Foto nga të ftuarit në Repolitix dhe VKM e vitit 2020 për sigurinë në Gjykata

Politikë

Kush e ka përgjegjësinë për sigurinë në Gjykata? ‘Repolitix’ zbardh VKM e 2020-ës: KLGJ rol kryesor, rregulli garantohet nga punonjësit e sigurisë, jo nga Policia

8 Tetor, 00:49| Përditesimi: 8 Tetor, 01:16

  • Share

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda në sallën e gjyqit solli edhe reagimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili fajësoi Policinë e Shtetit se nuk garanton sigurinë në sallat e gjyqeve. KLGJ publikoi shkresat me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, ku pretendon se sipas një VKM-je të datës 28 prill 2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtetërore në varësi të Ministrisë së Brendshme. Sipas KLGJ, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.

Por, emisioni ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, zbardhi një VKM të vitit 2020 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për garantimin e rregullit e të sigurisë në gjykata dhe prokurori”, një VKM përmes së cilës del që roli i KLGJ është vendimtar për hartimin e politikave të sigurisë në gjykata.

“Këshillat hartojnë politikën për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht, në ambientet e gjykatës apo të prokurorisë, e cila është në përputhje me politikën e përgjithshme kombëtare dhe përcakton qartë objektivat e përgjithshëm në lidhje me rregullin e sigurinë, si dhe pasqyron angazhimet e marra për përmirësimin e performancës së tyre në çdo gjykatë e prokurori”, thuhet në VKM.

Por, sipas VKM-së të vitit 2020, specifikohet se janë punonjësit e sigurisë që duhet të garantojnë sigurinë dhe rregullin në gjykata, të cilët në fakt janë në varësi të vetë Gjykatës. Njëjtë edhe si rasti i punonjësit të sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj i cili u arrestua pasi lejoi që autori i vrasjes së gjytarit të futej me armë në gjykatë, edhe pse detektori metalik sinjalizoi metalet, ai nuk ushtroi kontroll. 

Në VKM-në prej 5 faqesh të vitit 2020, përcaktohet qartë termi "punonjës sigurie", i cili duhet të garantojë sigurinë dhe jo punonjës të Policisë së Shtetit. VKM-ja në fjalë përcakton se punonjësi i sigurisë garanton rregullin dhe sigurinë jo vetëm në hyrje të institucioneve të drejtësisë, por edhe në sallat e gjyqit në rast se i kërkohet nga kryetari i seancës.

Sipas VKM-së, punonjësi i sigurisë garanton rregullin dhe sigurinë, në:

a) hyrjet kryesore dhe të veçanta të institucionit përkatës;

b) portat për hyrjen e automjeteve dhe hapësirën e parkimit;

c) sallën e gjyqit, nëse i kërkohet nga kryetari i seancës, në zbatim të urdhrave të dhënë prej tij;

ç) ambientet e tjera të brendshme, të cilat përfshijnë kryesisht korridoret lidhëse pranë zyrave, si dhe brenda perimetrit rrethues të godinës së institucionit përkatës

Sipas VKM-së, punonjësi i sigurisë, me qëllim ruajtjen e rregullit e të sigurisë në ambientet e institucionit përkatës, kryen detyrat e mëposhtme:

a) siguron ndalimin e hyrjes për personat, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë e personave ose të godinës së institucionit përkatës;

b) ushtron kontroll personal nëpërmjet pajisjeve teknike dhe inspekton çantat e personave që hyjnë në ambientet e brendshme të institucionit;

c) merr masa për bllokimin e përkohshëm të sendeve, mbajtja dhe futja në institucion e të cilave është e ndaluar sipas këtij vendimi, me qëllim për të lejuar personin të hyjë në ambientet e institucionit përkatës;

ç) informon kryetarin e institucionit përkatës dhe, në mungesë të tij, kancelarin, për sjellje të dyshimta nga personat që ndodhen në ambientet e godinës së institucionit;

d) merr masat e nevojshme për kufizimin e qarkullimit të automjeteve të palejuara në hapësirat e parkimit, në bodrume, në garazhe, si dhe në oborrin e institucionit përkatës;

dh) përdor forcën fizike në përputhje dhe proporcion me rastet që e kanë diktuar atë dhe aq sa është e nevojshme për të shmangur apo neutralizuar situatën e rrezikut të krijuar;

e) raporton pranë kryetarit të institucionit përkatës dhe, në mungesë të tij, kancelarit, telefonatat që përmbajnë kërcënime të shprehura apo nënkuptojnë mundësinë e një rrez reziku real për magjistratët dhe/apo punonjësit e administratës së institucionit;

ë) jep udhëzime të shprehura, në zbatim të urdhrave të kryetarit të institucionit;

f) mban kontakte të vazhdueshme me institucione si policia, personeli i grupit të shoqërimit të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, spitalet, zjarrfikëset dhe i raporton në mënyrë periodike kryetarit të institucionit përkatës;

g) ndërmerr kontrolle rutinë për të gjitha pajisjet e sigurisë dhe i raporton kryetarit të institucionit përkatës në rast të mosfunksionimit të këtyre pajisjeve;

gj) vlerëson mjediset e prirura ndaj zjarrit dhe mbron personat, si dhe pasuritë nga rreziku I ndezjes apo shpërthimit së zjarrit;

h) kryen evakuimin e godinës, në zbatim të urdhrit verbal të kryetarit, sipas planeve të emergjencave  të  përcaktuara  për  rastet  e  evakuimit.  Në  rastet  e  rrezikut  të  madh  e  të menjëhershëm, evakuimi mund të kryhet edhe pa urdhër të kryetarit.

i) Informon menjëherë kryetarin, dhe në mungesë të tij kancelarin, si dhe strukturat policore për çdo ngjarje të rëndë që paraqet rrezik real dhe cenon sigurinë e institucionit përkatës, e cila konstatohet pas orarit zyrtar.

(Klikoni linkun për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?