Gent Sejko

Politikë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: Forcojmë infrastrukturën financiare! Shqipëria të kthehet në një partner i barabartë në tregjet evropiane

9 Shtator, 14:36| Përditesimi: 9 Shtator, 14:43

  • Share

1757421810_gentsejko.JPG

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Konferencën e Amasadorëve, ku ndau me të pranishmit kontributin e Bankës së Shqipërisë në pozicionimin e Shqipërisë në tregun evropian, si një partner i besueshëm në fushën e pagesave ndërkufitare.

Gjatë diskutimit të tij, Guvernatori u ndal në një nga arritjet e vendit drejt integrimit në tregun evropian: pranimin e Shqipërisë në juridiksionin e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro – apo siç njihet ndryshe, zona SEPA. Ai theksoi se përfshirja e Shqipërisë në SEPA konfirmon nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të vendit tonë me atë të Bashkimit Evropian, në fushën e pagesave dhe të mbikëqyrjes financiare.

Guvernatori u shpreh se të gjitha bankat e vendit janë regjistruar në listën e institucioneve që mund të operojnë në skemat SEPA dhe, që prej datës 7 tetor, qytetarët shqiptarë do të mund të kryejnë transaksione ndërkufitare me vendet anëtare. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë vitit të parë të anëtarësimit, bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të kursejnë rreth 20 milionë euro, si rezultat i uljes së komisioneve bankare.

Në këtë kontekst, Guvernatori solli në vëmendje ndikimin e drejtpërdrejtë të SEPA-s mbi sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare. Tregtia me Bashkimin Evropian, ku Shqipëria eksporton rreth 70% të mallrave dhe shërbimeve të saj, do të bëhet më konkurruese dhe efikase falë thjeshtimit të proceseve financiare. Turizmi do të përfitojë nga mundësia që vizitorët evropianë të përdorin shërbimet e tyre bankare në Shqipëri, me kushte të njohura dhe të favorshme. Remitancat, të cilat kalojnë shifrën 1 miliard euro në vit, do të mbërrijnë më shpejt, më lirë dhe në mënyrë më të sigurt përmes kanaleve formale bankare, duke rritur transparencën dhe ulur përdorimin e kanaleve informale.

Gjithashtu, përfshirja në SEPA është një sinjal i fortë për investitorët e huaj, veçanërisht ata nga BE-ja, duke shërbyer si dëshmi për përputhjen e Shqipërisë me standardet evropiane të pagesave dhe forcimin e stabilitetit të saj financiar. Ai theksoi se ky zhvillim nuk është thjesht një hap teknik, por një katalizator për modernizimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare dhe për përparimin drejt një tregu financiar tërësisht të digjitalizuar e konkurrues.

Përtej zhvillimeve në fushën e sistemeve të pagesave, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Shqipëria ka pasur një ndër performancat më të mira ekonomike gjatë pesë viteve të fundit, jo vetëm në rajon, por edhe në kontekstin e përgjithshëm evropian. Stabiliteti monetar e ai financiar kanë mundësuar përballimin e goditjeve të pandemisë dhe të rritjes së shpejtë të çmimeve që pasoi luftën në Ukrainë, me kosto minimale dhe pa dëmtuar trendin pozitiv të zhvillimit.” – tha Guvernatori.

Një dëshmi tjetër e stabilitetit financiar të vendit janë dhe tre uljet e rrezikut të borxhit nga agjencitë prestigjioze Moody’s dhe Standard and Poors, që kanë rritur besimin e investitorëve dhe kanë ulur kostot e financimit në tregjet ndërkombëtare.

Së fundi, ai nënvizoi se investimet e huaja direkte kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, duke u dyfishuar në 10 vitet e fundit dhe arritur në nivelin e 15 miliardë eurove, ose rreth 60% të PBB-së, shpërndarë në një shumëllojshmëri sektorësh strategjikë.

Duke përfituar nga rasti, Guvernatori ftoi të pranishmit të bëhen promotorë të investimit në Shqipëri, duke promovuar avantazhet që ofron vendi ynë dhe seriozitetin e autoriteteve shqiptare në krijimin e një mjedisi miqësor dhe të qëndrueshëm për investitorët. Potencialet e vendit tonë si burimet njerëzore e natyrore, pozicioni gjeografik, angazhimi i palëkundur dhe perspektiva konkrete për integrimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një paketë tërheqëse për investitorët e huaj.

“Integrimi evropian i Shqipërisë është një proces që kërkon përkushtim, vizion dhe besim. Banka e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë të japë kontributin e saj për modernizimin e ekonomisë dhe forcimin e infrastrukturës financiare, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një partner të barabartë në tregjet evropiane e më gjerë.” - u shpreh në mbyllje Guvernatori Sejko.


Lajmi kryesor:

Konferenca e Ambasadorëve, Kumbaro: Në gusht, 10% më shumë vizitorë të huaj nga një vit më parë! Të ruajmë ‘ambasadorët bio’


Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?