Albin Kurti

Kurti: Liridona u vra se ishte grua, u vra me paramendim! Vrasësit duhet të marrin dënimin maksimal

3 Dhjetor 2023, 17:42| Përditesimi: 3 Dhjetor 2023, 17:46

  • Share

1700834258_albinkurti.jpg

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që vrasësit e Liridona Ademajt të marrin dënimin maksimal. Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën (3 Dhjetor) ka dhënë masën me paraburgim ndaj Naim Murselit, Genc Plavës dhe Kushtrim Kokallës.

Murseli akuzohet se kishte porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, ndërsa Plava akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Po ashtu, Kokalla akuzohet për “marrëveshje për kryerje të vrasjes së rëndë”.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore. Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se për t’i parandaluar krimet e tilla makabre, duhte bashkëpunuar së bashku në çdo fushë.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegjja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu. E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, ka shkruar Kurti.


Lajmi kryesor:

Pagoi 30 mijë euro për vrasjen e gruas, Gjykata e Prishtinës lë në burg Naim Murselin e 2 të tjerët! 33-vjeçari s'pranon krimin: Kam qenë edhe vetë i rrezikuar


S.S/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?