Politikë

Rama prezanton ministrin Lamallari: Drejtësia, krijesë në rritje, duhet standard! Diella në të gjithë sektorët publikë

20 Shtator, 11:20| Përditesimi: 20 Shtator, 22:38

  • Share

“Diella” nuk do të jetë i vetmi personifikim i inteligjencës artificiale në mandatin e 4 të qeverisë Rama. Kryeministri paralajmëroi se përveç tenderëve, ata që në mënyrë simbolike i quajti bijë të “Diellës”, do të mund të shtrihen edhe në sektorë të tjerë publikë, për të reformuar shërbimin publik.

***

Me Besfort Lamallarin në krah, ministrin e ri të Drejtësisë, nga institucioni të cilit i ka kërkuar të bëjë gati dosjet me shkeljet në vendimet e magjistratëve, disa prej të cilëve të kritikuar publikisht nga vetë ai, Kryeministri Edi Rama përcolli edhe një herë mesazhin, se përse këto qëndrime të tijat, nuk janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Nuk është e thjeshtë të rritet krijesa e një drejtësie e të pavarur në një shtrat të përgjakur të një drejtësie që s’ka qenë kurrë as e lirë, por ka qenë masë e interesave të pushtetit politik. Çfarë duhet të bëjmë është të përmirësojmë standardet”.

Duke e vlerësuar mision kombëtar një drejtësi të pavarur si garante për rrugën drejt BE-së, Kryeministri foli për sektorët e tjerë publikë, përveç tenderëve, ku ministrja virtuale “Diella” do të veprojë.

“Do të duhen disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz, që Diella do i lindë në maternitetin e Inteligjencës Artificiale. Ndërmjetësim me Inteligjencë Artificiale të çështjeve civile, që njerëzit mos harxhojnë lekë e kohë nëpër procese të pafundme, pastrimi i legjislacionin tonë nga mbivendosjet. Kemi një xhungël ligjesh dhe VKM që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ashtu siç mund të na dalë që mund të jemi peng i ndonjë ligji të ’56”.

 Ministri i sapozgjedhur i Drejtësisë, shpalosi prioritetet.

“Miratimi i paketës ligjore që lidhet me standardet e reformës në Drejtësi, dhe angazhimet që kemi marrë përballë BE,  për mbylljen me sukses të Kodit Penal, Kodit Civil, mbylljen me sukses të procedurave dhe kjo do të shërbejë standardeve më të mira për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, por edhe të një sistemi drejtësie më efecient, dhe llogaridhënës. Gjithashtu një element i rëndësishëm është digjitalizimi i sistemit të integruar në gjitha prokuroritë dhe gjykatat, në mënyrë që të kemi një sistem më transparent dhe angazhimeve që kemi marrë drejtë Komisionit Europian, për shtetin e së drejtës”.

Ora 16:22
Manja: I bindur se Besfort Lamallari do ta çojë një stad më lart punën në krye të Ministrisë së Drejtësisë

1758378302_54962333713289138259116794366089305349783939n.jpg

Pasi i kaloi zyrtarisht stafetën Besfort Lamallarit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Ulsi Manja shkruan në Facebook se 4 vite në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete për të.

Ndërsa më tej, Manja shkruan se Lamallari do ta çojë më tej punën e nisur dhe do ta ngrejë në një stad të ri.

Postimi i plotë:

Kalim stafete, por kauza mbetet e njëjtë!

Sot përfundon zyrtarisht mandati im si Ministër i Drejtësisë. Katër vite intensive në krah të Kryeministrit Edi Rama kanë qenë një shkollë jete – me sfida të mëdha dhe përvoja të vyera. Falenderoj veçanërisht Kryeministrin për besimin dhe mbështetjen, dje si Ministër dhe sot si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend.

Stafetën e Ministrit të Drejtësisë e merr miku im Besfort Lamallari, një kontributor i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Jam i bindur se ai do ta çojë më tej punën e nisur dhe do të ngrejë në një stad të ri arritjet tona, ku “qershia mbi tortë” mbetet hapja e negociatave për grupkapitujt themelorë.

Jam thellësisht mirënjohës stafit të përkushtuar të Ministrisë së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë. Nga sot, kontributin tim do ta jap nga një këndvështrim tjetër – si Kryetar i Komisionit të Ligjeve – në kodifikimin dhe përputhjen e legjislacionit tonë me atë të BE-së.

Postet ndryshojnë, por kauza mbetet e njëjtë: Shqipëria 2030 në BE.

Ora 12:29
I dorëzoi stafetën, Manja-Lamallarit: Më ke në dispozicion për këshilla, mos më kurse

 

Ulsi Manja ditën i sotme i ka dorëzuar zyrtarisht Besfort Lamallarit detyrën e Ministrit të Drejtësisë.

Manja falenderoi kryeministri Edi Rama dhe i tha ministri të ri, se është në dispozicionin e tij nëse Lamallarit do t’i duhet ndonjë këshillë.

“Faleminderit kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen e dhënë përgjatë këtyre 4 viteve.

Falë kësaj mbështetje në kemi bërë mjaft punë të mira në shërbim të qytetarëve por edhe rrugës europiane të Shqipërisë dhe është e udhës sot që në emër të stafit të ministrisë, ju falënderoj për mbështetjen.

Gjithashtu, dua të falënderoj stafin tim në Ministrinë e Drejtësisë për punën e bërë. Meqë e kemi kryeministrin sot këtu, do të them që kam qenë me fat që kam punuar me ju dhe ta dijë edhe kryeministri, jeni stafi më i madh në administratën publike dhe për mua do të mbetet aset i shkëlqyer i shteti shqiptar.

Në këtë rast ju bëj një ftesë që me të njëjtin përkushtim, t’i qëndroni në krah ministrit të ri të Drejtësisë, mikut tim Besfort Lamallari, i cili vjen në krye të kësaj ministri për të çuar më lart punët që kemi nisur. Për të mbyllur brenda vitit 2027 negociatat me BE, ku pesha më e madhe është e kësaj ministrie.

Unë dua të uroj suksese për këtë detyrë dhe kam bindjen që do të ja dalësh me sukses. Mua më ke në dispozicion dhe në çdo rast që do të nevojitet një këshillë apo mendim, tashmë falë kësaj përvojë që kam prej 4 vitesh, më ke në dizpocion dhe mos më kurse”, tha Manja.

Ora 12:20
‘Diskutohet sot si do vjedhë Diella’, Rama shpjegon si do funksionojë ministrja virtuale: Do i duhen bashkëpunëtorë, do i lindë në maternitetin e AI

 

Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari shpjegoi ndër të tjera si do përzgjidhen tenderat tani që në krye është një ministër virtuale.

"Në dy faza ka dobësi, e para janë termat e referencës që mund të bëhen të orientuar siç ishte një tender epik para se të merrnim detyrën, ku për të bërë tunel ishte vënë kriter të ketë eksperiencë edhe në sisteme muzikore, dhe natyrisht i shkon dikujt që ka instaluar foninë në ndonjë miting.

E dyta, të gjitha dokumentet pafund që bëjnë kompanitë dhe mbledhin lart e poshtë për shkruar ndonjë tender janë fakte publike. Pra ekzistojnë në sistemin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Sa punonjës ke? E kanë në Sigurimet Shoqërore, e kanë Taksat. Sa xhiro ke? Sa kështu ke? Sa ashtu ke? Sa makineri ke? Të gjitha këto janë dhe Diella do i mbledhin vetë. Nuk ka nevojë fare të shkojnë njerëzit lart e poshtë, edhe t'i mbledhin, bëjnë dosjet, pastaj del një anëtar komisioni edhe thotë: “Jo, nuk e ke me vulë të freskët”. Do ti mbledhi të gjitha vetë.

Pra, termat e referencës transparent dhe të barabartë dokumentacioni mblidhet në mënyrë uniforme për të gjithë dhe në fund është oferta. Oferta flet vetë, ashtu sikundër të gjitha ato kritere që janë kritere të cilësisë, askush nuk i gjykon dot më objektivisht se sa Inteligjenca Artificiale, bazuar te të gjitha këto dhëna që thashë, kaq e thjeshtë është, në të thënë, është shumë e komplikuar në të bërë. Gjitha arkitektura  e sistemit tani është ndërtuar dhe tani do të ecet me implementimit. Do të duhen edhe disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz prapë, që jemi shumë besimplotë, “Diella do t'i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”. Kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë shkencë të madhe", përfundoi Rama.

Ora 12:15
‘Shumë shpejt ministra virtualë’ Rama u përgjigjet kritikave për Diellën: Kur je hajdut, të rri mendja si do vjedhë ai tjetri gjënë që s’të bie ty rruga

 

Gjatë prezantimit të Ministrit të Drejtësisë, kreu i qeverisë tha se teknologjia digjitale dhe IA janë bekim për vendet në zhvillim.

"Sot bëhet diskutimi se si ka mundësi, ca është ky provokim, mëkat, ca është kjo çmenduri. Ministër shteti jo njeri. Unë mendoj që në një kohë me të shkurtër, Ministri jo njeri nëpër qeveri do jetë një normalitet. Do vijë shumë shpejt. Ne mund ta bëjmë dhe mund të jemi të shpejtë në procese që lidhen me AI, për të arritur ti shërbejmë shumë më mirë publikut. Diskutohet sot si do vjedhë Diella. Kur je hajdut aty të rri mendja si do vjedhë ai tjetri atë gjënë që ti do ta vjedhësh për vete por s’të bie rruga andej. Si shkon mendja një njeriu normal, por vetëm atyre që kanë vjedhur, ose do vidhnin nëse do i caktonte njeri në vend ta Diellës", tha Rama.

Ora 12:12
Rama paralajmëron shtrirjen e Inteligjencës Artificiale: Diella do të ketë fëmijë, do ndërmjetësojnë çështjet civile të njerëzve

 

Futja e Inteligjencës Artificiale në të gjitha Ministritë dhe institucionet, duket se është një nga prioritetet e qeverisë Rama 4.

Kryeministri, teksa prezantoi ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, bëri të ditur se një nga punët e kësaj Ministrie do të jetë ndërmjetësimi me Inteligjencë Artificiale i çështjeve civile të qytetarëve.

Kështu, sipas Kryeministrit, do të ketë më shumë zyrtarë të krijuar përmes Inteligjencës Artificiale, që Rama i quajti fëmijët e Diellës.

“Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me Inteligjencë Artificiale të çështjeve civile, që njerëzit mos harxhojnë lekë e kohë nëpër procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procesin e ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do ketë së shpejti. Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale janë bekimi i vendeve në zhvillim. Sepse bëjmë kapërcime që nuk kurrë nuk do t’i bënim në kushtet e procesit linear”, tha Edi Rama.

 

Ora 12:08
Lamallari mban fjalimin e parë si ministër Drejtësie: Mbyllja e Kodit Penal dhe Civil, prioritet kryesor

 

Besfort Lamallari ka folur për herë të parë si ministër i Drejtësisë, ku ka falenderuar kryeministrin Edi Rama dhe paraardhësin e tij Ulsi Manja.

Lamallari gjithashtu ka deklaruar se marrja e angazhimeve kundrejt Bashkimit Europian, do të jenë detyrat kryesore të tij si Ministër i Drejtësisë.

“Shumë faleminderit zoti kryeministër për besimin e dhënë. Ju siguroj që do të ndjek të njëjtën praktikë më stafin tim, për të inkurajuar të gjithë ata që ndajnë të njëjtat cilësi për realizimin e programit qeverisës.

Falenderoj publikisht ministrin Ulsi Manja për punën e bërë por edhe për bisedat që në kemi pasur gjatë këtyre ditëve, të cilat ma bëjnë mjaft komode marrjen e stafetës prej tij.

Një burrë i mençur më ka thënë që të duhet një ekip për të bërë sukses, ose një sukses për të bërë një ekip. Unë kam dëgjuar po parë edhe vetë punën përgjatë komisionit të Integrimit europian për kapitujt 23 dhe 34, dhe do doja ta shikoja të njëjtën aktivitet, profesionalizëm dhe shpejtësi për të arritur prioritet e qeverisë shqiptare dhe angazhimet e marra ndaj Bashkimit Europian.

Miratimi i paketës ligjore që lidhet me standardet e reformës në Drejtësi, dhe angazhimet që kemi marrë përballë BE,  për mbylljen me sukses të Kodit Penal, Kodit Civil, mbylljen me sukses të procedurave dhe kjo do të shërbejë standardeve më të mira për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, por edhe të një sistemi drejtësie më efecient, dhe llogaridhënës.

Gjithashtu një element i rëndësishëm është digjitalizimi i sistemit të integruar në gjitha prokuroritë dhe gjykatat, në mënyrë që të kemi një sistem më transparent dhe angazhimeve që kemi marrë drejtë Komisionit Europian, për shtetin e së drejtës”. tha Lamallari.

Ora 12:05
Rama: Do pastrojmë legjislacionin nga mbivendosjet përmes Inteligjencës Artificiale

 

Një nga detyrat e Ministrisë së Drejtësisë në këtë 4-vjeçar të ri qeverisës, do të jëtë edhe pastrimi i legjislacionit nga mbivendosjet.

Kështu u shpreh Rama gjatë prezantimit të ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Sipas Kryeministrit, pastrimi i legjislacionit nga mbivendosjet do të bëhet përmes Inteligjencës Artificiale.

“Kjo Ministri është njëra nga vatrat e aktivitetit të Inteligjencës Artificiale, qoftë me transferimin e korpusit ligjor të BE në korpusin ligjor të Shqipërisë, i cili falë Diellës po zhvillohet me një shpejtësi të panjohur për këtë proces.

Paralelisht është projekti tjetër që kemi nisur me ministrin, pastrimi i legjislacionin tonë nga mbivendosjet. Kemi një xhungël ligjesh dhe VKM që kundërshtojnë njëra-tjetrën e që janë bërë në shumë vite. Ashtu siç mund të na dalë që mund të jemi peng i ndonjë ligji të ’56. Do jetë një gjë e jashtëzakonshme që me njerëz nuk bëhet dot.

Por duhet të shkojmë dhe më tutje. Menaxhimi i çështjeve gjyqësore, që më në fund po hyn në rrugë”, tha Kryeministri Edi Rama.

Ora 11:53
Negociatat me BE, Rama tregohet i sinqertë: Kisha frikë se do linim nam, por administrata jonë mori duartrokitje

 

Teksa prezantoi ministrin e ri të Drejtësisë Besfort Lamallari, Kryeministri Edi Rama vlerësoi administratën publike të Shqipërisë, që sipas tij, puna e së cilës doli në pah gjatë procesit të hapjes së negociatave me BE-në në Bruksel, ku mori duartrokitje dhe vlerësime.

Sipas Ramës, edhe vetë ai ishte i pasigurt se si do të përballohej fluksi i punës nga administrata shqiptare pas hapjes së negociatave. Siç u shpreh dhe vetë, mbeti i surprizuar nga kjo punë dhe kërkoi të njëjtin angazhim çdo ditë.

“Ministria ka një barrë shumë të madhe në procesin e negociatave të anëtarësimit. Është pozitive që në krye vjen një ndër negociatorët tanë më të dalluar, i cili ka mbuluar atë pjesë të llogores së negociatave që i përkiste Ministrisë së Brendshme. Por këtu ka kapacitete dhe këtu janë edhe sfidat që lidhen me themeloret. Përtej kësaj, Ministria e Drejtësisë ka edhe plot sfida të tjera që lidhen me sistemin penitenciar, me gjithë problematikat dhe nevojat e atij sistemi ku është bërë një punë e jashtëzakonshme, por ku nuk duhet të na interesojë çfarë është bërë, por çfarë do bëjmë dhe mundësitë janë që të bëjmë shumë dhe më mirë. Ambicia dhe dëshira nuk kanë rënë, por janë edhe më të mëdha sot.

Suksesi ynë varet shumë nga kontributi i secilit prej jush. Negociatat për anëtarësimin, neve na kanë vënë para syve një realitet që nuk e njihnim siç duhej. Realitetin e një fuqie profesionale të konsiderueshme në administratën tonë publike. Sepse ballafaqimi ynë me Brukselin nuk të lë të fshihesh as të mundëson që të bësh makijazh. Di apo s’di! E bën apo s’e bën! Afro 1000 vajza e djem të shërbimit tonë civil dhe të institucioneve të përballeshin me procesin e skanimit të situatës dhe të çonin në çeljen e negociatave duke marrë duartrokitje nga Brukseli kjo ishte surprizë shumë e mirëpritur. Ndërkohë që frika ime ishte çfarë do bëjmë kur të hapen negociatat se do lëmë nam.

Edhe unë isha i influencuar nga e gjithë thashethemnaja e përditshme dhe marrja nëpër gojë dhe fjalët e pamerituara që qarkullojnë nëpër gjithë kanalet e infektuara të informacionit për administratën tonë. Të dilte me duartrokitje, kjo është arsye shumë e fortë për t’u ndjerë të motivuar dhe mund të bëjmë shumë më tepër e shumë më mirë. Të gjithë ata që morën pjesë ishte një provim sfidues. Këtë lloj sfidimi të fortë duhet t’ja bëjmë vetes çdo ditë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Ora 11:43
Rama: Nuk është e thjeshtë të rritet krijesa e një drejtësie të pavarur, e gjetëm në një shtrat të përgjakur

 

Në prezantimin e ministrit të ri, Besfort Lamallari si Ministër i Drejtësisë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te sistemi i drejtësisë. Kreu i qeverisë theksoi se është e vështirë që një drejtësi e pavarur të lindë  e të rritet në një shtrat të përgjakur.

"Tek drejtësia bëhet dallimi mes një hapësire me liri dhe një hapësire ku liritë dhe të drejtat demokratike jane relative dhe gëzimi ose jo i tyre varet nga rrethana jashtë frymës dhe gërmës së kushtetutës e ligjit. Ju i shihni nga afër të gjitha vështirësitë qe materializohen edhe në dhimbje të mëdha. Dhimbje të mëdha si rezultat i shkeljes së lirive, të drejtave, frymës dhe gërmës së kushtetutës, në një proces që është proces lindjeje e vështirë. Nuk është e thjeshtë të lindë dhe të rritet krijesa e një drejtësie e të pavarur në një shtrat të përgjakur e  të ndotur  prej 100 e kusur vitesh e një drejtësie që s’ka qenë kurrë as e lirë as e pavarur, por ka qenë masë e interesave të pushtetit politik.

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, nuk ndryshojmë në këtë pikë, jemi të detyruar që këto lloj dhimbjesh, që ndryshe nga ju këtu, na i bie ti përjetojmë edhe si pjesë të qenies sonë, politike, qoftë kur dikush ndër ne mëkaton për përfitime të paligjshme, qoftë kur mëkaton drejtësia e pavarur, duke përdorur forcën, ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër, asnjë rrugë tjetër. Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë bashkërisht është të përmirësojmë standardet, gjë që materializohet në punën e madhe të Ministrisë së Drejtësisë.", tha Rama.

Ora 11:42
“Nuk kemi ndërhyrë në asnjë çështje”/ Rama: Drejtësia e pavarur, garantuese për Shqipërinë në BE

 

Gjatë prezantimit të ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryeministri  Edi Rama apeloi se drejtësia është një hallkë e rëndësishme për shtetin shqiptar.

Rama tha se drejtësia në vendin tonë është e pavarur dhe se pushteti ekzekutiv duhet të mbajë duar larg saj.

“Pushteti gjyqësor është një pusht i pavarur nga ekzekutivi në letër, dhe prej disa vitesh në realitet.
Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuari për gjithmonë, dhe jemi ne që duhet ta konsolidojmë në këtë fazë dhe të mbajmë duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve.

Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast, në përmbajtën e një çështje që është marrë drejtësia, dhe nuk do ta bëjmë sot dhe as nesër. Aq më tepër ku drejtësia nuk e ka thënë fjalën e fundit.

Kjo është shumë  e rëndësishme për të gjithë ju, sepse ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare diferencën: a do të jetë Shqipëria me një drejtësi të pavarur si çdo vend i BE, të garantuar njëherë e mirë apo do të kthehet pas dhe të vërë në dyshim integrimin Europian. Kjo bëhet për të ardhmen tonë.

Sepse largimi i duarve i pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, seleksionim, përzgjedhje apo promovimi i prokurorëve dhe gjykatësve, është një garanci për të ardhmen e vendit tonë”, tha Rama.

V.GJ /S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mjaft me "Dekllarata"!: 20/09/2025 13:25

    Duke qene se Edi Rama, kryeministri i Shqiperise ne mandatin e 4-et, plot 12 vite ne pushtet (2013-2025) e ndoshta 4 a me shume vite te tjera ....., shprehet "i qarte" e i sigurt se kush eshte 'Diella', se cfare gjinie/seksi eshte (se fundmi i ka fryre edhe perparesen ...), se sa femije ka/do linde dhe cilat role/funksione do te mbulojne ata/ato, cilin vend pune do te kene, nga kush do te krijohen/qeverisen/asistohen, cfare objektiva pune, e deri cilat rezultate do te arrijne, heq cdo dyshim qe, i gjithe ky proces/procedure eshte teknikisht i kontrollueshem. Eshte si te besosh qe "dhelperat/dhelperushet" e konfimuar e/o ricikluar si ministresha/ministryshet ne Qeveri, do te heqin dore vullnetarisht nga ngrenia e pulave e pulastrenave ne 'Kotecet' e Buxhetit e/o ate tjetrin te Pushtetit(?!). Eshte si nje llangosje e ricikluar e 'Epopese se Ballit Kombetar' te servirur "me kujdes" nga 'One Man Show 2013-2025'.

    Përgjigju
  • Askushi: 20/09/2025 12:57

    Mos harro t i gjesh dhe burre dielles dhe pastaj hyyyyp xhixhi drejt e ne martenitet.

    Përgjigju
  • Mjaft me "Dekllarata"!: 20/09/2025 12:10

    Sot ne 20 shtator 2025, pas e mandatesh e plot 12 vitesh Kryeminister, na e ke bere 2013-en si Enveri 1938-en!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?