TIRANË - Të premten e 7 marsit në ambientet e "Shtëpisë së Futbollit" u hodh shorti për turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Goglat vendosën përballjet Vllaznia - Dinamo dhe Egnatia - Partizani.
Ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale do të luhen në datën 31 mars. Sfidat e dyta ku do të përcaktohen edhe dy ekipet që do të shkojnë në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë, do të zhvillohen në datën 24 prill.
Pas shortit për mediet folën edhe protagonistët.
Kapiteni i Egnatias, Malota kërkon trofeun e kampionatit dhe Kupës. "Kupa e Shqipërisë është e rëndësishme, por kampionati është më i rëndësishëm dhe aty jemi shumë të fokusuar, por pa lënë pas dore edhe Kupën, tek e fundit është trofe dhe gjithkush e do", tha ai.
Edhe drejtori i Dinamos, Ermal Barushi tha se objektivi i ekipit të tij është trofeu. "Tranzicioni ka qenë shumë i gjatë, investimet janë bërë shumë të mëdha, mbështetja është e madhe nga presidenti Bardhi. Çdo gjë është e mundur dhe luftojmë për trofe”, tha Barushi.
Tefik Osmani i Vllaznisë donte përballë Egnatian. "Do të më pëlqente një përballje me Egnatian sepse të jep një mundësi për të parë edhe skudrën, sepse jemi përballur para një viti, por tani jemi një skuadër tjetër", tha Osmani.
Përballjet
Të katërta skuadrat vijnë në këtë fazë të Kupës duke qenë rivale edhe në Superligë, me ekipet që ndajnë zonën "Final 4".
Vllaznia - Dinamo / Shkodranët janë ndjekës të Egnatias kryesuese, ndërsa Dinamo nuk po kalon javë të qeta duke rrezikuar daljen jashtë katërshes në kampionat. Megjithatë struktura e Kupës është e ndryshme pasi skuadrat do përballen në sistemin vajtje-ardhje dhe minimalisht ekipet finaliste do vendosen pas 180 minutave.
Egnatia - Partizani / Rrogozhinasit duken në superformë dhe kryesojnë Superligën. Fitues në fuqi të Kupës, Egnatia do kërkojë të përfitojë nga momenti jo i mirë i Partizanit.
Të katërta skuadrat e kanë si objektiv Kupën, për të pasur një vend të sigurt në Kupat e Evropës.
Vllaznia do përballet kundër Dinamos në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Pas shortit për mediet foli edhe drejtori sportiv i shkodranëve, Tefik Osmani. Korçari tha se kishte dëshirë që të përballje me Egnatian, teksa foli edhe për talentin Dodaj.
"Të katërta skuadrat kanë cilësitë e veta dhe janë shumë të forta. Do të më pëlqente një përballje me Egnatian sepse të jep një mundësi për të parë edhe skudrën, sepse jemi përballur para një viti, por tani jemi një skuadër tjetër.
Kemi krijuar një ekip që në fillim, kemi bërë disa afrime në janar aty ku kemi pasur nevojë dhe e kemi plotësuar grupin, edhe dëmtime nuk kemi pasur këtë periudhë dhe jemi në rregull. Tifozët janë mësuar të dëgjojnë që ky është viti i duhur, por unë di të them që duhet t'i marrim ndeshjet një nga një, duhet të japim maksimumin.
Talenti Dodaj - Unë mendoj që çdo lojtar i ri që del nga kampionati shqiptar është një plus që mos ikë, por është ana financiare që i detyron disa klube për t'i lënë, por është dhe për të mirën e lojtarëve që të jenë jashtë Shqipërisë", tha ai.
Drejtori i Dinamos, Ermal Barushi foli pas shortit të gjysmëfinalave të Kupës së Shqipërisë. Blutë janë përballë Vllaznisë në dy ndeshjet vajtje-ardhje, ndërsa Barushi thotë se objektivi i Dinamos është trofeu.
“Tre rivalët janë kompetitive për të fituar Kupën e Shqipërisë. Në ndeshjen e parë jemi udhëtues, por ndonjëherë është më mirë. Kemi bërë paraqitje të mira me Vllazninë, mendoj që të shkojmë deri në fund dhe të fitojë më i miri.
Në këtë periudhë ka shumë ngarkesa të kampionatit, ka shumë ndeshje, por numrin e kemi, është çështje mentaliteti, nëse hyjmë në ndeshje me mentalitet fituesi gjithçka shkon më mirë.
Nuk ka ndeshje të lehta, i bëjmë ndeshjet e vështira ose të lehta vetë, vijmë nga një tranzicion rreth 14 vjet pa qenë në Kupat e Europës, prandaj them që çdo gjë e kemi vetë në dorë.
Tranzicioni ka qenë shumë i gjatë, investimet janë bërë shumë të mëdha, mbështetja është e madhe nga presidenti Bardhi. Çdo gjë është e mundur dhe luftojmë për trofe”, tha Barushi.
Pasi mësoi se Egnatia do përballet me Partizanin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, kapiteni i rrogozhinasve, Renato Malota tha për mediet se ekipi i tij i synon të dy trofetë, por parësor është titulli kampion në Superligë.
“Në këtë fazë që jemi nuk ka më favoritë, mendoj që të katërta ekipet i kanë shanset e barabarta për ta fituar këtë trofe, i kanë shanset e veta. Kupa e Shqipërisë është e rëndësishme, por kampionati është më i rëndësishëm dhe aty jemi shumë të fokusuar, por pa lënë pas dore edhe Kupën, tek e fundit është trofe dhe gjithkush e do.
E rëndësishme është të bëjmë maksimumin në të dyja ndeshjet, pse jo që ta zgjidhim që në ndeshjen e parë.
Objektivi ynë janë Kupat e Europës, tashmë janë bërë si një ëndërr, pasi në dy vitet e fundit nuk kemi bërë aq mirë, por uroj që këtë vit të kapim grupet. Kam qenë i dëmtuar, por për pak kohë rikthehem në fushë”, tha Malota.
Komente
