Gjatë intervistës në emisionin "Repolitix" të gazetarit Denis Minga në Report TV, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar kriteret prej vitesh për hapjen e negociatave, por kjo e fundit nuk e ka hapur derën. Rama e krahasoi BE me një "shtëpi të pasurish", që e hap derën vetëm kur ka interesin e saj.
Sipas tij, BE s'i ka dhënë asnjë vendi tjetër kaq pak vite afat për të përmbyllur procesin e negociatave.
"Ka një ndryshim të madh sepse Shqipërisë i kanë dhënë tre vjet afat. Nuk ia kanë vënë askujt më përpara. Nuk ka pasur hapje dhe mbyllje 3 vjet. Ne na kanë dhënë 3 vjet, sepse duan të fusin brenda Shqipërinë bashkë me Malin e zi dhe rendja e madhe për të arritur të mbyllim negociatat lidhet me faktin se ata duan të fusin brenda anëtarë të rinj. Pra ti mund të jesh gati të bësh hapat drejt BE, ne kemi qenë gati disa vite rresht. E ka thënë komisioni hapini negociatat, por kjo nuk mjafton. Ata janë një shtëpi të pasurish, dhe shtëpitë e pasurve nuk e mbajnë derën hapur. E kanë derën mbyllur. Ti mund t’i biesh derës sa të duash, e hapin vetëm kur ata që janë brenda kanë interes të të hapin derën. Kriteret i kemi plotësuar disa herë që dera të hapej për negociatat. E ka thënë Komisioni dhe Këshilli që është shtëpia e të pasurve, 27 anëtarë brenda dhe që kanë rregullin që duhet të jenë të gjithë dakord, 26 mund të thotë hape dhe njëri thotë jo se më dhëmb koka, nuk hapet dera.", tha Rama.
Sipas Ramës, nuk është as "iluzion" dhe as "truk magjik", por historike mundësia për t'i përmbyllur negociatat deri në vitin 2027.
"Interesi i BE është që të japë një mesazh për të gjithë botën dhe të shtrëngojë radhën në kushtet kur edhe çështja e sigurisë është bërë çështje e madhe e të gjithëve së bashku në Evropë. Patjetër që duhet të plotësosh kriteret. Ti mund t'i plotësosh kriteret dhe prapë nuk mjafton. Ata mund të duan të të fusin ty por pa kritere s’të fusin. Ne kriteret i kemi plotësuar, tani u kap dera. Tani na vunë përpara kalendarin dhe thonë se me Shqipërinë duam ta mbyllim për tre vjet. Arsyeja pse ata në ndërkohë i kanë dhënë kaq shumë besim Shqipërisë është se ne në procesin e screenning ishim mbresëlënës. Ata se prisnin përgatitjen e Shqipërisë. Kanë ndikuar të gjitha. Ky është momenti që të mbyllim këtë, as iluzione, as truk magjistari, por mundësi historike. Dera është hapur dhe ne duhet të bëjmë tonën. Dhe nëse e bëjmë tonën deri në 2027, ne mbyllim negociatat.", shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Edi Rama në Report Tv: Më 11 maj na duhet një fuqi e re, yjet na janë bashkuar me BE! Opozita s’e arrin më rezultatin e 2021-shit, lobimi 6 mln dollarë ‘masazh’ për ata që paguajnë
SI.E./Xh.D/ReportTv.al