HIMARË- Bashkia Himarë, nga kjo e premte ka në detyrë kryetarin e tretë brenda 3 muajve. Pas dorëheqjes së Blerina Balës, Këshilli Bashkiak i Himarës emëroi me 12 vota pro kryetarin e ri të bashkisë, nënkryetarin e deritanishëm Arqile Bollano. Në votim morën pjesë vetëm 12 anëtarë nga 21 të Këshillit Bashkiak, ndërsa anëtarët e opozitës lanë mbledhjen. Nënkryetari tjetër Pervin Gjikuria tha se u tërhoq nga gara gjatë debateve që po bëheshin në mbledhjen e Këshillit.
Pasi u emërua nga Këshilli Bashkiak për të drejtuar Bashkinë e Himarës, Bollano u Shpreh për mediat se është koha për të çuar përpara qytetin, i cili është përpara sezonit turistik.
'Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi gjithë punën për të bërë. nuk ka vend për llafe por ka vend vetëm për punë. Kemi shumë gjëra për të bërë. Unë kam përgjegjësi të madhe dhe kjo do ta tregojë në vazhdimësi'.- tha Bollano.
Zgjedhja e kryetarit të ri erdhi pasi më 5 qershor kryetarja e Komanduar Blerina Bala dha dorëheqjen. Ndërsa pyetjes së gazetarëve për Bollanon nëse do e përballojë presionin apo do japë dorëheqjen si paraardhësja, ju përgjigj kryetari i Këshillit Bashkiak.
“Ka një eksperiencë të madhe në drejtimin e Bashkisë Himarë. Di të drejtoj bashkinë, dhe di të eci para dhe ne kemi nevojë për një kryetar që të ecim përpara. Nëse ikën (Bollano), do të bëhem unë kryetar”.- u shpreh Kreu i Këshillit Bashkiak Dhimitër Kapaj.
Nga burgu kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, e cilësoi Bollanon si dështak dhe shërbëtor të pushtetit, ndërsa zgjedhjen e tij si goditjen e radhës të sovranitetit të popullit të Himarës, pasi caktohet një kryetar i pavotuar.
'Hajdutllëku i “kryetarit të pavotuar” i faktuar në 200 faqe raport nga kontrolli i KLSH-së dhe 10 milionë euro abuzime me tendera, është unaza që e mban për hunde të përzgjedhurin e Partisë në pushtet''- shkruan Beleri.
Prej më shumë se 2 muajsh bashkia e Himarës, drejtohet me kryetar të komanduar për shkak se ish kryetari në detyrë Jorgo Goro dha dorëheqjen dhe është në burg, ndërkohë që edhe i zgjedhuri në maj 2023 Fredi Beleri ndodhet në qeli i dënuar me dy vite burg nga GJKKO pasi është kapur duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Kryetari i emëruar këtë të premte Bollano, pritet të qëndrojë në këtë detyrë deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës me një vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO. Nëse Beleri dënohet do të ketë zgjedhje, nëse shpallet i pafajshëm merr detyrën.
Ca e ka vasiilin ky filogreku
Përgjigju