Pagoi 30 mijë euro për vrasjen e gruas, Gjykata e Prishtinës lë në burg Naim Murselin e 2 të tjerët! 33-vjeçari s'pranon krimin: Kam qenë edhe vetë i rrezikuar

3 Dhjetor 2023, 09:47| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 01:05

  • Share

KOSOVË- Gjykata e Prishtinës ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Murseli. Ata do të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen po vijojnë.  Bashkëshorti i të ndjerës sipas mediave në Kosovë, më seancë nuk ka pranuar se ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprimeve penale, me qëllim vrasjen e gruas së tij.

Gazeta Express ka raportuar se Murseli në seancë të parë ka thënë se “unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”.

Avokati i tij, Ahmet Ameti, është shprehur se Naim Murseli “nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”.

Në bankën e të akuzuarve është edhe Granit Plava, i cili dëshmoi më herët për policinë se mori 15 mijë euro nga Naimi për t’i vrarë bashkëshorten, ndërsa pjesën tjetër do e merrte pas krimit. Personi tjetër i arrestuar dhe që doli para gjykatës është Kushtrim Kokalla, nipi i Naim Murselit, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në deklaratën e bërë nga gjykata, thuhet se Naim Murseli i ka dhënë armën Granti Pllavës dhe e kishte inskenuar grabitjen. Ai u ka dalë para makinës me të cilën po udhëtonte Naim Murseli me Liridonën dhe dy fëmijët. Bashkëshorti është larguar më fëmijët, ndërsa Granti Plava ka qëlluar Liridonën në këmbim të 30 mijë eurove.

Pranë gjykatës ishin familjarë të Liridonës, por ata nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancë edhe pse kishin bërë kërkesë për këtë. Vëllai saj Leonard Ademaj, tha pas seancës se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të së motrës nga fshati Cermanji dhe rivarrosjen afër varrezave në fshatin e prindërve të saj, Rracaj.

“E kemi kërkuar zhvarrimin e saj, kemi shkuar në Polici, e kemi kërkuar me ligj nëse mund ta marrim trupin e motrës me e pru këtu sepse nuk duam ta lëmë në tokën e tyre që na prenë në besë, më mirë në tokën e prindërve, të gjyshërve”, tha Leonard Ademaj.

Kërkesa u aprovua dhe rivarrimi do të bëhet nesër në orën 14:00. Vëllai i saj ka thënë se beson tek drejtësia e Kosovës dhe se shpreson që rasti i motrës së tij të jetë i fundit.

“Ne besojmë në drejtësinë e Kosovës dhe çdo gjë e lëmë në dorë të drejtësisë. Le të jetë Liridona rasti i fundit që është vrarë, mos të vritet më asnjë grua, asnjë nënë dhe asnjë motër e jona”, ka thënë Leonardi.

Ndërkohë pranë gjykatës së Prishtinës protestuan disa gra për vrasjen e Liridonës, duke mbajtur në duar pankartat “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”. Protestë u zhvillua edhe në Tiranë, para ambasadës së Prishtinës, së cilës iu bashkua edhe ambasadori Skënder Durmishi.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.  Ngjarja e rëndë u shënua më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë të Kosovës. Atë natë Murseli kishte rrëfyer në polici se kishin rënë pre e një grabitjeje teksa kishte qenë në makinë me Liridonën dhe fëmijët, por hetimet dhe provat çuan në një pistë tjetër. Dhe më 1 dhjetor, pak orë pas ceremonisë mortore të Liridona Murselit, u njoftua arrestimi i Naim Musrelit. Ky i fundit i ka dhënë të dyshuarit Plava, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës. 

Një nga pistat e para që po qarkullon për vrasjen e Liridona Murseli Ademajt, të prorositur nga bashkëshorti Naim Murseli është një sigurim që i kishte paguar viktimës në Suedi. Media “Indeksonline” raporton se sigurimi jetësor që Naim Murseli i kishte paguar Liridonës në një kompani të fuqishme suedeze, mundësonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore të mbulonte shpenzime deri në 20 milionë eurove. Naim Murseli dyshohet se ka qenë në dijeni për këtë shumë shpaguese nga sigurimi dhe kjo dyshohet se është një nga motivet që mund ta ketë çuar atë në gjithë organizimin e vrasjes makabër të gruas së tij Liridonës.

Ora 21:50
Si nisën dyshimet për vrasjen e motrës? Vëllai i Liridonës: Naimi po binte në kontradiktë! Na ngushëlloi shumë pak

1701608533_nuk.jpg

Vëllai i Liridona Ademajt, 30-vjeçares që u vra me armë zjarri para disa ditësh në Prishtinë ka rrëfyer lidhur me ngjarjen e rëndë, duke treguar se si nisën dyshimet te Naim Murseli, bashkëshorti i motrës së tij.

Ai u shpreh se ditën pas vrasjes ai e kishte takuar Naimin së bashku me dy të afërmit e tij, aty ku edhe bashkëshorti i Liridonës kishte nisur të jepte disa deklarata kontradiktore.

Ai zbuloi më tej se kur të gjithë ishin nisur drejt morgut për të parë trupin e Liridonës, Naimi kishte refuzuar duke thënë se nuk mund ta shihte të shoqen e pajetë.

Pjesë nga intervista:

Si e mësuat se Liridona vdiq?

Vëllai: Isha në punë, më telefonoi gruaja rreth darkës dhe më tha se Liridona ishte vrarë pas një konfrontimi me hajdutët. Kur e pashë m’u duk e vërtetë në bazë të lajmeve. Erdha në shtëpi dhe u mundova të afroj prindërit dhe i kam dërguar në spital për t’u bër qetësues.

Pasi u dhashë qetësues u nisëm për në Prishtinë. Shkuam në QKUK dhe na thanë që Liridona nuk ishte aty. Shkuam në Dragodan në stacionin policor, aty ishte edhe burri i Liridonës, Naimi duke dhënë deklaratë bashkë me fëmijët.

Njëherë folëm me fëmijët, folëm me ta dhe i pyeta. Ata thanë që e harruan mamin dhe kishin ikur pasi dikush u kërkoi paratë. Kur i pyesja se si ikën nuk më kthenin përgjigje. Atë natë biseda me Naimin ishte shumë e shkurtër. Ai më tha që dolën grabitësit dhe kërkuan para.

Por tha se arriti që t’i thoshte fëmijëve suedisht të ikin dhe u hapi dyert fëmijëve dhe iku me ta. Kur ktheu kokën pas nuk ishte Liridona. Pas 4-5 metrave kishte dëgjuar një krismë. Desha të siguroj fëmijët dhe më pas të kthehem te gruaja më tha. Më pas erdhi policia dhe e njoftuan në stacion që ajo kishte ndërruar jetë.

A kishit dyshime te Naimi?

Vëllai: Nuk na shkonte mendja aspak, nuk kishim dyshime. Mendonim vetëm se si i ndodhi Liridonës. Atë natë nuk kishim dyshime. Dyshimet nisën të nesërmen.  Ishte ora rreth 11 të nesërmen dhe prisnim të na thërriste. Djali i xhaxhait më tha se duhet të takonim Naimin, e telefononim dhe nuk i bënte telefoni. Ishte gjithë kohën me një shofer personal dhe ai më tha se ishin në një hotel.

Shkuam atje për ta takuar në Prishtinë. Hymë në dhomë, ishte atje duke qëndruar. Pas pak çastesh i erdhi edhe mëngjesi në dhomë, ne ishim pa gjumë pa ushqim prej natës së kaluar. Ne nuk ishim as në gjendje të afronim dorën për të ngrënë.

Djali i xhaxhait nisi ta pyesë. Përgjigjet e tij ishin habitëse, nuk dinte çfarë thoshte. Binte në kontradiktë me fjalët e veta. Aty lindën dyshime, por sërish nuk e mendoja. Ai thoshte që ishte në telefon dhe pastaj nuk e ka parë hajdutin, e ka parë Liridona. Ai po i jepte makinës, ndërsa djali i xhaxhait i tha po si po i jepje makinës kur ishe në telefon. Aty i tha se jo kështu po ashtu.

E pyetëm pse nuk e hapte telefonin dhe tha se e kishin vjedhur. Ne i thamë se dikush po e mbyll telefonatën. Pra nuk ishte i fikur. E thirrëm policinë dhe i thamë që numri i Naimit po punonte. Unë e pyeta, Liridona ku është dhe tha që Liridona sot mund të bëhej gati dhe nuk lejohej ta shikonim. Naimi erdhi me ne në morg dhe unë hyra i pari. Kur shohim më pas Naimi nuk ishte. Jo po nuk mundem ta shoh thoshte, po bënte disa mimika.

Të nesërmen erdhi 2 orë para ceremonisë mortore. Natën që ishim në Prishtinë erdhëm në shtëpi. Naimi tha se duhet të merrte fëmijët dhe erdhi këtu e ndejti 1 orë. Tha që në orën 8, ditën e varrimit e kishte kërkuar policia për të pyetur fëmijët. Kaloi ora 12 dhe Naimi nuk erdhi. E thirra në telefon dhe i thashë pse nuk erdhe.

Mbeta me fëmijët tha. Kështu erdhi Naimi rreth orës 12. I ka ngushëlluar familjarët tanë shumë pak, disa aspak. Pas asaj nga ora 2 morëm motrën dhe ikëm për në varreza./ BW

Ora 18:33
'Unë do të merrem me gjithçka, sot do kryhet ajo punë', Detaje të reja nga dosja e Prokurorisë për rastin e vrasjes së Liridona Murseli

Disa orë para se të vritej Liridona Murseli, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin, Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e së ndjerës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para ditë së ndodhur ngjarja, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën".

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar së bashku, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.”

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin. nSipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiçi".

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshihet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend. Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ora 17:42
Kurti: Liridona u vra se ishte grua, u vra me paramendim! Vrasësit duhet të marrin dënimin maksimal

1700834258_albinkurti.jpg

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që vrasësit e Liridona Ademajt të marrin dënimin maksimal. Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën (3 Dhjetor) ka dhënë masën me paraburgim ndaj Naim Murselit, Genc Plavës dhe Kushtrim Kokallës.

Murseli akuzohet se kishte porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, ndërsa Plava akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Po ashtu, Kokalla akuzohet për “marrëveshje për kryerje të vrasjes së rëndë”.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore. Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se për t’i parandaluar krimet e tilla makabre, duhte bashkëpunuar së bashku në çdo fushë.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegjja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu. E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, ka shkruar Kurti.

Ora 17:19
Zbardhet dëshmia e Naim Murselit në gjykatë, s'pranon krimin: Kam qenë edhe vetë i rrezikuar

 

Naim Murseli dhe Liridona Ademaj

Naim Murseli i cili dyshohet për vrasjes të bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, ka mohuar veprën në seancën e parë dëgjimore ndaj tij të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dhe me avokatin mbrojtës të tij kanë mohuar cilësimet në dosjen e prokurorisë ndaj tij, për“vendin, kohën dhe mënyrën siç përshkruhet” në dyshimet ndaj tij.

Gazeta Express ka raportuar se Murseli në seancë të parë ka thënë se “unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”.

Avokati i tij, Ahmet Ameti, është shprehur se Naim Murseli “nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”.

Avokati gjithashtu në seancën e parë dëgjimore ka kërkuar nga gjykata që të mos aprovojnë kërkesën për paraburgimit ose të caktojë ndonjë masë tjetër.

Gjykata Themelore ndërkaq u ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarve Naim Murseli, dorasit Granit Plava si dhe Kushtrim Kokallës si të dyshuar të tretë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Dorasi Plava ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, por se i njëjti me t'u arrestuar kishte pranuar të ketë kryer vrasjen dhe kishte deklaruar se për këtë vepër Murseli i kishte ofruar 30 mijë euro; 15 mijë në avans dhe 15 mijë pas kryerjes së veprës.

Sipas Gjykatës, bazuar në arsyetimin e Prokurorisë ka prova të mjaftueshme për të cilat më pas të akuzuarit do të mund të arratiseshin ose të ndikonin në prova.

Sipas njoftimit të Gjykatës, Naim Murseli ia kishte dhënë edhe armën Granit Plavës për ta kryer krimin.

Njoftimi:

Prishtinë, 03 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ora 15:59
Familjarët kërkuan zhvarrosjen e Liridonës, aprovohet kërkesa e tyre, rivarrosja bëhet nesër në fshatin e saj të lindjes

1701615372_finalprojekt.00400114.Still100.jpg

Pas dorëzimit së kërkesës së vëllait të Liridonës për zhvarrosjen e saj, shteti së fundmi e ka aprovuar atë.  Si rezultat nesër do të bëhet rivarrimi i Liridonës që u vra nga Naim Murseli në bashkëpunim me dy të tjerë.

Fshati Rracaj ka njoftuar se rivarrimi do të bëhet në orën 14:00.

Njoftimi:

Njoftim mortor nga familja Ademaj. Familja Ademaj njofton miq,shokë e dashamir se rivarrimi i vajzes tonë Liridona Ademaj e vrarë me daten 29.11.2023 behet neser me datë 4 dhjetor 2023 me varrezat e fshatit Rracaj ne ora 14:00

Pas seancës gjyqësore vëllai i së ndjerës tha: 

“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”.

 

Ora 15:40
Suedi, kolegët ndezin qirinj në vendin e punës së Liridonës: E donte punën dhe familjen

1701614374_knds.jpg

Vrasja e 30-vjeçares Liridona Murseli nga bashkëshorti i saj, duke lënë pas dy fëmijë të vegjël ka lënë një gjurmë të thellë trishtimi tek gjithë opinioni publik të cilët kanë reaguar në rrjete sociale duke kërkuar dënim maksimal për autorët.

Së fundmi atë e kanë kujtuar edhe kolegët e punës në Suedi. Lejas Cafe, në reagimin e bërë në Facebook shkruan se Liridona ishte një person i dashur dhe ajo e donte shumë jetën familjare.

“Një grua që vlerësonte gjithmonë klientët e saj dhe dëshironte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë. Liridona nuk ishte thjesht një punonjëse e jona në Lejas Café. Ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte një shoqe shumë e dashur për të gjithë dhe një punonjëse e njohur me klientët. Ajo krijonte lehtësisht lidhje të mira përmes personalitetit të saj dhe këto janë vetëm disa nga cilësitë e mira që zotëronte”, shkruhet në postimin e bërë në Facebook.

Deputeti në parlamentin suedez, Magnus Jakobsson, ka vizituar lokalin “Lejas Café” ku punonte e ndjera Liridona Ademaj në Suedi nga ku shprehu ngushëllime duke theksuar se e reja shte person i mrekullueshëm. Aty në nderim të saj u ndezën qirinj e u vendosën lule. Me anë të një postimi në “X”, deputeti Jakobsson theksoi se Liridonën do ta kujtojnë me ngrohtësi, pasi tha se ajo ishte një person që vlerësohej nga të gjithë, shkroan portali Noa.

“Sot kemi vizituar memorialin e Liridonës në Lejas Café. Shumë erdhën dhe lanë lule dhe ndezën qirinj. Një moment i denjë përkujtimi. Liridonën do ta kujtojmë me ngrohtësi. Ajo ishte një person i mrekullueshëm që vlerësohej nga të gjithë ata që e njihnin. U prefsh ne paqe”, shkroi Jakobsson.

 

Ora 14:00
'Nuk e dinë se nënën ua kanë vra', vëllai i Liridonës reagon pas seancës gjyqësore! Rrëfehet se çfarë i thanë fëmijët pas krimit

1701608533_nuk.jpg

Leondard Ademaj

Pas seancës dëgjimore që është mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka folur për gazetarët vëllai i Liridona Ademaj-Murseli, Leondard Ademaj, i cili u shpreh se motra e tij u vra në mënyrën më mizore dhe makabre.

“Liridona u vra në mënyrën më mizore dhe makabre që mund të jetë. Ishte grua, motër dhe nanën e fuqishme dhe doli të jetë heroinë dhe për fëmijët e saj. Ne po e përmbajmë vetën sepse ajo nuk donte asnjëherë të na shihte në këtë gjendje”, tha vëllai i të ndjerës.

Ai po ashtu shtoi se në ditën tragjike i kërkuar motrës që të rrinte në  shtëpinë e tyre, por ajo vendosi të shkonte me bashkëshortin.

“Pasi ka mbërritur në Prishtinë, ka folur me babin dhe e i ka kallxu që kanë mbërri por që po shkojnë me hangër darkë. Unë isha në punë dhe më telefonoi gruaja më tha që e kanë vrarë Liridonën, unë mendova që djalin e axhës sepse ai e ka emrin Liridon. Gjendja në shtëpi ka qenë shumë keq, prindërit kanë qenë të alivanosur. Nuk doja me besu që Liridona ka vdekë, kam shkuar në spital Gjakovë dhe kam kërkuar me ju jep qetësues prindërve dhe vazhduam rrugën për në Prishtinë”, tha vëllai i të ndjerës.

Leonard Ademaj shprehet se aktualisht fëmijët janë nën kujdesin e dy gjyshërve, prindërit e Naim Murselit, dhe se ata s’kanë insistuar që t’i marrin meqë gjendja emocionale e familjarave është e rëndë.

“Me fëmijët kemi pasur kontakt. Shoqata sociale ka ardhur dhe ka qenë edhe te ata, që fëmijët janë mirë dhe mos keni merak për ta. Ata nuk kanë telefona që ne me komuniku me ta sepse janë të vegjël. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi i tyre (prindërit e Naimit). Kanë ardhur e na kanë pyet. Te ne është gjendja shumë katastrofale dhe fëmijët s’e kanë kuptu hala që nëna ka vdekur dhe me ardhë tek ne e kanë më të lehtë me e kuptu se çfarë është duke ndodhur. I kemi lënë tek ata sepse janë edhe fëmijët e vëllait të Naimit dhe po e kalojnë kohën me ta pa e kuptuar”,  tha vëllai i të ndjerës.

Ai shtoi se në momentin kur ka arritur në QKUK, policia i kanë thënë që duhet të shkojë në stacionin policor në Dragodan, dhe pas mbërritjes sëtij ka parë aty Naimin duke u marrë në pyetje së bashku me fëmijët.

“Dajë na kan dal përpara na kanë sulmu, na kan lyp paret unë nuk jau kom jep. Jemi kon kerr na ka marrë babi kemi ec rrugës, e kemi harru mamin në kerr”, tregon vëllai i së ndjerës se çfarë i thanë fëmijët. Leonardi theksoi se “nuk mundem me imagjinua në çfarë gjendje ka qenë motra ime kur e ka pa burrin tu ik nga vetura me dy fëmijët”, tha vëllai i të ndjerës.

Leonardi po ashtu tha se fëmijët nuk e kanë kuptuar ende se ju ka vdekur nëna.

“Nuk ka pasur ditë bese, ne besojmë në drejtësinë e Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt, ata janë mirë. Janë duke u përkujdesur prindërit e Naimit. Nuk kam pasur informacion që nuk bënë me qenë në seancë sot, e kemi bërë kërkesën për zhvarrosje. Rivarrimi me ndodh sa më shpejtë është më lehtë për neve si familjarë dhe me na u lehtësua dhimbja. Ende nuk kemi marrë përgjigje nga Prokuroria. Uroj që Liridona të jetë rasti i fundi që ka vdek dhe të mos vritet më asnjë grua”, tha vëllai i të ndjerës.

Ai bëri të ditur se nuk i është lejuar hyrja sot në seancën dëgjimore.

Ora 12:36
Vrasja e Liridona Murselit, Gjykata e Prishtinës: Ka prova, Naim Murseli inskenoi vrasjen si grabitje! I kishte dhënë armën Granit Plavës për ta kryer krimin

1701451567_liridonamurseli.png

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjen Liridona Murselit. Në deklaratën e bërë nga gjykata, thuhet se Naim Murseli i ka dhënë armën Granti Pllavës dhe e kishte inskenuar grabitjen. Ai u ka dalë para makinës me të cilën po udhëtonte Naim Murseli me Liridonën dhe dy fëmijët. Bashkëshorti është larguar më fëmijët, ndërsa Granti Plava ka qëlluar Liridonën në këmbim të 30 mijë eurove.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën Liridona Murseli, ku paraprakisht i pandehuri Naim Murseli e kishte pajisur me armë të pandehurin Granit Plava dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta, në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Naim Murseli ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera Liridona Murseli dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri Granit Plava e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera Liridona Museli kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit Granit Plava shumën e të hollave prej 30,000.00 €.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ora 12:25
Gjykata cakton masën me një muaj paraburgim ndaj 3 të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit

1701539917_ggggggggggggggggggg.JPG

Liridona Ademaj dhe Naim Murseli

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën me një muaj paraburgim ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerëm, për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli.

Ky vendim është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti, pas kërkesës së Prokurorisë të shqyrtuar nga Prokurorja Besa Luma.

Seanca dëgjimore është mbajtur sot (3 Dhjetor) në departmentin e krimeve të rënda të ksaj gjykate.

Ora 12:05
Vëllai i së ndjerës Liridona sqaron deklaratën që bëri bujë: Ishte keqkuptim ajo për ‘dy ditë besë’, ne i besojmë drejtësisë së Kosovës

1701601699_mgf.jpg

Vëllai i së ndjerës Liridona

Familjarët e Liridona Murselit kanë mbërritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku mbahet seanca gjyqësore për vrasjen e së resë.

Vëllai i të ndjerës Liridona Ademaj ka treguar se deklarata e dhënë e Naim Murselit “dy ditë besë” është keqkuptuar. Ai shtoi se familje e tyre e ka lënë rastin “në dorë” të drejtësisë së Kosovës.

“Ka qenë një keqkuptim. Ditën kur e kanë arrestuar Naimin, na kanë thirrë në telefon dhe na kanë thënë që është edhe dy ditë e pamja. Këtu është bërë një keqkuptim se kanë thënë dy ditë i kanë dhënë afat e s’di as çka është besë. Ajo s’është e vërtetë. Baba i ka thënë mbane të pamën edhe dy ditë qysh e keni pasë dhe asnjë send tjetër s’ka pasë. S’ka pasë dy e tri ditë besë. Ne gjithçka ia lëmë drejtësisë, besojmë në drejtësi të Kosovës”, tha vëllai i së ndjerës.

Ora 09:56
Vrasja e Liridona Murselit, mbërrijnë në gjykatë familjarët! Vëllai dorëzon kërkesën për zhvarrimin e trupit

Familjarët e Liridona Murselit kanë mbërritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku mbahet seanca gjyqësore për vrasjen e së resë. Tre të akuzuarit, burri i saj Naim Murseli si dhe dy të dyshuarve të tjerë Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla kanë mbërritur po ashtu në gjykatë.

Vëllai i të 30-vjeçares dorëzoi kërkesën për zhvarrosjen e motrës.

“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.

Ora 09:51
'Nuk ka paqe pa sigurinë e grave', protestohet para fillimit të seancës për vrasjen e Liridona Murselit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murseli si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Murselit.

Para fillimit të kësaj seance në hyrje të Gjykatës u mbajt një protestë simbolike, organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” – thuhet në pankartën që po e mbajën këto aktiviste.

“Nuk do të qëndrojmë të qeta, përderisa burrat dhunojnë e vrasin vajza dhe gra. Gratë çdo ditë përjetojnë luftë”, u shpreh Trina Binaku.

“Nuk do të qëndrojnë të qeta, përderisa burrat vazhdojnë dhunojnë e vrasin vajza dhe gra. Vetëm këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunojë dhe e shantazhojnë një të mitur në Gjakovë. Një burrë tjetër përdhunoj një të mitur në Pejë e një burrë pagoi vrasjen e gruas së vet në Prishtinë. Dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve, ato janë simptoma të parktialkalizmit, i cili vazhdon ta qeverisë familjaren, shoqërinë, pushtetin dhe të gjithë ne. Ato janë pasoja e një dhune strukturore partiarkale që vazhdon të shtyp gratë e të prodhoj dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqërorë e politikë. Ne gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe sigurinë e njëra tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfat në secilën hapësirë e disa edhe po i vret e kjo nuk duhet të vazhdoj kështu, vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa gratë çdo ditë përjetojnë gjendje lufte”.

Ndërsa, të martën duke filluar nga ora 18:00, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur një protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Sot nga Pallati i Drejtësisë ku po gjykohen vrasësit e Liridona Ademajt thërrasim në organizim dhe veprim të gjithë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, u shpreh Binaku.

Ora 09:49
Naim Murseli dhe dy të dyshuarit tjerë arrijnë në gjykatë, fillon seanca për vrasjen e Liridona Murselit

Kanë mbërritur në Gjykatën Themelore të Prishtinës tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti Naim Murseli si dhe dy të dyshuarve të tjerë Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Ata janë futur në gjykatë nga një hyrje tjetër dhe larg medieve.

Të pranishëm në gjykatë janë edhe familjarët e Liridona Murselit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Polic #: 03/12/2023 14:17

    I lumtë policisë së Kosovës!! Të gjitha ngjarjet e rënda po i zbardh dhe autorët po i prangos! I bëj thirrje autoriteteve të policisë shqiptare të organizojnë trajnime në Kosovë se kursejnë edhe përkthyeset...

    Përgjigju
  • Arben: 03/12/2023 13:31

    Turp per burrin dhe per vrasesin e paguar! Te qellosh gruan, nenen e dy femijeve, sikur te ishte serbe!!?? Liridona ishte shqiptare, nuk e meritonte nje fund te tillë pavaresisht arsyeve qe mund ta kene shtyre Naimin! Nuk ka asnje justifikim!

    Përgjigju
    • Tirona: 04/12/2023 06:53

      O Cicëron po të ishte naj serbe që skish fmi me Shqipe osh gjo tjetër miko Di gjo a kan apo a kanë pas mëshir serbët për grat Shqiptare në Kosov? Ene fmin në bark ja kan qit tubi ça barkun. Leji kto lëpirje interneti,do me u bo më katolik se papa ti? Gjynof kjo e shkreta që iku se po pakësojmë vet njoni-tjetrrin

    • Cicerone: 03/12/2023 17:07

      Duket sa i respekton grate dhe femijet kur thua: '... sikur te ishte serbe'. Ti je nje nivel me ata, qe medemek i shan.

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?