Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme, më 5 qershor, raportojnë mediet italiane.
Vizita e kryeministres Meloni vjen në kuadër të Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri, ndërkohë që vijojnë dhe punimet për kampin e emigranteve që do të sistemohen në Shëngjin në kuadër të marrëveshjes për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pritet që veç takimit me kryeministrin Edi Rama, Meloni të inspektojë dy qëndrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës ku kanë nisur punimet prej gati dy muajsh. Nga ana tjetër, media ANSA shkruan se Meloni mund të mos shkelë as në Tiranë në vizitën e shkurtër edhe pse agjenda e takimeve nuk është finalizuar ende.
Pakti për emigrantët u firmos në Romë më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Rama dhe Meloni, edhe duke u ratifikuar në parlamentin e të dyja vendeve. Marrëveshja ka një afat 5-vjeçar, ku emigrantët që tentojnë të hyjnë në Itali do të sillen në Shqipëri, në Gjadër dhe në Shëngjin të Lezhës ku po ngrihen strukturat akomoduese të tyre deri në pritje të miratimit të kërkesë për azil apo dëbimit të tyre në atdhe.
Kapaciteti maksimal është 3 mijë emigrantë dhe procesi i verifikimit dhe procedurat e përshpejtuara për azil nuk do të zgjasin më shumë se 28 ditë. Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.