I pyetur nga Report Tv nëse ka të dhëna pozitive për medikamentet që po përdoren në botë për covid-19, kreu i OBSH-së në Tiranë tha se "Është herët për të pasur të dhëna por po bëhen shumë studime, po bëhet dhe një studim klinik (solidarity trial) nga Organizata Botërore e Shëndetit ku po marrin pjesë shumë shtete dhe kam nderin të them dhe që Shqipëria po merr pjesë. Ne po testojmë medikamentet e ndryshme që kanë treguar aktivitet ndaj virusit por na duhen provat. Mendoj se së shpejti do të kemi rezultate për efektivitetin e disa prej medikamenteve" tha ai.
Por, për sa kohë mund të gjendet vaksina? "Cështja e vaksinës është më e komplikuar. Për vaksinën ka shumë institucione në të gjithë botën që po investigojnë për vaksinën nga kënde të ndryshme. Për vaksinën na duhet një kohë më e gjatë për të parë sa efekt do të japi dhe sa e sigurt është.
Medikamentet që po përdorim tani janë medikamente që përdoreshin për qëllime të tjera, kështu që ne e dimë që janë të sigurta, por vaksinat duhet të kalojnë pjesën e efektivitetit por dhe pjesën e sigurisë. Edhe pasi të kemi gjetur vaksinën ose vaksinat sepse ndoshta do të kemi lloje të ndryshme të vaksinave gati dhe efektive e të sigurta atëherë do të kemi nevojë për përpjekje të jashtëzakonshme për të prodhuar sasinë e nevojshme për vaksinimin e njerëzve. Prandaj themi se vaksina do më shumë kohë dhe nuk do ta kemi më parë se një vit apo një vit e gjysëm' tha ai.
Lajmi kryesor:
Kreu i OBSH në Tiranë për Report Tv: Masat e forta mbrojtën popullin, kujdes me lehtësimin, strategjia e testeve efektive
//ReportTv.al