Argjentina dhe Ekuadori barazuan 1-1 në çerekfinalet e Kupës së Amerikës dhe dueli u vendos nga penalltitë, me Lionel Messin që gaboi gjuajtjen e tij. Me "panenka" Messi goditi traun e portës, ndërsa falë portierit Martinez që ndali kundërshtarët, kampionët në fuqi të botës kaluan më tej.
“Penalltia e humbur? Isha i bindur për ta goditur në atë mënyrë (panenka). Ia kisha shprehur këtë edhe portierëve të kombëtares. Në fund u nervozova shumë që e humba penalltinë. Por, për fat kemi një si Martinez në portë, është rritur shumë. Tani edhe ne kemi më shumë besim kur ndeshja shkon te penalltitë, edhe para sfidës diskutuam me Martinez dhe ai bënte shaka nëse ndeshja do të vendosej nga 11-metërshat. Na siguroi se duhej të qëndronim të qetë pasi ai do të mendonte për gjithçka.
Dëmtimi? Nuk ishte ndonjë problem i madh, më shumë më rëndoi dhe frikësoi në aspektin psikologjik. U mundova ta kaloja atë moment duke u stërvitur pak nga pak, pa rrezikuar. Isha pak i frikësuar, por në fund gjithçka shkoi mirë dhe isha gati për të luajtur”, u shpreh Messi.
Argjentina pret fituesin e çiftit Venezuelë - Kanada për të mësuar rivalin në gjysmëfinale.