Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në eventin e prezantimit të eventit sportiv “Giro d’Italia 2025”, nisja e madhe e të cilit do të jetë nga Shqipëria.
Gjatë fjalës së tij në eventin prezantues të “Giro d’Italia”, në Auditorium Parco della Musica Ennio Morricone, Rama tha se kjo është një përrallë e shndërruar në realitet, duke marrë parasysh se 30 vite më parë shqiptarët e dëgjonin nga radio këtë aktivitet.
Kryeministri u shpreh se sporti italian ka pasur influencë të jashtëzakonshme në Shqipëri.
‘Është një nder të jem këtu dhe t’i bashkohem kësaj experience të vecantë që bashkon më shumë Shqipërinë me Italinë. Kisha dëgjuar që ishtë shumë e vështirë të arrije një marrëveshje me Presidentin Cairo, por duhet të them që me RCS e kemi bërë, dhe nëse Groelanda do më pyeste do t’i thosha merrni Cairon për të negociuar me Trump. Do të ishte si një barazim i Juve i kohëve të fundit.
Sporti italian ka pasur një ndikim të madh në Shqipëri. Gjatë kohës së komunizmit ne kemi qenë totalisht një vend i mbyllur dhe më kujtohet që ndiqnim në radio Giro d’italia. Dhe na ka bërë të vetëdijshëm që nga ana tjetër e detit ka një jetë tjetër. Të jem këtu me ju sot dhe të shikoj Shqipërinë të përfshirë është si një përrallë, dhe po flas për gjëra që i kam jetuar dhe jo që i kam lexuar’, tha ai.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri italian Antonio Tajani, u shpreh se të nisësh Giro d’italia nga Shqipëria, është si ti thuash shqiptarëve që ne jemi gati t’ju presim në Bashkimin Europian.
'Kemi një zyrë të posaçme në ministri që i jep jetë diplomacisë sportive që kemi menduar ta zhvillojmë më shumë. Sporti nuk është vetëm një instrument social. Giro d’italia ka vendosur të nisë nga një vend mik si Shqipëria, dhe i jep një sinjal të fortë mbështetje vendeve të ballkanit perëndimor, që ne duam të futen sa më shpejt në BE. Ka një vlerë sporti edhe si strategji politike, të politikës sonë të jashtme. Ta nisësh Giro d’italia nga Shqipëria, është si ti thuash shqiptarëve që ne jemi gati t’ju presim në BE, dhe përmes Shqipërisë gjithë ballkanit', tha ai.
Gara e famshme popullore, me një traditë 114 vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues. “Giro d’Italia”, do të transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.
Tre etapat e nisjes
Tre etapat e nisjes së 'Giro D'Italia' në Shqipëri do zhvillohen nga 9-11 maji 2025. Tre janë itineraret që do të ndiqen, ku spikat ajo e ditës së tretë që nis nga Vlora, përshkon një pjesë të mirë të bregdetit të jugut dhe përfundon po në Vlorë.
Itinerari, dita e parë
9 maj 2025 - gjatësia 164 kilometra
Nga Durrësi në Tiranë, kjo do jetë nisja e parë e garës së çiklizmit që do hapë 'Giro D'Italia' 2025. Nisja do jetë në Durrës, për të kaluar në drejtim të Bishqem Fushë, Papër, Gracen dhe më pas për të përshkruar rrugën që të çon në Surrel dhe gjithë malin e Dajtit e më pas Tiranë.
Itinerari, dita e dytë (Kronometër)
10 maj 2025 - gjatësia 13.7 kilometra
Nisja në Tiranë dhe fundi po në Tiranë. Kjo do jetë një garë e tipit fushor dhe qytetas, që do përshkojë gjithë Tiranën. Me nisje nga sheshi "Skënderbej", në 13.7 kilometrat e garës do përshkohen rrugët kryesore të qytetit dhe do ketë gara të kronometruara për shpejtësinë.
Itinerari, dita e tretë
11 maj 2025 - gjatësia 160 kilometra
Nisja në Vlorë dhe fundi po në Vlorë. Itinerari i tretë do jetë më i rëndësishmi, për shkak të tipologjisë malore dhe supermalore të garës. Gjithçka në 11 maj 2025 nis nga Vlora dhe përshkon një pjesë të madhe të bregdetit të jugut. Vlorë - Peshkëpi - Qafa e Dushkut - Brataj - Qafa e Shkallës - Porto Palermo - Himarë - Qafa e Vishës - Iliaz - Qafa e Llogarasë - Orikum dhe fundi po në Vlorë.
Z.Rama,perse nuk ua kujton shqipove se sa i pagoi qeveria,ose shteti shqiptar Italise qe /Giro'd Italia/te filloje nga Shqiperia?! Tregouja pak, se ndoshta e kane harruar,si kane kushtuar rendesine e duhur,ose nuk e dine!
Përgjigju7 miljon euro qirasje. Spitali Onkologjik pa ilace....
Përgjigju