Ksamil- Vendosën mjetet e tyre lundruse në vende të ndaluara nga autoritetet (vendbazime) në bregdetin e lakmuar të Ksamilit, procedohen penalisht 6 nga pronarët e dyshuar dhe po kërkohet për të tjerë persona që kanë kryer kundravajtje.
Policia e Sarandës konfirmoi sot kryerjen e operacionit pas sinjalizimeve nga qytetarët e ndryshëm, se të paktën 10 pedane ishin vendosur pa leje në zonën e plazhit, duke shqetësuar edhe pushuesit.
“Në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë Detare, Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë dhe me IVMT bashkia Sarandë, u hoqën 10 pedanë të vendosur në det, në Ksamil”, sqaroi policia vendore.
Lokalizimi i shkeljeve, që dyshohet se janë kryer edhe me qëllime përfitimi nga të penalizuarit, u bë në vendin e quajtur “Tre Ishujt”. Kjo zonë kryesisht shërbente si vendbazim për mjetet lundruese, kryesisht për Jet Ski-të e miratuara me leje.
Policia detajoi se nën hetim u vendosën shtetasit; D. M., S. D., F. H., S. P., E. M. dhe D. B.
Kurse dosja për rastin i kaloi prokurorisë vendore. Policia gjithashtu apeloi ndaj qytetarëve që “të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi për zonat bregdetare dhe ato ujore, në mënyrë që të shmangin ndëshkimet penale”.