e pronësisë!’- u shpreh Braçe.

‘Ky problem konstatohet në të gjitha bashkitë!’- tha KLSH.

KLSH-së ju kërkuar që të nisë auditim në tregun e hidrokarbureve për shkak të çmimit të lartë në treg të naftës.

‘Propozimi tjetër që kam, një auditim i plotë 1 vjeçar për tregun e hidrokarbureve, për hyrje – dalje, referuar faturave dhe kasave.’- u shpreh Braçe.

‘Do të ngremë grupin e punës për të nisur auditimin që ju propozoni.’- tha kreu i KLSH-së

Kontrolli i Lartë i Shtetit në raport thotë se në vitin 2023 dëmi ekonomik ishte  72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore nga administrata shtetërore dhe vendore.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?