Po mbahet dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve të Shqipërisë, Diplo25, me temë “Shqipëria 2030, e ndërlidhur me botën”. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e ‘ndërlidhjes’ së turizmit dhe mjedisit, teksa tha se nuk mund të konsiderohen si ‘armiq’.
Ministrja theksoi se në muajin gusht pati 200 mijë vizitorë të huaj, 10%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ministres, është e rëndësishme që të ruhet ajo që i konsideroi si ‘ambasadorë bio’, vizitorët e huaj që kanë shijuar mikpritjen, kulturën dhe bukuritë e vendit.
“Ata janë ambasadorë të besueshëm se nuk paguhen, por kanë paguar për përvojën e tyre në Shqipëri. Dhe sot turizmi, ambasadorët e mirëfilltë i ka përmes atyre që vijnë në shëipëri, që kanë provuar mikpritjen, ushqimin, shëtitur natyrën. Dhe detyra jonë, qoftë edhe sektori privat, të gjithë ju duhet atë produkt bio ta promovojmë dhe ta mbajmë gjatë gjithë kohës.”, theksoi ministrja.
Një ditën e parë të Konferencës ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se detyra parësore e diplomatëve është mbyllja e negociatave. I kritikoi ambasadorët për marrëdhëniet me shqiptarët e suksesshëm dhe për mungesën e investimeve të huaja, ndërsa premtoi edhe rritje pagash për ta.
Lajm ne perditesim...
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Konferencën e Amasadorëve, ku ndau me të pranishmit kontributin e Bankës së Shqipërisë në pozicionimin e Shqipërisë në tregun evropian, si një partner i besueshëm në fushën e pagesave ndërkufitare.
Gjatë diskutimit të tij, Guvernatori u ndal në një nga arritjet e vendit drejt integrimit në tregun evropian: pranimin e Shqipërisë në juridiksionin e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro – apo siç njihet ndryshe, zona SEPA. Ai theksoi se përfshirja e Shqipërisë në SEPA konfirmon nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të vendit tonë me atë të Bashkimit Evropian, në fushën e pagesave dhe të mbikëqyrjes financiare.
Guvernatori u shpreh se të gjitha bankat e vendit janë regjistruar në listën e institucioneve që mund të operojnë në skemat SEPA dhe, që prej datës 7 tetor, qytetarët shqiptarë do të mund të kryejnë transaksione ndërkufitare me vendet anëtare. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë vitit të parë të anëtarësimit, bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të kursejnë rreth 20 milionë euro, si rezultat i uljes së komisioneve bankare.
Në këtë kontekst, Guvernatori solli në vëmendje ndikimin e drejtpërdrejtë të SEPA-s mbi sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Tregtia me Bashkimin Evropian, ku Shqipëria eksporton rreth 70% të mallrave dhe shërbimeve të saj, do të bëhet më konkurruese dhe efikase falë thjeshtimit të proceseve financiare. Turizmi do të përfitojë nga mundësia që vizitorët evropianë të përdorin shërbimet e tyre bankare në Shqipëri, me kushte të njohura dhe të favorshme. Remitancat, të cilat kalojnë shifrën 1 miliard euro në vit, do të mbërrijnë më shpejt, më lirë dhe në mënyrë më të sigurt përmes kanaleve formale bankare, duke rritur transparencën dhe ulur përdorimin e kanaleve informale.
Gjithashtu, përfshirja në SEPA është një sinjal i fortë për investitorët e huaj, veçanërisht ata nga BE-ja, duke shërbyer si dëshmi për përputhjen e Shqipërisë me standardet evropiane të pagesave dhe forcimin e stabilitetit të saj financiar. Ai theksoi se ky zhvillim nuk është thjesht një hap teknik, por një katalizator për modernizimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare dhe për përparimin drejt një tregu financiar tërësisht të digjitalizuar e konkurrues.
Përtej zhvillimeve në fushën e sistemeve të pagesave, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Shqipëria ka pasur një ndër performancat më të mira ekonomike gjatë pesë viteve të fundit, jo vetëm në rajon, por edhe në kontekstin e përgjithshëm evropian. Stabiliteti monetar e ai financiar kanë mundësuar përballimin e goditjeve të pandemisë dhe të rritjes së shpejtë të çmimeve që pasoi luftën në Ukrainë, me kosto minimale dhe pa dëmtuar trendin pozitiv të zhvillimit.” – tha Guvernatori.
Një dëshmi tjetër e stabilitetit financiar të vendit janë dhe tre uljet e rrezikut të borxhit nga agjencitë prestigjioze Moody’s dhe Standard and Poors, që kanë rritur besimin e investitorëve dhe kanë ulur kostot e financimit në tregjet ndërkombëtare.
Së fundi, ai nënvizoi se investimet e huaja direkte kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, duke u dyfishuar në 10 vitet e fundit dhe arritur në nivelin e 15 miliardë eurove, ose rreth 60% të PBB-së, shpërndarë në një shumëllojshmëri sektorësh strategjikë.
Duke përfituar nga rasti, Guvernatori ftoi të pranishmit të bëhen promotorë të investimit në Shqipëri, duke promovuar avantazhet që ofron vendi ynë dhe seriozitetin e autoriteteve shqiptare në krijimin e një mjedisi miqësor dhe të qëndrueshëm për investitorët. Potencialet e vendit tonë si burimet njerëzore e natyrore, pozicioni gjeografik, angazhimi i palëkundur dhe perspektiva konkrete për integrimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një paketë tërheqëse për investitorët e huaj.
“Integrimi evropian i Shqipërisë është një proces që kërkon përkushtim, vizion dhe besim. Banka e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë të japë kontributin e saj për modernizimin e ekonomisë dhe forcimin e infrastrukturës financiare, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një partner të barabartë në tregjet evropiane e më gjerë.” - u shpreh në mbyllje Guvernatori Sejko.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e pranishme në Konferencën e Ambasadorëve të Shqipërisë, tha se turizmi dhe mjedisi nuk mund të konsiderohen si “armiq”, sepse sipas saj, nuk ka një zhvillim të qëndrueshëm turistik pa një mbrojtje të mjedisit.
Ministrja tha se nga analizat e bëra pas pandemisë së Covid-19, po del në pah një profil i ri i turistit. Përmendi gjithashtu edhe shifrat e vizitorëve të huaj të këtij viti, teksa tha se muajin gusht e mbyllën me 10% më shumë në krahasim me këtë periudhë të një viti më parë.
E rëndësishme, shtoi Kumbaro, është ruajtja e këtyre turistëve, që i cilësoi si ambasadorë bio.
“Nëse bota e konsideron turizmin dhe mjedisin si dy armiq, do të bëhen edhe më armiq dhe më pas kjo keqpërdoret në perceptim dhe intrumenta politikë. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa mbrojtje të mjedisit. S'mund të kemi një turizëm nga një krah dhe mjedisin në anën tjetër. Shqipëria po nuk e ruajti këtë ekuilibër midis mjedisit saqë na është kthyer në instrument pozitiv edhe për turizmin. Të gjithë analizat pas Covid, po flasin për profil të ri të turistit të 10-30 viteve që vijnë. Do të jetë turisti që sot është 30 vjeç dhe nesër do të jetë 40, 50, 60-vjeç dhe do të ketë fuqi ekonomike blerëse për të konsumuar turizëm si ekonomi e kënaqësisë. Ekonomia e kënaqësisë do të jetë e rëndësishme. Nëse deri dje kërkohej hoteli me 5 yje, a mund ta marr qenin me vete, sot po shtohet a konsumon energji të gjelbër apo fosile hoteli. A mund të udhëtoj me tren apo me makinë etj. Industria e turizmit po shkon në këtë drejtim prandaj është një zgjedhje që në 2017, qeveria e bëri me vision largpamës. Nëse në 2019, viti më i mirë para pandemisë ne mirëpritëm 6.5 mln vizitorë të huaj, prandaj ne jemi në gjuajtje për të numëruar çdokënd. E mbyllëm gushtin me gati 9 mln vizitorë të tillë. Gushti i këtij viti krahasuar me vitin e kaluar mirëpriti 10% më shumë vizitorë të huaj, ose 200 mijë. Na ka rezultuar gjatë këtyre katër viteve të vëzhguar, se ata kanë qenë të gjithë dhe janë ambasadorë shumë të mirë. Ata nuk e dinë se janë ambasadorë, sikurse e kemi ushqimin bio, edhe ata janë 'ambasadorë bio'. Sot turizmi, i ka ambasadorët që kanë ardhur, shëtitur dhe shijuar natyrën. Atë produkt bio duhet ta promovojmë dhe mbajmë gjatë gjithë kohës.”, tha ministrja.
Komente
