Kryeparlamentarja Nikolla në Samitin e NATO-s: Kemi fituar besimin e SHBA dhe vendeve të Aleancës! Kemi shërbyer në mbrojtje të Ukrainës

9 Korrik, 16:24| Përditesimi: 9 Korrik, 19:52

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mbajti fjalën e saj në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, zhvilluar në Uashington DC. Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Nikolla thekson se Shqipëria ka fituar besimin e SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s si partner i besueshëm.

'Shqipëria, si një vend anëtar i ri në NATO, është rasti kuptimplotë që provon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, niveli i zhvillimit, historia e jetëgjatësia në Organizatë, por nga angazhimi i sinqertë për paqe, siguri dhe liri.   

Ne, shqiptarët, kemi fituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të anëtarëve të tjerë të NATO-s me angazhimin tonë të qëndrueshëm dhe të vendosur në zbatimin e vendimeve të Aleancës.

Një tjetër provë e besimit të Aleancës tek Shqipëria është fakti se pak muaj më parë, më 4 mars, një bazë e re ajrore taktike e NATO-s filloi të funksionojë në vendin tonë.'

Nga ana tjetër, Nikolla nënvizon faktin që Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj në NATO si një ndër parlamentet e para në vendet anëtare.

'Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para të vendeve anëtare të Aleancës që ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj. Këtë e kemi bërë të udhëhequr nga vizioni që një anëtar i ri është një kontribues më shumë për paqen, sigurinë dhe demokracinë, të cilat mbështesin njëra-tjetrën.

Investimi në paqe dhe siguri nuk sjell sigurokraci. Përkundrazi, ai nxit procesin, institucionet dhe vlerat demokratike. Ne, në Ballkanin Perëndimor, e ndiejmë këtë më shumë.

Kjo sinergji është më domethënëse atëherë kur kërcënimet e luftës janë të dukshme, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe situatës në Lindjen e Mesme.'

Më tej ajo shtoi se si vend anëtar Shqipëria ka mbështetur dhe mbështetur Ukrainën ndaj pushtimit rus.

'Shqipëria, si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka shërbyer si bashkë-pene-mbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve në mbrojtje të Ukrainës. Ne u bashkuam me dhe mbështetëm, sa më mirë që mundëm, veprimet e qarta dhe të shpejta të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, veprime që treguan forcën dhe kohezionin e Aleancës.

Në librat e shenjtë shkruhet “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar një botë të tërë”. Shqipëria është përkrah NATO-s dhe të aleatëve tanë kryesorë, SHBA dhe BE, e bindur se lufta ndaj terrorizmit, bazave të tyre, mbështetësve të tyre dhe ekstremizmit të dhunshëm, është lufta për jetën.'

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?