Ksamil- Një 31-vjeçar nga Kosova është vënë në pranga nga policia në Ksamil, pasi qarkullonte me armë zjarri në automjet.
Operacioni policor i koduar “Impact”, çoi në pranga 31-vjeçarin Shkëlqim Murati. Policia vendore bëri me dije sot (8 korrik) se të dyshuarit iu sekuestrua arma e zjarrit, krehëri i saj me fishekë dhe automjeti tip “Range Rover” me të cilin po lëvizte.
"Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Impact”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar: Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë", bëri me dije policia.
Gjithashtu sqarohet se gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte në Ksamil, efektivët gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Komente
