Kukës- Në Gjykatën e Kukësit u mbajt sot (10 maj) seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 41-vjeçarit Ylber Jaku, i akuzuar për vrasjen e 34-vjeçarit Reshit Sallahu në motive hakmarrjeje.
Gjyqtarja e masave pasi ka dëgjuar prokuroren e gatshme për aktet e dosjes dhe provat paraprake, si dhe avokatin e të dyshuarit, ka caktuar në fund të seancës masën e sigurisë "arrest me burg".
Avokatja përfaqësuese e të dyshuarit ka qenë e caktuar nga shteti, gjyqtare e masës Matilda Çela dhe prokurore Brisida Leka.
Pas masës së sigurisë reagoi edhe avokatja Aurora Guska.
Ajo tha se klienti Ylber Jaku nuk ka pranuar avokat dhe kërkon një përfaqësues nga ambasada angleze, pasi është shtetas anglez dhe ka gruan po shtetase angleze.
Ajo shtoi se “ai nuk ka besim te drejtësia shqiptare” dhe këtë e ka thënë në masën e sigurisë në gjykatë, gjatë seancës.
Avokatja sqaroi se Policia nuk reagoi në kohë edhe pse babai i autorit i kishte telefonuar dhjetëra herë se i biri kishte dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu Jaku nuk ka pranuar të flasë për hetuesit shqiptarë, duke kërkuar përfaqësues britanikë, si shtetas anglez. Ajo sqaroi se ditën e krimit ai ka qenë në Has, po po jetonte aktualisht, teksa punon në ndërtim.
"Agim Jaku, babai i autorit, këto janë të zbardhura, ka telefonuar dhe bërë mesazhe Policisë për disa orë me radhë. U ka thënë se djali im ka dalë jashtë kontrollit, evitoni çdo ngjarje të mundshme. Por çfarë ka ndodhur, nuk është marrë asnjë masë, ngjarja ka ndodhur vetëm 3 metra para oborrit të shtëpisë së viktimës. Ylber Jaku nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe është dorëzuar në polici. Vetë Ylber Jaku, duke qenë me shtetësi angleze, ka bashkëshorte angleze dhe dy fëmijë, kërkonte të ketë një përfaqësues nga Ambasada e Anglisë që të vinte në seanca, pasi ai vetë nuk ka besim te drejtësia shqiptare, për shkak se prindërit e tij janë rropatur 20 vite rrjesht dhe nuk kanë mundur dot që të zgjidhin një konflikt kaq të thjeshtë", tha Guska.
Seanca u mbajt me dyer të mbyllura, teksa Report Tv siguroi edhe pamjet e momentit të dërgimit të Jakut në Gjykatë, teksa efektivët e policisë e futën brenda institucionit në masa të forta sigurie dhe duke e mbajtur nga krahët.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 maj, një ditë pasi motra e viktimës, 21-vjeçarja Artjola Sallahu, aktualisht me masë të zbutur sigurie nga gjykata, kishte dhunuar dhe plagosur me sëpatë prindërit e Ylber Jakut, pas konflikteve të vazhdueshme të pronësisë.
Ylber Jaku, i cili është edhe shtetas britanik, është kthyer në Shqipëri. Pasi mësoi plagosjen e prindërve të tij nga 21-vjeçarja dhe pa gjendjen e tyre në spital, ai ka kryer vrasjen.
Vrasja ndodhi në fshatin Plan të Hasit. Ndërkohë, më 8 maj, Gjykata e Kukësit caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Artjola Sallahun, për dhunën ndaj prindërve të autorit të vrasjes se Reshit Sallahu.
Policia tha se ngjarja ka lidhje me konfliktin e raportuar më 6 maj ku dy bashkëshortët përfunduan në spital pas përleshjes për shkak të sherrit për pronat, teksa kishin nisur hetimet për të dyja palët. Madje sipasinformacioneve paraprake, ksihte pasur edhe ankesa e denoncime nga palët për këto konflikte pronësie.
Mësohet se një nga nga familjet ka hapur edhe rrugë kalimi vite më parë. Gjurma e rrugës ka qenë burim konfliktesh prej vitesh, pasi dy familjet pretendojnë se rruga ka prekur pronat e tyre. Toka ka qenë më parë e ish-ndërmarrjes bujqësore dhe ka qenë pa certifikatë pronësie.
Aurora Guska, avokatja e të arrestuarit Ylber Jaku, ka shpjeguar pas seancës së masës së sigurisë në Gjykatën e Kukësit, atë çfarë ka ndodhur, rrethanat, shkaqet, fjalët e të dyshuarit dhe masën e sigurisë me avokat kryesisht, ku u caktua “arrest me burg”.
Ajo shprehet se Jaku nuk pranon mbrojtje nga Shqipëria, pasi nuk ka besim të drejtësia shqiptare dhe kërkon përfaqësues nga shteti anglez apo ambasada, pasi është edhe shtetas britanik.
Ai nuk ka qenë në Angli ditën e krimit, pasi ndodhet në Has ku punon edhe në ndërtim, ndërsa nuk i beson drejtësisë shqiptare edhe për shkak se konflikti i pronësisë kishte lindur prej 20 vitesh dhe shteti shqiptar nuk e kishte zgjidhur. Gjithashtu Guska tha se babai i plagosur i autorit ka telefonuar dhjetëra herë Policinë duke kërkuar të parandalonin krimin, pasi djali i tij kishte dalë nga kontrolli kur kishte parë gjendjen e tyre në spital pas plagosjes.
Megjithë sinjalizimet, krimi ka ndodhur 3 metra nga banesa e viktimës Reshit Sallahu, u shpreh ajo.
Deklarata e Avokates, Aurora Guska:
“Ylber Jaku nuk pranon avokat, por sipas ligjeve masat e sigurisë janë detyrimisht që të përfaqësohen me avokat dhe jam kryesisht. Prindërit e Ylber Jakut, Agim dhe Vera Jaku, kanë një konflikt pronësie, një rrugë kalimi për të shkuar te banesa e tij dhe familja e viktimës nuk e ka lejuar dhe janë në procese gjyqësore për mbi 20 vite. Por çfarë ka ndodhur që çështja shkoi deri këtu? Para dy javësh, babai i të arrestuarit, ka marrë në telefon Policinë, ka njoftuar dhe ka shprehur se personi që kishte konflikt, që është babai i viktimës, kishte marrë një fadromë dhe po prishte të vetmen rrugë që atë e çonte drejt shtëpisë. Duke qenë para këtij fakti, babai i viktimës shkon në Polici dhe u thotë o ma hiqni Agimin, ose unë do hakmerrem.
Vajza, motra e viktimës, ka marrë një sëpatë duke dëmtuar prindërit e të arrestuarit. Për të mos pasur pasoja, babai i të dyshuarit ka marrë të birin dhe i ka thënë kemi bërë aksident dhe ndodhemi në spital. Ylberi punon në Has, nuk ka qenë në Angli, nuk është e vërtetë që ka ardhur prej andej, ka qenë në punë, merret në ndërtim. Ka shkuar në Spitalin e Traumës për t’i vizituar dhe është tonditur shumë kur i ka parë prindërit në atë gjendje, sidomos nënën që ka marrë plagë më të rënda dhe është në gjendje më kritike. Ka ikur, ka fikur telefonin dhe duke qenë në këto kushte Agim Jaku, babai i autorit, këto janë të zbardhura, ka telefonuar dhe bërë mesazhe Policisë për disa orë me radhë. U ka thënë se djali im ka dalë jashtë kontrollit, evitoni çdo ngjarje të mundshme. Por çfarë ka ndodhur, nuk është marrë asnjë masë, ngjarja ka ndodhur vetëm 3 metra para oborrit të shtëpisë së viktimës. Ylber Jaku nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe është dorëzuar në polici.
Vetë Ylber Jaku, duke qenë me shtetësi angleze, ka bashkëshorte angleze dhe dy fëmijë, kërkonte të ketë një përfaqësues nga Ambasada e Anglisë që të vinte në seanca, pasi ai vetë nuk ka besim te drejtësia shqiptare, për shkak se prindërit e tij janë rropatur 20 vite rrjesht dhe nuk kanë mundur dot që të zgjidhin një konflikt kaq të thjeshtë. Gjykata vendosi arrest me burg për veprën penale të vrasjes. Vetë Jaku u pyet nga Gjykata dhe tha se s’ka asnjë pretendim, nuk flet, duke thënë vetëm se s’ka besim te drejtësia shqiptare dhe kërkon përfaqësues nga Anglia.
Jaku nuk ka dhënë asnjë dëshmi as para oficerit gjyqësor gjatë hetimeve dhe as para Gjykatës. E vetmja fjali që thotë është se “nuk kam besim te kjo drejtësi, dua që si shtetas anglez të jetë një punonjës i shtetit anglez dhe t’ia shpjegoj rastin se çfarë ka ndodhur me prindërit e mi dhe neglizhenca e të gjitha institucioneve, Policisë, pushtetit lokal, ka bërë atë që unë sot përfundova këtu”.
Ylber Jaku, autori i dyshuar dhe Reshit Sallahu, viktima
Komente
