SHKODËR- Kur na ndajnë vetëm 3 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit, agjentët e BKH me mbështetjen e bluve ndërmorën një operacion në qytetin e Shkodrës për krimet zgjedhore. Policia e Shkodrës doli me një deklaratë zyrtare ku dha detajet e operacionit.
Me urdhër të GJKKO-së u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve ndaj 6 personave, që sipas burimeve të Report Tv janë pjesë e subjekteve politike në Shkodër, përfshirë PSD e Tom Doshit. Blutë e Shkodrës informojnë se kanë kontrolluar 9 automjete, njëri prej tyre në pronësi të OSHEE-së, por në përdorim nga një prej personave për të cilin ishte lëshuar urdhri i kontrollit. Operacioni u quajt ‘Premtimi’ dhe hetimet për këtë çështje po vijojnë.
Ky operacion, përkoi edhe me një vizitë të kreut të SPAK, Altin Dumani në Shkodër, i shoqëruar edhe nga prokurorë të tjerë, pjesë e Task-Forcës për krimet zgjedhore. Kreu i SPAK kërkoi nga drejtuesi i prokurorisë së rrethit por edhe drejtori i policisë, të vlerësohet çdo informacion për krime zgjedhore dhe në rastet kur ka akuza apo deklarata publike, denoncuesit të thirren për të bërë kallëzim. Pas Shkodrës, kreu i SPAK u ndal në Lezhë, aty ku situata politike ka qenë mjaft e tensionuar javët e fundit.
Njoftimi i plote
Punë intensive në bashkëpunim me SPAK, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve. U zhvillua në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit policor të koduar "Premtimi". Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve ndaj 6 shtetasve.
Sekuestrohen celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës intensive të bërë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, zhvilluan sot, në qarkun Shkodër, fazën e parë të operacionit policor kundër krimeve zgjedhore, të koduar “Premtimi“.
Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës;
-automjetit në pronësi të shtetasit F. V.;
-automjetit në pronësi të shtetasit B. P.;
-automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;
-automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.;
-2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.;
-3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.
Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona karburanti. Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë.
Deri më tani SPAK ka nisur hetimet për 35 materiale kallëzuese në lidhje me krimet zgjedhore.
Komente
