Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda në sallën e gjyqit solli edhe reagimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili fajësoi Policinë e Shtetit se nuk garanton sigurinë në sallat e gjyqeve. KLGJ publikoi shkresat me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, ku pretendon se sipas një VKM-je të datës 28 prill 2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtetërore në varësi të Ministrisë së Brendshme. Sipas KLGJ, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.
Por, emisioni ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, zbardhi një VKM të vitit 2020 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për garantimin e rregullit e të sigurisë në gjykata dhe prokurori”, një VKM përmes së cilës del që roli i KLGJ është vendimtar për hartimin e politikave të sigurisë në gjykata.
“KLGJ dhe KLP hartojnë politikën për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht, në ambientet e gjykatës apo të prokurorisë, e cila është në përputhje me politikën e përgjithshme kombëtare dhe përcakton qartë objektivat e përgjithshëm në lidhje me rregullin e sigurinë, si dhe pasqyron angazhimet e marra për përmirësimin e performancës së tyre në çdo gjykatë e prokurori”, thuhet në VKM.
Sipas VKM-së të vitit 2020, specifikohet se janë punonjësit e sigurisë që duhet të garantojnë sigurinë dhe rregullin në gjykata, të cilët në fakt janë në varësi të vetë Gjykatës. Njëjtë edhe si rasti i punonjësit të sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj i cili u arrestua pasi lejoi që autori i vrasjes së gjytarit të futej me armë në gjykatë, edhe pse detektori metalik sinjalizoi metalet, ai nuk ushtroi kontroll.
Në VKM-në prej 5 faqesh të vitit 2020, përcaktohet qartë termi "punonjës sigurie", i cili duhet të garantojë sigurinë dhe nuk specifikohet se ejane punonjës të Policisë së Shtetit si ne VKM te 2010. VKM-ja në fjalë përcakton se punonjësi i sigurisë garanton rregullin dhe sigurinë jo vetëm në hyrje të institucioneve të drejtësisë, por edhe në sallat e gjyqit në rast se i kërkohet nga kryetari i seancës.
Sipas VKM-së, punonjësi i sigurisë garanton rregullin dhe sigurinë, në:
a) hyrjet kryesore dhe të veçanta të institucionit përkatës;
b) portat për hyrjen e automjeteve dhe hapësirën e parkimit;
c) sallën e gjyqit, nëse i kërkohet nga kryetari i seancës, në zbatim të urdhrave të dhënë prej tij;
ç) ambientet e tjera të brendshme, të cilat përfshijnë kryesisht korridoret lidhëse pranë zyrave, si dhe brenda perimetrit rrethues të godinës së institucionit përkatës
Sipas VKM-së, punonjësi i sigurisë, me qëllim ruajtjen e rregullit e të sigurisë në ambientet e institucionit përkatës, kryen detyrat e mëposhtme:
a) siguron ndalimin e hyrjes për personat, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë e personave ose të godinës së institucionit përkatës;
b) ushtron kontroll personal nëpërmjet pajisjeve teknike dhe inspekton çantat e personave që hyjnë në ambientet e brendshme të institucionit;
c) merr masa për bllokimin e përkohshëm të sendeve, mbajtja dhe futja në institucion e të cilave është e ndaluar sipas këtij vendimi, me qëllim për të lejuar personin të hyjë në ambientet e institucionit përkatës;
ç) informon kryetarin e institucionit përkatës dhe, në mungesë të tij, kancelarin, për sjellje të dyshimta nga personat që ndodhen në ambientet e godinës së institucionit;
d) merr masat e nevojshme për kufizimin e qarkullimit të automjeteve të palejuara në hapësirat e parkimit, në bodrume, në garazhe, si dhe në oborrin e institucionit përkatës;
dh) përdor forcën fizike në përputhje dhe proporcion me rastet që e kanë diktuar atë dhe aq sa është e nevojshme për të shmangur apo neutralizuar situatën e rrezikut të krijuar;
e) raporton pranë kryetarit të institucionit përkatës dhe, në mungesë të tij, kancelarit, telefonatat që përmbajnë kërcënime të shprehura apo nënkuptojnë mundësinë e një rrez reziku real për magjistratët dhe/apo punonjësit e administratës së institucionit;
ë) jep udhëzime të shprehura, në zbatim të urdhrave të kryetarit të institucionit;
f) mban kontakte të vazhdueshme me institucione si policia, personeli i grupit të shoqërimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, spitalet, zjarrfikëset dhe i raporton në mënyrë periodike kryetarit të institucionit përkatës;
g) ndërmerr kontrolle rutinë për të gjitha pajisjet e sigurisë dhe i raporton kryetarit të institucionit përkatës në rast të mosfunksionimit të këtyre pajisjeve;
gj) vlerëson mjediset e prirura ndaj zjarrit dhe mbron personat, si dhe pasuritë nga rreziku I ndezjes apo shpërthimit së zjarrit;
h) kryen evakuimin e godinës, në zbatim të urdhrit verbal të kryetarit, sipas planeve të emergjencave të përcaktuara për rastet e evakuimit. Në rastet e rrezikut të madh e të menjëhershëm, evakuimi mund të kryhet edhe pa urdhër të kryetarit.
i) Informon menjëherë kryetarin, dhe në mungesë të tij kancelarin, si dhe strukturat policore për çdo ngjarje të rëndë që paraqet rrezik real dhe cenon sigurinë e institucionit përkatës, e cila konstatohet pas orarit zyrtar.
Por, ajo çfarë është edhe më e çuditshme është se KLGJ në shkëmbimet që ka pasur me institucionet, Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme, nuk e përmend në asnjë moment VKM-në e vitit 2020 që ngarkon me përgjegjësi edhe KLGJ, por i referohet vetëm VKM-së së 2010 që përgjegjësinë për sigurinë ia faturon Policisë së Shtetit.
(Klikoni linkun për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente

Lot, do garantojne ca pleq ne prag pensioni me paga 50.000 lek sigurine neper gjykata. Jo po lerjani pastruseve te institucionit sigurine. Shtet karagjoz
PërgjigjuPUNONJÈSI I SIGURISÈ, si ai i mjeri qè sot ndodhet nè qeli, èshtè njè titull tallava nè formè dhe pèrmbajtje. Njè VKM qè pretendon tè rregullojè rendin dhe sigurinè nè prokurori dhe gjykata, èshtè jo vetèm e pakuptimtè por edhe bart rrezik pèr jetèn e atyre qè duhet tè ruheshin. Profili i ulèt i "punonjèsit tè sigurisè" nuk pèrshtatet askund me kèrkesat pèr parandalimin e akteve kriminale. Ideatori i kèsaj VKM, nè fakt, nuk duhet tè kishte nè dispozicion shèrbimet e gardès sè republikès pèr sigurinè e tij. Le tè marrè nga ky rezervuar gladiatorèsh merhumè, ashtu siç i parasheh si tè aftè edhe pèr tè tjerèt.
PërgjigjuNe France eshte Policia dhe Gendarmerie qe siguron gjykatat. Ne Shqiperi rojet private. Pa shkolle, pa formim, por shume me te korruptueshem.
Përgjigju