Jo vetëm nderim, por edhe shërim të plagëve, rehabilitim dhe dëmshpërblim për ish të përndjekurit politikë ka kërkuar ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato këtë të enjte në Shkodër, i pranishëm në simpoziumin e mbajtur në përkujtim të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personat e Zhdukur.
Ky simpozium solli në qendër të vëmendjes fatin tragjik të qindra shqiptarëve që u vranë në përpjekje për të kaluar kufirin gjatë diktaturës.
“Historia europiane na ka treguar se shoqëritë janë më pranë drejtësisë kur përballen me të kaluarën e errët. Të mos harrojmë kurrë të kaluarën, në mënyrë që të mos përsërisim të njëjtat gabime në të ardhmen. Që prej vitit 2017, Bashkimi Europian ka mbështetur Shqipërinë në çështjen e personave të zhdukur, dhe ne do të vazhdojmë ta ofrojmë këtë mbështetje. Përballja me të shkuarën nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por është përgjegjësi kolektive. Sa herë kam qenë në Spaç, jam përballur me histori që ende nuk kanë marrë drejtësi. Këto pritshmëri duhet të përmbushen. Nuk mund të lejojmë që të kujtohemi për ta vetëm atëherë kur ata janë në pikën më kritike. Elisa, ju keni një rol shumë të rëndësishëm për t’u siguruar që të përndjekurit të marrin atë që u takon”, tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE.
Drejtuesja e Autoritetit të Dosjeve, (AIDSSH), Gentiana Sula, tha se qyteti i Shkodrës, në vlerë absolute, mban numrin më të lartë të të përndjekurve dhe të vrarëve me dënime penale me vdekje, si edhe për arratisjet, internimet.
Edhe për kryetaren e Parlamentit, Elisa Spiropali, “ceremonia nuk mund të kishte kuptim askund tjetër më shumë se në Shkodër.”
Simpoziumi synoi t’u japë zë viktimave, të dokumentojë faktet dhe të edukojë mbi të shkuarën.
Deputetja Emilia Koliqi dhe Greta Bardeli nuk kursyen kritikat për harresën që i është bërë shtresës së përndjekurve politikë. Përveç se ndau historinë e saj personale me regjimin komunist ajo paraqiti edhe nismën ligjore në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që kjo shtresë të mbrohet me ligj.
Në këtë simpozium shkencor të mbajtur në Universitetin e Shkodrës janë publikuar edhe dëshmi të të burgosurve nga arkivat e shtetit, si një nismë, e cila do të ndihmojë jo vetëm në rritjen e informacionit për torturat gjatë regjimit komunist, por edhe si histori që do t’iu lihet brezave, për të mos harruar terrorin komunist të 50 viteve në Shqipëri.
Komente
