Vllaznia dhe Partizani janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Dramë në Shkodër dhe Tiranë, me dy klubet që ia dolën të marrin nga një biletë të martën e 25 shkurtit. Sot luhen edhe dy çerekfinalet e tjera të kthimit.
Në ‘Arenën e Demave’ Partizani fitoi 2-1 kundër Laçit në një ndeshje që për shumicën e saj e luajti me dhjetë lojtarë. Në minutën e 18-të të kuqtë kaluan në epërsi me Podstrelov, para se Sembene me dy kartona të verdhë të linte Partizanin me një lojtar më pak në minutën e 41. Laçi përfitoi nga epërsia numerike dhe barazoi me Stiven Bibo në minutën e 57-të. Kur u duk se përballja do shkonte në shtesë, ishte Albers Keko që shënoi në fundin e ndeshjes golin që i dha Partizanit biletën për më tej.
Në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës ishte Vllaznia që kaloi mes dramës AF Elbasanin. 120 minuta, gjashtë gola dhe 14 penallti në një përballje që ishte e gjitha për t’u ndjekur. Vllaznia gjeti epërsinë me autogolin e Lilës pas 14 minutave, para se Lajthia të barazonte në minutën e 26-të, për të mbyllur 1-1 pjesën e parë. Sërish Lajthia në fillimin e pjesës së dytë i dha epërsinë miqve të Gvozdenovic, ndërsa Gurishta dhe Krymi përmbysën rezultatin. Fundi ishte dramatik dhe Olberkis barazoi në minutën e shtatë shtesë të kohës së rregullt.
Me 90 minutat që u mbyllën 3-3, ndeshja shkoi në shtesë dhe 30 minutat nuk prodhuan gola, me skuadrat që iu drejtuan penalltive. Pas 14 gjuajtjeve në total, Vllaznia fitoi 5-4 dhe kalon më tej.
Këtë të mërkurë luhen dy ndeshjet e tjera të kthimit. Egnatia pret Bylisin, ndërsa Skënderbeu luan me Dinamon. Vlen të theksohet se pasi të mësohen katër skuadrat gjysmëfinaliste do ketë një short të lirë për të mësuar dy çiftet.
Kupa e Shqipërisë, sfidat çerekfinale të kthimit:
E martë, 25 shkurt 2025
17:00 Partizani 2-1 Laçi (0-0)
17:00 Vllaznia 3-3 AF Elbasani (0-0) / 5-4 me penallti
E mërkurë, 26 shkurt 2025
13:30 Egnatia - Bylis (3-1)
16:30 Skënderbeu - Dinamo (2-0)
*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
*Gjysmëfinalet do përcaktohen me short të lirë
Komente
