Alfred Gega dhe Sami Koçeku

Krimi shtetëror i 21 Janarit, mjekët që “gënjyen” u shpërblyen me karrierë politike në PD

21 Mars, 22:28| Përditesimi: 21 Mars, 22:31

  • Share

Gjykata e Lartë urdhëroi disa ditë më parë që dosja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, dhe të regjistrohet procedim penal ndaj Berishës, Bashës dhe Prendit.

I pari ish-kryeministër, i dyti ish-ministër i Brendshëm dhe i treti (ekzekutori) ish-kreu i Gardës së Republikës. Një vendim që i hap rrugë zbardhjes së një nga ngjarjeve më të rënda, me pasoja në jetë njerëzish, ku e implikuar është kupola shtetërore. Në atë kohë, makineria e pushtetit tentoi që të manipulonte masakrën shtetërore, ku të parët “në radhë” ishin dy mjekët e Spitalit ushtarak, Sami Koçeku dhe Alfred Gega. Dy të fundit dolën 13 vite më parë, në derën e Urgjencës së Spitalit Ushtarak, duke bërë deklarata para gazetarëve.

Ishte pasditja e 21 janarit 2011, ku Koçeku dhe Gega, do të deklaronin se vdekja e protestuesve kishte ardhur si rezultat i goditjes nga armët e zjarrit dhe se qitja ishte kryer nga një distancë shumë e afërt. Mjekët, njëri kirurg dhe tjetri ortoped, morën përsipër të bënin edhe punën e ekspertit balistik dhe atributet e mjekëve ligjorë. “Janë nga qitje me armë zjarri nga distanca të shkurtra” thanë mjekët.

Këto deklarata, vetëm sa i hodhën benzinë zjarrit, pasi mazhoranca e asaj kohe kërkonte me ngulm manipulimin me çdo kusht të gjurmëve të masakrës. Koçeku dhe Gega ishin unison me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, i cili deklaronte pa asnjë provë se viktimat u vranë nga protestues të pajisur me thika me helm dhe çadra pistoletë. Por, ashtu siç ndodh rëndom në të gjitha fushat e tjera, edhe mjekët iu nënshtruan në atë kohë presionit dhe shantazhit politik. Duke i shërbyer atij që të jep rrogën! Madje, dy mjekët, Koçeku dhe Gega kanë qenë me poste drejtuese në Spitalin Ushtarak, për një kohë të gjatë.

Për herë të parë, pas 13 vitesh, mjeku Sami Koçeku pranoi të jepte një intervistë për Fiks Fare dhe të shpjegonte ato deklarata. Ai pranon se, në janar 2021, ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare të Traumës dhe zv. drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak. “Kam qenë drejtor i Traumës dhe zv.drejtor i Përgjithshëm i Spitalit të Traumës” tha Koçeku, në kohën kur ndodhën vrasjet gjatë “21 Janarit”.

Vitet kaluan dhe dy mjekët, Koçeku dhe Gega, u “shpërblyen” nga Partia Demokratike për ato deklarata. Sami Koçeku, në vitin 2021, u fut në listën e primareve të Partisë Demokratike, duke konkurruar për t’u zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës. Emri i tij ishte në Njësinë Nr.7, ku ai garoi bashkë me disa figura kryesore të PD-së. “Në vitin 2021 kam qenë në listën e primareve. Kam marrë minus 7 vota. Kam dalë më mirë se z. Rrushaj dhe znj. Vokshi”, pohon ai.

Ndërkohë, doktori tjetër, Alfred Gega, është mjek ortoped. Aktualisht punon po në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në janar 2011, Gega ka qenë vetëm mjek. Disa javë më vonë, ai u emërua nga Ministria e Shëndetësisë zv.drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak. Fiks Fare kontaktoi edhe me doktor Alfred Gegën, për t’i marrë një prononcim për ato deklarata dhe karrierën politike. Por, ai nuk pranoi! Tha se ishte ngjarje shumë e vjetër.

Karriera në politikë e z. Gega ka qenë më e suksesshme se ajo e z. Koçeku. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, ai ka qenë kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar i Bashkisë së Maliqit. Madje, prezantimin si kandidat e ka bërë vetë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. “Kam nderin t’ju paraqes mjekun Alfred Gega, për të cilin unë vij në këmbë nga Tirana” tha Meta. Në atë takim elektoral në Korçë, ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke prezantuar sërish z. Gega. Madje, z. Berisha foli me superlativa për mjekun, të cilin e mbështeti në zgjedhjet lokale 2023, por që kandidati i tij, që e mbrojti më 21 janar, humbi!/ TCH

Ora 22:21
Mjeku Sami Koçeku: Kontaktet me Berishën për “21 Janarin”. Ja pse deklarova vrasjen nga afër…

Doktor Sami Koçeku ka rrëfyer për herë të parë, ekskluzivisht për “Fiks Fare”, deklaratat për 21 janarin. Mjeku është sërish në të njëjta ambiente si 13 vite më parë. Tashmë, në prag pensioni, ai është i hapur të hetohet nëse ka marrë ndonjë telefonatë apo urdhër për të bërë atë deklaratë. Për herë të parë pranon se deklarata e tij, dhe e kolegut Gega, solli pështjellimin e të gjithë situatës në spital dhe para kryeministrisë. Madje, prononcimi i tyre u përdor nga kryeministri i atëhershëm.

“Deklarata e qeverisë është bërë pas meje, ka shfrytëzuar deklaratën time që të bënte deklaratën e vetë. Të gjitha institucionet të verifikojnë nëse dikush më ka urdhëruar. Që në momentet e para kam bërë një rezyme dhe kam thënë që në syrin tim më duket se këto janë plagë në distancë të afërt” pohon Koçeku. Fiksi e pyeti se deklaratat e tij ishin të njëjta ose në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha që tha se ka “çadra pistoletë, thika me helm”.

“Në atë deklaratë ishin edhe fjalët e njerëzve atje rrotull, ku tregonin se ‘një njeri që i futi një gjë’. Unë thashë që këto janë deklaratat që bëjnë njerëzit” pohon ai, ndërsa shpjegim se distancë e afërt është deri në 25 metra! Gazetarët e pyesin se pozicioni i viktimave ka qenë jashtë kangjellave, në mes të bulevardit, afër stendës së gazetarëve. “Viktima te porta ka qenë 7 metra. Është shumë e shkurtët. Ekspertët të dalin dhe të tregojnë kush quhet distancë e afërt. Një pjesë thonë kur ia vë në kokë”,  pohon ai.

Doktori thotë se ka folur në emocion dhe stres të madh, pasi situata ishte jo normale. Por, shton se ka folur si mjek dhe jo si ekspert balistik dhe mjeko-ligjor. “Unë s’jam shumë i specializuar në balistikë, jam kirurg specialist” shton ai. Më tej pohon se ka pasur kontakte me eksponentë të qeverisë së asaj kohe, pavarësisht se pas asaj deklarate u shkarkua si drejtor dhe s’mori gradën e kolonelit. Ai thotë se ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e ka telefonuar të nesërmen e 21 janarit për mos ta përgënjeshtrojë këtë deklaratë.

“Luli më ka marrë të nesërmen përse e bëra atë deklaratë. I kam thënë se e bëra. Unë e dija përse ishte qëllimi, se mos dal unë dhe e përgënjeshtroja deklaratën. Me Lul Bashën jam takuar në zgjedhjet e vitit 2021 në një takim me mjekët. Ishim në një tavolinë të madhe” vijon Koçeku. Fiksi e pyeti se, nëse do të rikthehej në kohë, a do e bënte po atë deklaratë? “Unë vetëm një gjë mund të bëja, duhet të thoja pa filluar deklaratën se do e bëj deklaratën si doktor apo si ekspert. Nëse do e bëj si doktor, do bëj këtë deklaratë. Nëse si ekspert, do bëj këtë deklaratë. Fjalinë e fundit që kam thënë se ‘do flasin ekspertët’, duhet ta bëja të parën. Kjo i takon këtyre instancave, këtyre specialiteteve edhe unë si mjek do të bëj këtë deklaratë” shton ai.

Në fund tregon se deklaratat e tij më shumë i kanë shërbyer opozitës së asaj kohe. “Ata që kanë pasur pak mënd, nga PD-ja, nga pozita e asaj kohe, kanë bërë verifikimet e veta dhe kanë thënë kjo deklaratë na e fut ne” thotë doktor Koçeku, teksa gazetarët e pyesin nëse e kanë përdorur të dyja krahët e politikës. “Me variantin e tyre më kanë përdorur, po unë s’e quaj të përdorur se mua s’më ka ndodhur asnjë gjë” pohon ai. Në fund thotë se deklaratat e tij dhe mjekut Gega janë hetuar nga Urdhri i Mjekut dhe në fund s’kanë vendosur asnjë qindarkë gjobë apo asnjë ditë pezullim nga ushtrimi i detyrës./ TCH

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?