Kurti publikon videon: Ushtria serbe pranë kufirit të Kosovës, kërkojnë të provokojnë! Serbia: 'Pushtim' imagjinar

22 Mars, 07:45| Përditesimi: 22 Mars, 22:54

  • Share

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë disa metra larg kufirit të Kosovës. Kurti ka publikuar në Facebook, një video përmes së cilës prtenedon se ushtarët serbë ndodhen në kufi me veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën", shkruan Kurti. 

Kurti thotë se Forcat e Armatosura të Serbisë po kryejnë stërvitje të rregullta në kufi me veriun e Kosovës, sipas tij me qëllimin e vetëm për të shkaktuar provokime. Më tej, kreu i qeverisë së Kosovës shton se po i vëzhgojnë ushtarët serbë nëse do përpiqen të kalojnë kufirin.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.

Video e Kurtit solli edhe reagimin e Nemanja Staroviç, Sekretar Shteti i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, pretendon se ky është një “pushtim imagjinar”.

Kurti thotë se këto lëvizje të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën vijnë vetëm pak ditë pas kërcënimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se ndërkombëtaret duhet të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, ose kjo e fundit do presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar.

Ora 22:48
Vuçiç pas deklaratave të Kurtit: Serbia s’po përgatitet për luftë

1711144237_vucic.JPG

Pas pretendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se shteti serb e dërgoi ushtrinë e saj “disa metra” afër kufirit me vendin fqinj të enjten, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia “nuk është duke u përgatitur për luftë" me Kosovën.

“Serbia nuk do të futet në luftë, do ta presë momentin për veprimin e saj politik”, tha Vuçiç për televizionin serb Prva të premten, raporton REL.

Ora 16:38
Kurti: Ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën! Dialogu s’është prioritet i yni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën, pasi “erdhi për të na provokuar” të enjten.

“Nuk është normale që ato automjete ushtarake të mbërrijnë vetëm pak metra larg kufirit. Jam i kënaqur që nuk janë sot, nuk kanë qenë deri në orën 16.00”, tha Kurti duke folur në një konferencë për media në Prishtinë.

Ai tha se autoritetet kosovare e regjistruan lëvizjen e tyre përgjatë kufirit kosovar, por “ne nuk bëmë asgjë”.

“Ne ishim të kujdesshëm, shikonim nëse do të kalonin kufirin, por ata nuk e kaluan kufirin”, shtoi ai.

Kryeministri i Kurti, tha se dialogu nuk është prioritet i Qeverisë.

Kurti pati deklaruar se dialogun e ka prioritet të shtatë para se të vinte në pushtet, por është kritikuar se më së shumti kohë gjatë qeverisjes ka shfrytëzuar aty.

Kurti ka këmbëngulur se dialogu s’është prioritet i parë por është dukur ashtu për shkak të vëmendjes mediale e ndërkombëtare. 

“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”, ka thënë shefi i Qeverisë gjatë konferencës për media që e mbajti të premten për shënimin e trevjetorit të ardhjes në pushtet. 

Ora 16:07
KFOR u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese

1711120126_kfor.JPG

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse. Ky reagim vjen pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato lëvizje si “provokime të qëllimshme”. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), KFOR-i tha se, pas tensioneve të fundit, rreth 1.000 trupa shtesë të misionit javë zhvendosur në Kosovë dhe se praninë e kësaj force në veri të Kosovës është rritur.

“Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i, i pyetur në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kurti.

KFOR ka deklaruar se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”.

Ora 12:45
Kurti publikoi videon e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën, reagon Serbia: Futemi vetëm me lejen e KFOR, patrullim i rregullt

Kryeministri Albin Kurti postoi një video, në të cilën thotë se tregohen ushtarët e Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën. Serbia nuk ka vonuar dhe ka reaguar lidhur me alarmin e Kurtit.

Nemanja Staroviç, Sekretar Shteti i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, pretendon se ky është një “pushtim imagjinar” dhe Kurti po mbulon ngacmimet ndaj serbëve të Kosovës.

Duke tentuar të shpjegojë pamjet filmike, të publikuara nga kryeministri i Kosovës,  Staroviç thotë se ishin patrullime të rregullta të ushtrisë serbe përgjatë kufirit në koordinim të ngushtë me KFOR-in.

“Alarmimi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë ‘pushtimi’ të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë”.

“Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohen nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Pyetja e duhur për të bërë do të ishte se çfarë po bëjnë njësitet e militarizuara mono-etnike shqiptare të policisë së Kosovës në veri të Kosovës, pasi vendosja e tyre e përhershme në zonë shkel Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Marrëveshjen e Brukselit dhe shumë marrëveshje të tjera”.

“Kjo video e veçantë e shpërndarë nga Kurti në fakt përfaqëson një patrullë të rregullt të kryer nga forcat tona përgjatë kufirit administrativ, të koordinuar ngushtë me KFOR-in, siç ndodh gjithmonë”, potencoi Staroviç në platformën X, ish-Twitter.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?