Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzoi këtë të mërkurë (19 shkurt 2025) në Gjykatë kërkesën që kryeministri Albin Kurti, të paraqitet për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Nëse kryeministri Kurti nuk paraqitet vullnetarisht, ai rrezikon që të gjobitet në rastin më të mirë dhe të shoqërohet me forcë në rastin më të keq.
Për të folur mbi këtë ngjarje, analisti Fatmir Sheholli dhe ish diplomati Lutfi Bilalli, ishin të ftuar në Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv.
Analisti Sheholli u shpreh se kjo sjellje e kryeministrit Kurti, i cili injoron haptasi Drejtësinë, mund të legjitojmë një sjellje të tillë edhe nga serbët e Kosovës.
“Ky është një sembull shumë i ulët i një kryeministri në raport me Drejtëisnë sepse si duket po na jep shembull se si nuk duhet të respektohet drejtësia”,- tha Sheholli.
“Ky është një shembull shumë i keq për demokracinë, drejtësinë, për cdo gjë që ka të bëjë me sistemin juridk në Kosovë. DIkur Kurti pohonte që ai do të bëjë çmos që prokurorët dhe gjykatësit të kenë truproja, ndërsa për vete thonte se nuk ka nevojë sepse nevojë kanë njerëzit e ligjit”,- shtoi analisti nga Kosova.
Ish diplomati Bilalli u shpreh se Kurti fillimisht ka shpërfilluar thirrjet e Prokurorisë Speciale në Kosovë për të shmanguar kostot elektorale në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por tashmë kjo nuk është më një arsye për të vazhduar injorimin ndaj organeve të drejtësisë.
“Deri diku para zgjedhjeve ka tentuar t’i ikë kësaj afere me qëllim të mos pësojë në fushatë, por tashmë duket se ky element, kjo njolle nuk përkon as me fushatën e as me rezultatin e zgjedhjeve. Njeriu i parë i ekzekutivit në Kosovë duhet të shkojë të përgjigjet në rolin e dëshmitarit, siç e ka cilësuar prokuroria. Në këtë mënyrë shteti i së drejtës duhet të funksionojë siç e ka proklamuar kur ka qenë në opozitë”,- tha Bilalli.
Rasti i rezervave shtetërore
Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.
Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.
Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.
Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.
Komente
