Përmet- Kryesocialisti Edi Rama vizitoi sot edhe Kampingun Ekologjik “Glamping Albania Rafting Vjosa” në Përmet, e kthyer në një atraksion turistik kushtuar kryesisht edhe vozitjes me kanoe në lumin Vjosë dhe më gjerë.
“Një parajsë natyrore me shtëpi prej druri dhe 10 tenda safari”, shprehet Rama për këtë panoramë dhe investim.
I shoqëruar edhe nga ministrja Mirela Kumbaro, njëkohësisht drejtuese politike e PS për qarkun e Gjirokastrës në zgjedhjet e 11 majit, ata vizituan kampingun panoramik në Përmet.
“Turistët, përveç fjetjes dhe ushqimit të freskët, mund të ushtrojnë edhe disa aktivitete në natyrë, si: rafting dhe kajak në lumin Vjosë, eksplorimi i kanionit të Langaricës dhe banjave termale, biçikleta elektrike përgjatë lumit Vjosë; kajak dhe kamping shumëditor nga kufiri me Greqinë përgjatë lumit Vjosë; hiking & trekking në ujëvarën e Sopotit, duke përjetuar kështu një eksperiencë të paharrueshme në zemër të natyrës, me pamjen mbresëlënëse të maleve madhështore të Nemërçkës”, shkruan kryeministri në Facebook.
Investitorët dhe operatorët teksa i shpjeguan investimin dhe projektet për të ardhmen kreut të qeverisë, vlerësuan edhe mbështetjen e dhënë deri tani. Ata propozuan që në këto zona të ngriheshin edhe parqe-kanione, model i aplikuar në shumë vende të botës dhe që tërheq turistë.
“Kanali i Çukës të bëhet një park-kanion, kthehet në fantastike, duhet futur ky lloj ndërtimi dhe zhvillon shumë turizmin, bëhet platfotmë druri dhe është praktikë holandeze, por i përhapur në të gjithë botën. Kjo zonë vlerësohet si një ndër më të mirat”, u shpreh drejtuesi i kampingut.
Ndërsa i shpjegonin kreut të qeverisë edhe fluksin e turistëve, ata vlerësuan postimet që ai bënte herë pas here për rafting në këto rajone të vendit dhe promovimit të turizmit, pasi ishte një reklamë që sillte edhe njerëz, përveç se shfaqte bukuritë e Shqipërisë.
“Po ku do t’i marrin vesh njerëzit, hë më thuaj ti mua, në këto pocaqi ekrane që nuk e di me çfarë merren apo në këto portale që merren vetëm me pisllëk, ku do i marrin vesh?”, u shpreh Rama, teksa mbylli edhe fjalën e tij në këtë vizitë në kamping.
Komente
