Albin Kurti

Kosova & Rajoni

Kurti refuzoi të paraqitet në Prokurori si Berisha, Specialja kërkesë gjykatës për ta urdhëruar që të shkojë për të dëshmuar për rezervat shtetërore

19 Shkurt, 09:42| Përditesimi: 19 Shkurt, 18:32

  • Share

Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.

Rasti i Kurtit të kujton ‘precedentin’ Sali Berisha, i cili refuzoi disa herë paraqitjen në SPAK për masën detyrim paraqitjeje dhe më pas masa iu shtrëngua në arrest shtëpie. E njëjtë edhe me Kurtin, i cili ka refuzuar të shkojë në Prokurori të dëshmojë dhe tashmë kërkohet nga gjykata që ta urdhërojë të shkojë të dëshmojë.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kërkesa është pranuar dhe se ajo “është duke u shqyrtuar nga gjykata”.

Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet. Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për REL-in se edhe pse nuk ka ndonjë afat kohor se kur duhet të vendosë Gjykata lidhur me kërkesën e Prokurorisë, një gjë e tillë "duhet të bëhet pa vonesë".

E nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

"Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj", thuhet në Kodin Penal të Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në kërkesën e REL-it për koment ndaj kësaj kërkese të Prokurorisë Speciale.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.

Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.

Ftesa e Kurtit që prokurorët ta intervistojnë atë në zyrën e tij është kritikuar nga ekspertë ligjorë, si Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.

Miftaraj kishte thënë se “nëse prokurorët nuk kanë guxim profesional”, atëherë jo vetëm kryeministri, por edhe qytetarët e zakonshëm “mund të tallen dhe të mos e respektojnë autoritetin e Prokurorisë”.

Rasti i rezervave shtetërore

Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.

Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.

Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.

Ora 13:56
Gjykata konfirmon se ka pranuar Kërkesën e Prokurorisë për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për dëshmi

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special e ka pranuar Kërkesën nga Prokuroria Speciale  e Kosovës, që kryeministri i vendit, Albin Kurti të paraqitet në Prokurori për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit – lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar Kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. E njëjta është duke u shqyrtuar nga Gjykata.” – thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Me t’u lëshuar ky Urdhër Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet Urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë Urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.

G.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Noku: 19/02/2025 14:34

    nuk mund te therritet krymeinistri ne detyre se mungojne apo jane vjedhur mallra ne depo, nuk jane pergjegjesi te drejteperdrejta te kryeministrit keto

    Përgjigju
  • Bravo: 19/02/2025 13:06

    Presim te dali Albini sy me sy e te thotë qe jane te Saliut.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?