Rëndohet pozita ligjore për kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj, ndaj të cilit tashmë është regjistruar një procedim i ri. SPAK njoftoi pasditen e kësaj të enjteje se ka regjistruar një procedim të ri penal ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, pasi është arritur në përfundimin se ekzistojnë të dhëna konkrete që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi pasuri të padeklaruara, të lidhura me çiftin, pranë rezidencës “Kodra e Diellit”, ku ata jetojnë aktualisht.
Kryebashkiaku Veliaj u arrestua në 10 shkurt të këtij viti nën dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ai i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur pretendimet e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas njoftimit zyrtar të pasdites së sotme, është vënë nën sekuestro një apartament dhe një shtesë prone te “Kodra e Diellit”. Pronat e identifikuara nga Prokuroria e Posaçme, rezultojnë të jenë ngjitur me apartamentin që Veliaj zotëron te Kodra e Diellit. Ato figurojnë të riregjistruara në emër të subjektit tregtar “Agikons Shpk", kompanisë që ka ndërtuar kompleksin e banimit, por sipas prokurorëve “ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, kanë interesa pasurore faktike” mbi këto dy pasuri.
Akti i ri vjen ndërsa kryebashkiaku, dy ditë më parë iu drejtuar Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Më herët Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi mbajtjen e tij në arrest.
Ndaj bashkëshortes së kryebashkiakut, Prokuroria ka ngritur dyshime për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Në fillim të muajit maj, asaj iu komunikua dhe regjistrimi i një procedimi penal për një rast tjetër të fshehjes të së ardhurave.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart.
Në vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme:
Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, regjistruar në ASHK në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk;
Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Erion Veliaj
Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës në një reagim pas procedimit të ri nga SPAK, thanë se çifti i bashkëshortëve Veliaj-Xoxa nuk janë pronarë të apartamentit të sekuestruar te Kodra e Diellit. Avokatët theksojnë se organi i akuzës është në të drejtë ligjore të hetojë por dyshimet duhet t’i bazojë në prova konkrete.
Çdo përpjekje për të deformuar realitetin sipas tyre është sulm ndaj figurës publike të kryebashkiakut, thonë ata dhe paralajmërojnë se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës”. Në deklaratë, avokatët theksojnë se Veliaj dhe Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para, edhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Deklarata e plotë e avokatëve të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës
Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:
As z. Erion Veliaj dhe as znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kësaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Pasuria e paluajtshme në pronësi të znj. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.
Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.
Z. Veliaj dhe znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para, edhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse.
Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të z. Veliaj, për çka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.
Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të krijuar komshinjve të çiftit Veliaj-Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre është se banojnë në të njëjtin pallat me këto të fundit.
Komente

O dum duman a ka llogjike kjo qe thoni ? A eshte e Erionit po apo jo .Prokurori po meret me fjale grash , kuptohet qe prokurorit i ka rene ne koke Arjola dhe nuk ja ariti qellimit dhe do te hakmeret .Do ta presim deri ne fund kete hetim te aspakut .
Përgjigju