Sarandë- Një aksident rrugor i pazakontë ka ndodhur dje në Ksamil të Sarandës.
Një 40-vjeçar turist turk që jetonte në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë në aksident rrugor në rrugën “Dea”, ku teksa ishte i dehur në timon, humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me portën e një banese aty pranë.
Nga përplasja ka pasur jo vetëm dëme materiale, por i plagosur mbeti edhe pasagjeri, po shtetas turk, që udhëtonte me drejtuesin në mjet. Policia vendore njoftoi se e arrestoi 40-vjeçarin për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan shtetasin turk S. U., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, pasi më datë 6 qershor, duke drejtuar automjetin në gjëndje të dehur, në rrugën “Dea”, Ksamil, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me portën e një banese, ku si pasojë ka pësuar dëmtime të lehta pasagjeri që udhëtonte me të, shtetasi turk A. O., 20 vjeç”, bëri me dije policia vendore.
Nga testi i alkoolit që i bënë efektivët, drejtuesi rezultoi se ishte në gjendje të dehur, që mendohet se është edhe shkaku i humbjes së kontrollit të mjetit.
Komente
