Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi hodhi akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani se ka mbajtur në “sirtar” dosjen për bandën e Durrësit, duke e goditur pas zgjedhjeve. Shënjestroi gjithashtu edhe deputetët e opozitës, teksa tha se nuk duhet të merren me ministren virtuale Diella por të denoncojnë kryeprokurorin.
“Zoti Dumani kur u bë kryeprokuror, për të gjithë gazetarët dhe parlamentarët opozitarë që harxhojnë kohën dhe merren me Diellën dhe bëjnë lojën e Edi Ramës, pse nuk bëjnë ditën që është shënuar ky kryeprokuror. Sa kilogramë drogë është hapur në Portin e Durrësit? Zero! Domethënë se kur erdhi vendimi i Gjykatës së Antimafias për bandën e fortë të Durrësit për t’u arrestuar që në shkurt, u mbajt tre muaj në zyrat e SPAK, më pas u vënë zgjedhjet, u përdorën për të nxjerrë rezultatet e zgjedhjeve dhe më pas pas i përdorën të gjithë grupet kriminale me Task Forcën e famshme të SPAK. Pasi edhe i njoftuam ditën që dilte urdhri për arrest, hanin e pinin bandat nëpër restorante. Po deshe iu them edhe emrin e restorantit, dhe më pas i hipën avionët dhe u larguan të lumtur në drejtime të paditura. Kjo është ajo që duhet të bëjë opozita. Mos do të thoni se jam këtu për personale, politik është gjyqi im.”, tha Kryemadhi.
Lajmi kryesor:
Shtyhet më 9 tetor seanca paraprake për dosjen ‘Meta’, avokati i sëmurë! Kryemadhi: Gjyqi im politik, SPAK intimidon dëshmitarët (VIDEO)
Xh.D/I.M/ReportTv.al
