Foto nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë më 22 shtator

Kronikë

Elis Halili u komandua kryetar i bashkisë Vlorë, opozita kallëzon në SPAK Këshillin Bashkiak dhe Prefektin: Votimi u krye në kundërshtim me ligjin

29 Shtator, 11:32| Përditesimi: 29 Shtator, 11:47

  • Share

Ashtu siç paralajmëruan, kryetarët e Grupeve të Opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës kanë paraqitur në SPAK një kallëzim kundër Këshillit Bashkiak dhe Prefektit të Vlorës për zgjedhjen e kryetarit të komanduar të bashkisë së Vlorës, Elis Halili. Nënkryetari i bashkisë u zgjodh më 22 shtator si kryetar i përkohshëm pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, por mënyra e zgjedhjes së tij u kundërshtua nga këshilltarët opozitarë, të cilët argumentojnë se procesi është kryer në shkelje të ligjit.  

Sipas këshilltarëve të opozitës, votimi duhet të kryhej në mënyrë të mbyllur me të tre emrat e nënkryetarëve, të Elis Halilit dhe dy të tjerëve Klea Lalo dhe Irena Toshkallari. Kjo shkaktoi debate gjatë mbledhjes së këshillit dhe në përfundim në votim të hapur u hodh vetëm emri i Halilit, i cili siguroi 28 vota pro.

Në kallëzimin e tyre, këshilltarët e opozitës pretendojnë shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyre.

“Kryetarët e Grupeve të Opozitës në Këshillin Bashkiak të Vlorës kanë paraqitur sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe Prefektit të Qarkut Vlorë. Kallëzimi lidhet me procedurën e ndjekur për votimin dhe miratimin e ligjshmërisë në lidhje me kryetarin e komanduar të Bashkisë Vlorë. Sipas vlerësimit tonë, ky proces është realizuar në kundërshtim me ligjin dhe përbën elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, duke cenuar rëndë parimet e ligjshmërisë dhe funksionimit të pushtetit vendor. Gjithashtu, në kallëzim përfshihet edhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, i parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, në lidhje me veprimet e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Blendi Çuçi. Opozita në Këshillin Bashkiak Vlorë mbetet e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të garantuar respektimin e ligjit dhe transparencën në qeverisjen vendore, duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse të veprojnë me paanësi dhe në përputhje me detyrimet kushtetuese e ligjore.”, thuhet në kërkesën drejtuar në SPAK.

Lajm në përditësim…

 

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?