Agron Zhukri dhe Sali Berisha

U shkarkua nga KPK, kush është gjyqtari që i dha vulën e PD Berishës! Nga shofer në drejtësi, kërcënimet dhe takimet para vendimit! Gruaja e tij sekretare e ‘Doktorit’

19 Prill, 10:48| Përditesimi: 19 Prill, 11:17

  • Share

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukri. Gjatë procesit të vlerësimit, Zhukrit iu konstatuan pamundësi financiare të familjes për krijimin e pasurive në masën e 93 milionë lekëve.

Por kush është Agron Zhukri, gjyqtari emri të cilit u lakua kur i dha vulën Rithemelimit të Sali Berishës?

Gjyqtari Agron Zhuri është 58 vjeç dhe ka lindur në Tiranë.  Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Arsimimi i tij dhe mënyra se si u katapultua në drejtësi mbetet një mister. Në rrethet e gjyqësorit dhe politikës flitet se Zhukri ka qenë shofer pranë Gazetës Rilindja Demokratike, Partisë Demokratike në vitin 1991 dhe më pas pranë ambasadave, pas ardhjes së PD-së në pushtet. Gjithsesi, në formularin e dekriminalizimit, Zhuri deklaron se në periudhën dhjetor 1992 deri në qershor 1994 ka qëndruar në Itali, si punonjës pranë Ambasadës Shqiptare në Romë, por e specifikuar punën që bënte.

Ndërkaq, bashkëshortja e gjyqtarit Agron Zhuri, Rezarta Zhukri, ka qenë financiare pranë gazetës Rilindja Demokratike, organ në duart e Berishës. Zonja Rezarta Zhukri ka qenë sekretare personale e Sali Berishës dhe më pas shefe e administratës, fakt i pranuar edhe nga vetë gjyqtari. Ishin pikërisht këto lidhje, për të cilat gjyqtari kërkoi që të mos shqyrtonte çështjen e legjitimitetit apo jo të Kuvendit dhe statutit paralel të PD-së, por që kërkesa e tij nuk u miratua nga kryetari i Gjykatës së Tiranës.

Misteri i katapultimit në drejtësi

Në këto rrethana ngrihen dyshime për një ndikim të mundshëm të Berishës për të bërë gjyqtar Agron Zhuri, për t’i shërbyer më pas. Nuk dihet me saktësi se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’, por ai nisi të shfaqej fillimisht si ndihmës gjyqtar dhe më pas si gjyqtar.

Zhukri doli në pah si ndihmës gjyqtar në procesin e famshëm të gjykimit të të akuzuarave për grushtin e shtetit të 14 Shtatorit 1998, orkestruar nga Sali Berisha. Ashtu si në shumë ngjarje të tjera të rënda, edhe për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998 u dënuan vetëm zbatuesit, ndërsa orkestruesit i shpëtuan përgjegjësisë penale.

Pasuria

Më shumë se sa për vendime, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë.

Nga viti 2006 deri në vitin 2018, bashkëshortja e gjyqtarit Rezarta Zhukri deklaron rreth 2 milionë USD të ardhura nga biznesi i agjencisë së udhëtimit dhe sigurimeve.

Nëse në vitet 2003, 2004 dhe 2005, të ardhurat e bashkëshortes Rezarta Zhukri janë të papërfillshme, befas në vitin 2006 deklaron 130 mijë euro të ardhura, në vitin 2007 deklaron 65 mijë euro, në vitin 2008 rreth 75 mijë euro, në 2009 rreth 32 mijë euro, në 2010 deklaron 5.8 milionë lekë, 7.1 milionë lekë në 2011, 8.5 milionë lekë në 2012 dhe 8 milionë në 2013. Në vitin 2014, Rezarta Zhukri deklaron 19.8 milionë lekë ose rreth 200 mijë USD të ardhura, 10 milionë lekë në 2015 dhe 11 milionë lekë në 2016. Në 2017 deklaron 49 895 099 ose rreth 500 mijë USD dhe rreth 420 mijë USD në vitin 2018.

Në vitin 2006, gjyqtari deklaron blerjen e dy apartamente me vlerë 280 mijë euro si dhe një makinë Volsvagen Classic me vlerë 43 mijë euro, makinë kjo për bashkëshorten. Në vitin 2006, deklarohet edhe shitja një apartamenti ndërtuar mbi truallin e familjes, me vlerë 30 mijë euro, si dhe 30 mijë euro të ardhura nga investimi në ndërtim. Ndërkaq, dy apartamentet i jep me qira, ku deklaron deri në 21 mijë euro të ardhura në vit. Por, nga ana tjetër, deri në 13 mijë euro në vit i shpenzojnë për shkollimin e djalit.

Në vitin 2017 gjyqtari Agron Zhukri deklaron një kontratë si përfitues i një sipërfaqeje ndërtimi si pronar i truallit ku po ndërtohet një pallat. Në vitin 2018, deklaron rreth 48 mijë USD nga qiratë, rreth 15 mijë USD pagën e bashkëshortes përveç 420 mijë USD të ardhura nga biznesi, rreth 16 mijë USD të ardhura nga aktiviteti privat i djalit, si dhe pagën e tij si gjyqtar 1.3 milionë lekë ose rreth 13 mijë USD.

Zhukri i dha vulën Berishës, Gjykata e Lartë e ktheu sërish në Apel

Në mars 2022 gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Agron Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 të cilin e konsideroi të ligjshëm. Pas sagës nëpër dyert e drejtësisë, Gjykata e Lartë me një vendim të 27 dhjetorit riktheu cështjen sërish në apel dhe detyroi që të marrë një vendim.

Apeli detyrohet që të shprehet nëse vendimi i Agron Zhukrit është i drejtë apo i gabuar, nëse Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor 2021 është i pavlefshëm apo jo.  Nëse vendimi i gjyqtarit të Tiranës Zhukri do të mbetej në fuqi, atëherë vula do të shkojë tek Berisha, në do të rrëzohet në Apel Partia Demokratike i mbetet Lulzim Bashës.

Kërcënimi

Grupi i Sali Berishës shtoi presionet dhe kërcënimet ndaj gjyqtarit Agron Zhukri, për të shpallur si të ligjshëm statutin paralel të Berishës, me qëllim për të marrë PD-në. Bujar Nishani, i pyetur disa javë më parë se çfarë do të ndodhë nëse gjyqtari nuk pranon statutin paralel të Berishës, Nishani tha në mars 2022 do të krijonte destabilitet.

“Gjykata nuk mund të marrë një vendim se kush do ta ketë PD-në. Gjykata vetëm reflekton ndryshimet më të fundit të statutit. Nëse gjykata do të vendosë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara ky është problem i gjykatës. Si do ta marrë me dokumente false? Nëse në këtë vend ka koka të nxehta, të cilat kërkojë të imponojnë vullnetin e mijëra njerëzve mbi dokumente të falsifikuara dhe të projektojnë destabilitet... nëse dikujt i merr koka erë dhe nuk njeh këtë realitet, atëherë në qafë pastë veten”, tha Nishani.

Pretendimi i Bardhit për takim sekret paraprak

Ndërkohë, Gazment Bardhi, i cili tashmë ka kaluar në radhët e Berishës, kishte sulmuar Zhukrin se ka pasur një takim me një përfaqësues të Berishës para se të caktonte datën për seancën gjyqësore.

“I bëj thirrje gjykatës të mos i futet aventurave. Ka caktuar datë për seancë pa pasur dosje. Data për nesër është caktuar dje pa patur gjyqtari dosje mbi tavolinë. Është takuar me një përfaqësues të Berishës. E kam emrin, por nuk po e them për etikë të kolegut tim. Si mund të gjykosh pa pasur aktet dhe dosje, këtë do e shpjegojë gjyqtari. E kam të dokumentuar, me të gjitha. Nëse gjyqtari ka vendosur të hedhë veten në erë, është i lirë, i ka thënë burgut hapu. Një gjyqtar kamikaz”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

I dha vulën e PD-së Berishës, KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Agron Zhukri! S'justifikon 93 mln lekë pasuri


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?