I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për kungullin që zakonisht blihet në sezon dhe njihet ndryshe si “ari i portokalltë” i tryezave.
Tek kungulli konsumohet çdo gjë, gjethja, farat, vaji dhe lulet. Kungulli nuk është perim, por i përket klasës së frutave. Ka shumë varietete, por 15 janë më të përdorurat dhe 5 janë ato që hasim çdo ditë.
“Tek kungulli i verdhë kemi nivelin e betakarotenit të lartë që mbron kundër kancerit, shëndetin e zemrës dhe përmirëson shikimin”, tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se ka vitamina të shumta gjithashtu, që ndihmojnë në ruajten dhe mbrojtjen e qelizave.
Kungulli shërben dhe për normalizimin e presionit të gjakut dhe ka nivele të larta kaliumi, bakri dhe mangani, minerale që janë kundër dëmtimit të kockave, sikurse ndikon në prodhimin e kolagjenit dhe hemoglobinës. Ndikon tek shëndeti i veshkave dhe normalizon kaloritë në trup, ndërsa përmirëson trupin nga problemet gastrointestinale. Gjithashtu është shumë efektiv në problemet e kolesterolit dhe problemet e infertilitetit mashkullor.
Por përveç vlerave të kungullit, është shumë e rëndësishme të mos neglizhojmë dhe fuqinë e luleve dhe gjetheve të tij.
“Gjethja e kungullit është një pastrues shumë i mirë nga parazitët dhe ndikon në normalizimin e shëndetit të zemrës. Gjethet e kungullit ndikojnë dhe tek kariesi, sikurse janë efektive dhe për humbjen e peshës” theksoi Joka.
Ndërsa u ndal gjatë bisedës dhe në rëndësinë që duhet t’i japim farave të kungullit, të cilat mund të konsiderohen pa frikë si një ‘ilaç natyral’ për shumë gjendje shëndetësore.
“Farat e kungullit që në kohët e mëparshme kanë qenë një ilaç kundër parazitëve. Farat e kungullit janë detoksifikuese shumë të mira për problemet e mëlçisë. Sasia e magnezit tek farat e kungullit dhe mangani janë në sasi optimale tek një filxhan fara kungulli. Ndikojnë shumë në rritjen e yndyrnave të mira dhe shëndetin e zemrës, stabilizojnë sheqerin në gjak, normalizojnë urinimin e shpeshtë, ulin rrezikun e diabetit si dhe ndikojnë në normalizimin e gjumit. Ndihmojnë tek qelizat tumoriale duke normalizuar parametrat trupor. Farat e kungullit janë shumë të mira, preferueshëm të pjekura, pasi ndikojnë shumë në trup me sasinë e madhe të vitaminave që përfitojmë nga to”, nënvizoi ai.
Joka u ndal dhe në vlerat e mëdha që ka dhe vaji i kungullit, i cili ndikon shumë në shëndetin tonë, duke ndikuar në pjesën e prostatës apo në tëmth. Ndikon shumë në problemet me flokët, inflamacionet në trup, problemet me mushkëritë, apo problemet me migrenën dhe normalizimin e tensionit.
Komente
