Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e pranishme në Konferencën e Ambasadorëve të Shqipërisë, tha se turizmi dhe mjedisi nuk mund të konsiderohen si “armiq”, sepse sipas saj, nuk ka një zhvillim të qëndrueshëm turistik pa një mbrojtje të mjedisit.
Ministrja tha se nga analizat e bëra pas pandemisë së Covid-19, po del në pah një profil i ri i turistit. Përmendi gjithashtu edhe shifrat e vizitorëve të huaj të këtij viti, teksa tha se muajin gusht e mbyllën me 10% më shumë në krahasim me këtë periudhë të një viti më parë.
E rëndësishme, shtoi Kumbaro, është ruajtja e këtyre turistëve, që i cilësoi si ambasadorë bio.
“Nëse bota e konsideron turizmin dhe mjedisin si dy armiq, do të bëhen edhe më armiq dhe më pas kjo keqpërdoret në perceptim dhe intrumenta politikë. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa mbrojtje të mjedisit. S'mund të kemi një turizëm nga një krah dhe mjedisin në anën tjetër. Shqipëria po nuk e ruajti këtë ekuilibër midis mjedisit saqë na është kthyer në instrument pozitiv edhe për turizmin. Të gjithë analizat pas Covid, po flasin për profil të ri të turistit të 10-30 viteve që vijnë. Do të jetë turisti që sot është 30 vjeç dhe nesër do të jetë 40, 50, 60-vjeç dhe do të ketë fuqi ekonomike blerëse për të konsumuar turizëm si ekonomi e kënaqësisë. Ekonomia e kënaqësisë do të jetë e rëndësishme. Nëse deri dje kërkohej hoteli me 5 yje, a mund ta marr qenin me vete, sot po shtohet a konsumon energji të gjelbër apo fosile hoteli. A mund të udhëtoj me tren apo me makinë etj. Industria e turizmit po shkon në këtë drejtim prandaj është një zgjedhje që në 2017, qeveria e bëri me vision largpamës. Nëse në 2019, viti më i mirë para pandemisë ne mirëpritëm 6.5 mln vizitorë të huaj, prandaj ne jemi në gjuajtje për të numëruar çdokënd. E mbyllëm gushtin me gati 9 mln vizitorë të tillë. Gushti i këtij viti krahasuar me vitin e kaluar mirëpriti 10% më shumë vizitorë të huaj, ose 200 mijë. Na ka rezultuar gjatë këtyre katër viteve të vëzhguar, se ata kanë qenë të gjithë dhe janë ambasadorë shumë të mirë. Ata nuk e dinë se janë ambasadorë, sikurse e kemi ushqimin bio, edhe ata janë 'ambasadorë bio'. Sot turizmi, i ka ambasadorët që kanë ardhur, shëtitur dhe shijuar natyrën. Atë produkt bio duhet ta promovojmë dhe mbajmë gjatë gjithë kohës.”, tha ministrja.
Lajmi kryesor:
Konferenca e Ambasadorëve, Kumbaro: Në gusht, 10% më shumë vizitorë të huaj nga një vit më parë! Të ruajmë ‘ambasadorët bio’
Xh.D/r.k./ReportTv.al
