Jo vetëm Shqipëria, por gjysma e Evropës po përballet me situatën e vështirë të zjarreve këtë verë.
Kritikave të qytetarëve përse Shqipëria nuk posedon avionë zjarrfikës, Kryeministri Rama iu përgjigj duke sjellë shembullin e Spanjës dhe të Turqisë që aktualisht po përjetojnë flakët e ‘ferrit’.
Sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Evropës, gjatë muajit gusht, janë djegur më shumë se dyfishi i mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit.
Spanja dhe Turqia, të cilat kanë kapacitete shumë të mëdha për të luftuar zjarret, janë në situatë të vështirë, shpjegoi Rama.
“Në gusht janë djegur 440 mijë hektarë në territorin e Europës dhe pjesa dërrmuese e tyre në territorin e Europës jugore. Bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Ne mund të flasim shumë, ne mund të japim shumë mendime, disa mund të thonë duhen avionë më shumë, por po flasim për fuqi të mëdha. Spanja është një nga fuqitë më të mëdha të NATO dhe është përballur me një situatë shumë të rëndë. Turqia ka 55,500 njerëz të evakuuar në këto momente që flasim. Dhe dihet se çfarë avionësh, dronësh e ushtarë ka Turqia. Duhet një reflektim i vockël për të mos bërë menjëherë nxjerrjen e konkluzioneve dhe për të kuptuar që patjetër ka gjëra që duhen bërë më shumë më mirë, që duhen përmirësuar, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret. Ky është një fenomen që po shkon duke u bërë gjithmonë e më prezent dhe po ju them që në mes të korrikut të dhënat e Sistemit Europian të Zjarreve në Pyjeve tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën brenda kufijve të BE që do të thotë rreth 117% mbi mesataren e 20 viteve të fundit, më shumë se dyfishi. Dhe nuk mund të thuash që në ato vende nuk ka avionë. Këtë herë kemi pasur në dispozicion forca ajrore më shumë se çdo herë tjetër”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Lajmi kryesor:
Zjarret, Rama: 207 shtëpi të dëmtuara, 40 të djegura plotësisht! Do dëmshpërblejmë të gjithë të prekurit, edhe për 3 619 krerët e bagëtive të humbura
V.GJ /E.H/ReportTv.al
