"Brenda këtij viti nuk do të ketë më mësim me dy turne për shkollën tuaj, por ju do të mësoni në një godinë tërësisht të re dhe me kushte moderne". Kështu është shprehur Emiriana Sako, kryebashkiakja e Durrësit dhe njëkohësisht kadidate e PS për zgjedhjet e 14 majit, në takimin e zhvilluar me nxënës dhe maturantë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” të qytetit të Durrësit. Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej nga deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu. Duke evidentuar faktin se shkolla e mesme Naim Frashëri është një nga dy shkollat më të mira të Durrësit, me histori dhe traditë në arsimimin e brezave, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako tha duke iu drejtuar maturantëve se duam besimin dhe mbështetjen tuaj për të vazhduar edhe në mandatin e dytë me shumë projekte të tjera për të rinjtë, nxënësit e shkëlqyer e sportistët.
"Qyteti i Durrësit me mbështetjen e kryeministrit Rama ka bërë të mundur hapjen e një vizioni për zhvillimin e qytetit siç janë portet, stadium që do të jetë pol zhvillimi i ri por edhe shumë projekte të reja në infrastrukturë. Punët e mira nuk bëhen vetëm. Por nëse kemi mbështetjen tuaj e bashkëpunimin me ju dhe arrini të përcillni zërin e kërkesat tuaja në Bashki do hapim kapitull të ri në zhvillimin e qytetit tonë", tha Sako.
Në bashkëbisedimin me këta të rinj votues për herë të parë, kryebashkiakja Sako i është përgjigjur pyetjeve të tyre, që lidheshin me terrenet sportive, parqet, hapësirat e gjelbra, bibliotekën etj. Sako u ka shpjeguar me detaje të pranishmëve projektin për ndërtimin e stadiumit të ri, rikonstruksionin e pallatit të sportit “Ramzan Njala”, parkun Vala në lagjen 18 si dhe rikualifikimin e hapësirave të lulishteve pranë muzeut dhe në lagjen 18.
Lajmi kryesor:
Dita e 8-të e fushatës/ Kandidatët ‘derë më derë’, shtrëngojnë duart me qytetarët dhe bëjnë premtime
//ReportTv.al